Kultura

Në Librari vjen me tre tituj të rinj: 'Shtëpia pa pasqyrë', 'Poezi të zgjedhura' dhe 'Dita kur gjithçka ndryshoi'! Melodia e vargut ju sjell poezi nga poetja e re Albina Roshi

25 Maj, 08:16| Përditesimi: 25 Maj, 09:27

  • Share

“Shtëpia pa pasqyrë” nga Majlinda Bregasi, “Poezi të zgjedhura” nga Christine Lavant dhe “Dita kur gjithçka ndryshoi – Dhjetë histori nga 7 tetori”, janë titujt që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

MAJLINDA BREGASI, AUTORE
“SHTËPIA PA PASQYRË”, NJË ROMAN PËR IKJEN DHE DASHURINË
Titulli: Shtëpia pa pasqyrë
Autori: Majlinda Bregasi
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: Dukagjini
Çmimi: 8 Euro

Në këtë roman, autorja sjell histori njerëzish me fëmijëri të grabitur. Përmes tri linjave rrëfimtare, lexuesi udhëton nëpër hendekët e fatit të individëve që janë vetëm pasojë e historisë së popullit të tyre.

Një shtëpi ku mungojnë pasqyrat, ku reflektimi bëhet i pamundur, shndërrohet në metaforë universale që ngacmon lexuesin t’i përgjigjet pyetjes thelbësore: A je ky njeriu që doje të ishe? Ky roman prekës dhe befasues është një eksplorim i thellë i kujtesës kolektive të një populli të cilit historikisht i është kërcënuar ekzistenca.

Vepra ofron një reflektim mbi mundësinë për ripërtëritje në një shtëpi që, edhe pse e zhveshur nga pasqyrat, mbi kokën e fëmijëve që luajnë pa lodra, ka gjithmonë një dritare.

Autorja është fituese e çmimit për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”. Ky është romani i pestë i saj pas romaneve: “Ikje”, “Fillimi i një fundi”, “Gërsheti i prerë” dhe “Stina e pestë”.

ANA KOVE, PËRKTHYESE
POETJA AUSTRIAKE CHRISTINE LAVANT PËR HERË TË PARË NË SHQIP
Titulli: Poezi të zgjedhura
Autori: Christine Lavant
Përzgjedhur nga: Thomas Bernhard
Përktheu: Anna Kove
Shtëpia botuese: Aleph
Çmimi: 1000 lekë

Christine Lavant (1915 - 1973) është një prej poeteve më të vlerësuara austriake të shek. XX. Ndonëse pati një shëndet të brishtë, lirika e saj është një prej shembujve më të fuqishëm të shprehisë poetike në gjuhën gjermane. Lavant bashkëjetoi ‘sup më sup’ me çmendurinë apo edhe me idenë ngulmuese të vetëvrasjes, por diti t’i ‘shkulë’ jetës 1700 lirika të jashtëzakonshme.

Poezitë e këtij vëllimi, përkthyer nga Anna Kove, kanë qenë përzgjedhur për një botim të hershëm të shtëpisë së famshme botuese gjermane “Suhrkamp”, nga Thomas Bernhard, të cilët ndanë mes tyre jo vetëm spitalet ku kaluan vite nga jeta, por edhe gjeninë e tyre letrare.

NETTA GUREVITCH, BOTUESE
DHJETË RRËFIME ME ILUSTRIME GRAFIKE PËR 7 TETORIN NË IZRAEL
Titulli: Dita kur gjithçka ndryshoi (Dhjetë histori nga 7 tetori)
Përktheu nga hebraishtja: Alban Reli
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Çmimi: 1400 lekë

Të gjitha tregimet fillojnë kështu: 7 tetor 2023, ora 6:28 dhe ndonjëherë: 6:30. Në vendbanimet e largëta, ndonjëherë mirësia zgjat pak më shumë, ndoshta edhe deri në orën shtatë.

