Kultura

Në Librari me tre tituj të rinj: ‘Mustaqet’, ‘I mahnitshmi Magjistari i Ozit’ dhe ‘Pas Perandoria’! Melodia e Vargut ju sjell poezinë 'Unë të kam shpikur ty'

31 Gusht, 10:21| Përditesimi: 31 Gusht, 15:31

  • Share

“Mustaqet” nga Emmanuel Carrère, “I mahnitshmi Magjistari i Ozit” nga Lyman Frank Baum dhe “Pas Perandoria” (Ese mbi dekompozimin e sistemit amerikan) nga Emmanuel Todd janë librat që sugjerojmë në rubrikën “Në librari” në Report TV.  Ndërkohë, mund të ndiqni edhe rubrikën “Melodia e vargut”.

EMMANUEL CARRÈRE, PËR HERË TË PARË NË SHQIP ME “MUSTAQET”

Titulli: Mustaqet
Autori: Emmanuel Carrère
Shqipëroi: Bashkim Shehu
Kategoria: Roman
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 1000 lekë

Duket thuajse një kapriçio, një shaka prerja e mustaqeve nga protagonisti i këtij romani angështues. Por ka shaka (Milan Kundera na mëson), që mund të kenë pasoja shumë të rënda. Dhe heroi ynë, pa mustaqe tashmë, do të projektohet befas  në një univers ankthsioz.

Bota fillon që nga ky çast t’i duket e shfazuar dhe kufiri mes realitetit dhe imagjinatës gjithnjë e më i sfumuar. Një nga të dyja: ose është i çmendur, ose është viktimë e një komploti të kobshëm të urdhëruar nga e shoqja, me bashkëpunimin e miqve dhe kolegëve për ta bindur që ai është i çmendur. Nuk ka rrugë tjetër përveçse të arratiset, sa më larg që të mundet. Do t’i bëjë punë?

Për asnjë lexues nuk do të jetë e lehtë të rimendojë për këtë libër - ku gjejmë atmosferën vizionare dhe paranojake të këtij Philip K. Dick, mbi të cilin Emmanuel Carrère ka shkruar me një finesë të shkëlqyer – pa asnjë grimë turbullimi.

 “I MAHNITSHMI MAGJISTARI I OZIT” RIVJEN NË NJË VERSION TË RI

Titulli: I mahnitshmi Magjistari i Ozit
Autori: Lyman Frank Baum
Shqipëroi: Virgjil Muçi
Kategoria: Roman
Shtëpia botuese: Albas
Çmimi: 1200 lekë

Aventura e Dorotisë e cila pasi e rrëmben uragani, kërkon si e si të kthehet në shtëpi, duke takuar personazhe të ndryshme e duke vizituar vende të jashtëzakonshme - ju paraqitet fëmijëve në një version të ri, më të thjeshtë, pajisur me mjete për të lehtësuar leximin dhe me plot imazhe mbresëlënëse, të përkthyer nga Virgjil Muçi.

Ndiqni Dorotinë dhe qenin e saj Toto në aventurën e tyre në mbretërinë e Ozit. Aty ata miqësohen me Dordolecin, Druvarin prej teneqeje dhe Luanin frikacak. Por Doroti do të rikthehet në Kansas. Prandaj ajo kërkon ndihmën e magjistarit të Ozit, por rrugës përballet me vështirësi të mëdha dhe një shtrigë të pabesë.

EMMANUEL TODD, ESE MBI DEKOMPOZIMIN E SISTEMIT AMERIKAN

Titulli: Pas Perandoria (Ese mbi dekompozimin e sistemit amerikan)
Autori: Emmanuel Todd
Përktheu: Krenar Hajdëri
Shtëpia botuese: Fan Noli
Çmimi: 1200 lekë

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëhen një problem për botën. Deri tani, ishim mësuar që tek ato të shihnim kryesisht një zgjidhje. Garantuese të lirisë politike dhe të rendit ekonomik botëror përgjatë një gjysmë shekulli, ato po shfaqen gjithnjë e më shumë si një faktor çrregullues ndërkombëtar, duke ushqyer, atje ku munden, pasigurinë dhe konfliktin.”

