Sociale
Drejt Punës

Në majat e gastronomisë italiane, shefja e kuzhinës Silvana Musej: Si u bëra pjesë e Rai 2, Report Tv "porta" e suksesit

11 Qershor, 15:35| Përditesimi: 11 Qershor, 16:42

  • Share

Një gatim tradicional i përgatitur në studion e Rreze Dielli në Report Tv, më 12 maj 2023, ishte vetëm hapi i parë i nisjes së karrierës së Silvana Musejt si shefe kuzhine në një nga televizionet më të mëdha në Itali.

“Ata që merreshin me organizimin e emisionit në RAI kishin gjetur në YouTube emisionin ‘Rreze Dielli’, dhe ky emision është paksa shkaku që unë u përzgjodha në Rai Due mes shumë kandidateve, pasi panë elokuencën time me kamerat”, shtoi Silvana në studio, duke treguar sekretin e saj se kush u bë shkas për të nisur një karrierë televizive.

Ajo sapo ka përfunduar sezonin televiziv në Rai Due në Itali si shefe kuzhine në emisionin e mëngjesit.

2 vite më pas, shefja e mirënjohur e kuzhinës në Itali, Silvana Musej rikthehet në studion e “Rreze Dielli” me moderatore Androniki Kolka.

Në Tiranë e solli projekti “Bukë e zemër”, ku shefat shqiptarë më të mirë të gatimit përgatitën pjata interesante për arkitektë nga e gjithë bota, që u mblodhën në kryeqytetin shqiptar.

“Ideja e projektit ishte që të bënte bashkë shefat shqiptarë të kuzhinës në botë dhe jo vetëm, për të ndarë eksperiencat gastronomike”, tha Silvana në fillim të bisedës në studio, duke shtuar se ky event solli ushqimin, traditën dhe produktet shqiptare nga Shefat më me emër.

E talentuar, e suksesshme, me një përvojë 25-vjeçare në gastronomi, Silvana Musej është kthyer në një ndër emrat më të lakuar të kuzhinës italiane nga Sanremo në Kanë e deri në Bruksel, ajo ka marrë vlerësimet më të larta profesionale nga shumë personalitete ndërkombëtare, brenda dhe jashtë Italisë. Aktualisht, Silvana jeton në Piemonte, ku ushtron profesionin e shefes së kuzhinës në restorantin “Relais Cuba Chocolat”, në fabrikën e çokollatave të famshme “Venchi 1878” dhe “Lady Chef”. Falë talentit dhe punës, është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare ku ka marrë dy medalje të argjendta në konkurse kombëtare, si dhe është vlerësuar disa herë si kampione rajonale. Me punën e palodhur dhe karakterin energjik, Silvana nuk e ndjen kurrë lodhjen, pasi çdo gjë e bën me dëshirë e pasion. Ndonëse fillimisht ëndërronte të ishte pjesë e botës së modës apo psikologjisë, fati kishte planifikuar një tjetër destinacion për të.

Edhe pse kuzhina tashmë është identiteti i saj, Silvana njihet edhe për marrëdhënien e ngushtë që ka me modën, duke qenë pjesë e rreshtave të parë në pasarelat e emrave më të njohur në këtë industri. Sot ajo ka arritur të depërtojë thellë në zemrat dhe shqisën e shijimit të një klientele të përzgjedhur botërore, dhe sekreti i saj është integrimi i detajeve të kuzhinës shqiptare me atë italiane. Për ekspertët, ajo nuk është vetëm një ekzekutuese e recetave, por një magjistare e shijeve që ndërthur recetat lokale me traditat shekullore. 

MC/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?