Por në të gjitha historitë është një çast, një çast kur gjithçka ndryshon. Aty ku jeta e mëparshme ndalon dhe gjithçka kalon në një realitet të ri, të çmendur. Në shtigjet e Kibuceve, në vendstrehime, në festivalin “Nova” në “Reim”, në vendstrehimet e lëvizshme, në rrugët përgjatë Otefit, në stacionin e policisë në Sderot; kudo njëkohësisht; një çast.

“Dita kur gjithçka ndryshoi”, ku rrëfehen 10 histori të ndryshme nga 7 tetori 2023, kur u sulmua shteti i Izraelit nga grupi terrorist Hamas.

Ai është një paraqitje grafike e dhjetë rrëfimeve, ku arti i ilustrimeve fikson imazhin e njohur.

Vepra vjen e përkthyer në shqip nga Alban Reli dhe e botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.

Netta Gurevitch, Botuese

“Është vërtetë kënaqësi të vizitoj Tiranën me rastin e përkthimit në shqip të “Dita kur gjithçka ndryshoi”, një libër i botuar në Izrael një vit më parë dhe që është një antologji e një përmbledhjeje e dhjetë historive nga masakra e 7 tetorit. Është një histori e tragjedisë së Izraelit por gjithashtu e shpresës. Mbi këtë temë shkruhet në dhjetë histori individuale të treguara përmes mediumit të grafikës nga dhjetë ilustrues dhe krijues të ndryshëm. Histori të dhjetë viktimave të asaj dite por gjithashtu dhe heronjve. Historitë portretizojnë individë: burra, gra, fëmijë që përjetojnë momentet e vështira të tragjedisë së asaj dite por gjithashtu tregon për trimërinë e tyre, solidaritetin, heroizmin në përballjen me tragjedinë. Është veçanërisht domethënëse për ne që libri është përkthyer në shqip pasi ne ndiejmë që vendet dhe njerëzit tanë ndajnë përvoja historike, ndajnë ndjesinë për rëndësinë e paqes dhe shpresojnë për shërimin dhe rindërtimin dhe ngritjen nga hiri për të një ardhme më të mirë. Është nder për ne të betohemi këtu dhe urimi ynë është që historitë të shkojnë te sa më shumë lexues në Shqipëri.”

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e Vargut" vjen poetja e re Albina Roshi.

Albina Roshi u lind dhe u rrit në qytetin e Peshkopisë. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Është një nga studentet e ekselencës në letërsi.

Pasioni për letërsinë i ka lindur që në moshë të vogël me shkrime modeste për familjen, natyrën. Trajtat e vërteta, krijimi i saj i mori më pas në periudhën universitare. Ka qenë fituese e disa çmimeve letrare në poezi dhe prozë.

Dy poezi shkëputur nga libri i saj poetik me titull "Dritëhije dashnie".

Një libër i shkruar, jashtë çdo dyshimi, me dhimbje dhe forcë, me luftën mes të dyjave dhe që shënon arritjen e re të Albina Roshit në rrafshin personal dhe atë artistik.

Arti, ilaçi më i mirë i shpirtrave.

Si vullkan i groposun

Në cikla të xhamta

Kam vrapu

Me veten e humbun

T'u e vënë në lojë

Me dështu

Në të rrëpirën e territ

Kam ândrru

Me veten e lodhun

T'u e rraskapit

Me mendime të largëta

Në të njëzetë e tre-tën ditë

Të marsit

Kam kërku

Pishtarin e ndezun

Që shpejt u shu

Si vullkan i groposun

I padalun

Brenda më ka përvëlu

E llavën

Askush s'e ka shiku

Copëz kujtimi

Ti e unë

Histori e pashkruar.

Nuk i dihet filli

Kur u nis

Dashni e paepun e jona

Përqafimi i fundit

Ai ish'.

Puthja në ballë

Qerpikë që u drodhën

Si gjithmonë nga ikja

Për t'u kthyer sërish

Por, jo

Ku e dija qê ajo ish'

Lamtumira

Pse kështu jepej lamtumira?

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?