Kryeministri i Mali të Zi, Dritan Abazoviç, konfirmoi të mërkurën në rrjetin social Telegram se është nënshkruar Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, e cila parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Pa paralajmërim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve, mëngjesin e së mërkurës në Podgoricë ka mbërritur patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periç.
Vila Shtetërore "Gorica", ku u nënshkrua Marrëveshja Themelore, ndodhet nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Bllokada policore e rezidencës shtetërore “Vila Gorica” në Podgoricë para nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore më 3 gusht.
Një pjesë e mazhorancës qeverisëse, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se Marrëveshja Themelore është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi, nuk është në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze. Kryeministri Dritan Abazoviç hodhi poshtë po ashtu, kundërshtimet e paraqitura nga organizatat joqeveritare, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Malit të Zi dhe institucionet e tjera për versionin e Marrëveshjes Themelore. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviçit, e cila njoftoi se sot do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit.
“Marrëveshja e nënshkruar sot, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi, do të pezullohet menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re“, thuhet në njoftimin e DPS-së.
DPS-ja e Gjukanoviçit, si partia më e madhe në Parlament, deri më tani e ka mbështetur Qeverinë pakicë të Dritan Abazoviçit. Ajo, gjithashtu, ka dhënë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për funksionimin e saj.
Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar më 8 korrik Marrëveshjen Themelore. Qeveria e Malit të Zi nuk e ka publikuar zyrtarisht datën e nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviç ka mohuar informacionet jozyrtare se nënshkrimi është caktuar për 3 gusht. Edhe opinioni profesional kishte vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes. Më 1 gusht, kryeministri Abazoviç refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi dhe institucioneve të tjera.
Marrëveshja Themelore që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi parasheh një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla. Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi./REL
Tani pas Malit të zi radha e fashizmit sllavo kishtar ështé në Shqipëri. Edvin shkjau shqipfolës do e dorzoi Shqipërin në duart serbe pa luft ! Kush është ky njeri që nuk as edhe një piké gjaku shqiptarë që e vret Shqipërin për qdo ditë gjersa një ditë do e fundos të tëren ?! A ka shqiptarë ky vend i bekuar…?
Përgjigju