Shkodër- Dy persona janë arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi në makinat e tyre gjetën armë me silenciator dhe benzinë.
Blutë informojnë se fillimisht gjatë patrullimit kanë konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi” një motor që lëvizte me shpejtësi dhe i kanë bërë shenjë ndalimi.
Por, 32-vjeçari Mikelian Toma, i cili drejtonte motomjetin dhe 34-vjeçari David Simoni, pasagjer, nuk iu bindën urdhrit të Policisë duke u larguar.
Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar motomjetin, duke vendosur në pranga dy të rinjtë.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se targa e motomjetit me të cilin ata lëviznin ishte vjedhur në Tiranë dhe motomjetit i ishte ndryshuar numri i shasisë.
Si provë materiale u sekusestruan motori, 2 automjete, 1 bidon me lëndë djegëse, 1 silenciator dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Njoftimi i policisë:
Gjatë patrullimeve në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi”, një motomjet që lëvizte me shpejtësi dhe i kanë bërë shenjë ndalimi.
Drejtuesi i motomjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar këtë motomjet me drejtues shtetasin Mikelian Toma, 32 vjeç, banues në fshatin Beltojë, dhe pasagjer shtetasin David Simoni, 34 vjeç, banues në fshatin Bërdicë.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se targa e motomjetit me të cilin ata lëviznin ishte vjedhur në Tiranë dhe motomjetit i ishte ndryshuar numri i shasisë. Gjithashtu, janë kryer kontrolle në automjetet e 2 shtetasve, ku janë gjetur një bidon me lëndë djegëse, një silenciator dhe një sasi Kokaine.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 motomjet, 2 automjete, 1 bidon me lëndë djegëse, 1 silenciator dhe një sasi lënde narkotike Kokainë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Komente