Kështu shkruhet në hyrjen e esesë së autorit Emmanuel Todd, “Pas Perandoria”, që ka ardhur në shqip e përkthyer prej origjinalit në frëngjisht nga Krenar Hajdëri.

Në thelb, në situatën aktuale gjëja më shqetësuese është mungesa e një modeli shpjegues të kënaqshëm rreth sjelljes amerikane. Përse "Fuqia e vetme" nuk është më, në përputhje me traditën e vendosur të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore, kryesisht babaxhane dhe e arsyeshme? Përse është ajo kaq aktive dhe destabilizuese? Mos vallë sepse është e gjithëfuqishme? Apo përkundrazi, sepse ndjen se po i ikën prej duarve bota që është në lindje e sipër?

Emmaniel Todd, lindur më 1951, është diplomuar pranë Institutit të Studimeve Politike të Parisit dhe doktoruar në fushën e historisë pranë Universitetit të Kembrixhit.

Melodia e Vargut

Sonila Strakosha

Antela Voulis

Antela Voulis ka lindur në Korçë. Ka kryer studimet e larta për gjuhë shqipe e letërsi në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe master në letërsi në Universitetin e Tiranës. Mban titullin Doktor i Shkencave në gjuhësi, marrë nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Ka një përvojë të gjatë si redaktore gjuhësore në fushën e botimeve artistike, shkollore dhe universitare.

Librin e parë me poezi, të titulluar “Ndoshta një ditë”, e ka botuar në moshën 18-vjeçare. Libri i dytë me parathënien e Dritëro Agollit, titullohet “Pranverë e harruar” Gjithashtu  ka botuar edhe dy libra gjuhësorë për mësimin e gjuhës greke.

Aktualisht jeton e punon në Pragë.

UNË TË KAM SHPIKUR TY

Unë të kam shpikur ty

Për hir të dhimbjes sime

Për hir të dhimbjes tënde

Kur jam e lodhur nga bota

Nga të gjitha kotësitë

Nuk më mbetet gjë tjetër

Veç të nisem me ty

Në fluturim si zogjtë

E qiellin ta mbushim

Me melodi prej drite

Dhe diku atje larg

Në shtëpinë e perëndive

Të duhemi edhe më shumë

Dashuria ime prej ajri e shiu

E pakrahasueshme

Me asgjë mbi dhe

Unë të kam shpikur ty

Dhe nuk kam turp

As nuk pendohem

Sepse kaq e bukur sa je

Kurrsesi nuk mund

Të jesh e vërtetë…

INDULGJENCË POETIKE

E kam përfytyruar fytyrën tënde

Kohë më parë

Zërin tënd e kam dëgjuar

Si eho në humnerë

I kam puthur shkronjat

E fjalëve të tua

Sikur të ishin trupi yt

I kam lagur me lot ato fjalë

Kur masja largësinë

Me vonesën e pranverës

Përpara se të të njihja

Dashurova një të panjohur

Që fliste gjuhën time

Hëna e kuqe e kësaj nate

Më kujton mrekullinë e universit

Si e qeshura jote në cep të buzës

Si quhesha unë para se të të njihja?

Po ti?

PESHA E SHPIRTIT

Disa gramë peshojnë flokët

Pavarësisht nga ngjyra

Apo nga thinjat

Edhe sytë po aq

Blu, të zinj, kafe a jeshilë

Trupi, mishi e kockat

Këto i dimë

Peshohen me kilogramë

Dhe gjaku me litra

Po shpirti sa peshon vallë?

Thonë 21 gramë

Pas vdekjes, thonë....

Në të gjallë, sa?

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?