Të ftuara në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka ishin një panel zonjash që folën për Tetorin Rozë, muajin sensibilizues kundër kancerit të gjirit. Pjesë e diskutimit, në një lidhje skype nga Kosova, ishte dhe Leoreta Fondaj, e cila rrëfeu betejën e saj me sëmundjen. Bisedën e nisi Drita Haxhillari, një zonjë që është përballur që herët me kancerin e gjirit, në një betejë 20 vjeçare e cila vijon edhe kësaj dite.
”Lufta ime me këtë sëmundje është shumë e hershme, ndërsa një pjesë të madhe të kohës e kam kaluar në spitalin e onkologjikut duke u trajtuar me kimioterapi, madje dhe bashkëshortin e kam njohur aty, ndaj të gjithë më thërrasin nusja e onkologjikut” tha Drita në fillim të bisedës, duke na lënë pa fjalë për forcën e madhe që shfaq.
Ajo ishte vetëm 34 vjeçe kur u diagnostifikua më këtë sëmundje, por Drita Haxhillari nuk i humbi shpresat në asnjë moment.
“Para 20 vitesh, me mësimin e diagnozës nga mjekët, jeta ime mori një tjetër kthesë. Vazhdoj me betejën time si një kalorëse, jam duke luftuar dhëmbë për dhëmbë me këtë sëmundje dhe shpresoj se do t’ia dal” shprehet ajo me buzëqeshjen që nuk i largohet për asnjë moment nga fytyra.
Në studion e “Rreze Dielli” psikologia Tana Aliaj, tregon rëndësinë e këshillimit psikologjik, e cila ofrohet falas nga YWCA Albania për gratë e prekura nga kanceri dhe familjarët e tyre.
”Falë këshillave psikologjike dhe mbështetjes, shumë zonja kanë ardhur në qendrën tonë, ndërsa kemi vënë re se nga viti në vit ka një sensibilizim të tyre, kjo dhe falë punës së mediave. Duke iu referuar situatës aktuale, vajzat dhe gratë me kancer në gji, janë konsideruar si një grup në rritje. Frika nga e panjohura, ankthi, depresioni, i mbivendosen sëmundjes së kancerit së gjirit, duke rritur predispozitën për shfaqje të problemeve të lidhura edhe me mirëqenien psikologjike” shtoi ajo, duke theksuar se falë këshillave psikologjike në linjën falas, shumë gra kanë mundur të shpëtojnë.
Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin në kohë, në studion e ‘Rreze Dielli’ nëpërmjet një lidhje skype nga Kosova, Leoreta Fondaj jep një mesazh për të gjithë vajzat dhe gratë. Leoreta Fondaj është një nënë e re nga Kosova që e ka fituar betejën e saj me kancerin e gjirit. Ajo është nga Komuna e Suharekës, ndërsa në studio dha dëshminë personale të luftës së saj me kancerin e gjirit, duke ia dalë. 41 vjeçarja u diagnostikua me kancer gjiri përpara katër viteve, jeta e saj nga ai moment ndryshoi përgjithmonë.
”Jeta ime ishte shumë normale katër vite më parë, derisa një ditë ndjeva një dhimbje krahu kur po stërvitesha në palestër, bëra menjëherë një vizitë shëndetësore ku zbulova se vuaja nga kanceri i gjirit. Më parë merresha me fitnes, ushqehesha shëndetshëm, por mesa duket kjo sëmundje paska qenë e pashmangshme, pasi kam disa familjar që kanë patur këtë problem, pra është genetike” shtoi ajo, duke treguar se vështirësia e parë ishte që të fliste me fëmijët e saj për këtë problem.
”Vendosa që të bëhesha e fortë duke dalë hapur me të vërtetën, kam punuar shumë me ta për pjesën psikologjike, ata ishin motivi dhe forca ime për të ecur përpara në atë rrugëtim të vështirë” tha Leoreta në lidhje direkte nga Kosova, e cila duket se e ka fituar këtë betejë të vështirë, ndërsa ndjek rregullisht kontrollet rutinë çdo gjashtë muaj.
E pyetur nga moderatorja sesi e sheh tani jetën, ajo u shpreh: “Jeta ima ka ndryshuar plotësisht, i kam kuptuar vlerën jetës dhe gjërave të thjeshta, ndërsa forca ime është familja dhe njerëzit e dashur”, duke dhënë kështu mesazhin se paçka çdo gjëje, forca më e madhe vjen vetëm nga familja.