Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet.
Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë?
Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri.
As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!
Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Gjashtë vetë, të veshur si të huaj e duke folur në gjuhën e Dantes, arritën të mashtrojnë policin e shërbimit e të hyjnë në ambasadën italiane duke u hequr si turistë. (Thuhet se polici në fjalë, kish patur një çast hezitimi, por nuk i pat ndaluar të kalonin matanë portës së madhe prej hekuri). Të gjashtë turistët, të cilët ishin shqiptarë, kërkuan menjëherë strehim politik dhe i deklaruan ambasadorit italian se, ata kishin me vete një sasi helmi shumë të fortë të cilin nuk do të hezitonin ta përdornin, po qe se ai i dorëzonte në duart e Sigurimit të Shtetit…!
Ata ishin të moshave nga 40-60 vjeç, vëllezër e motra të familjes Popa, bij të një ish – farmacisti me emër nga qyteti i Durrësit. Dy prej pjesëtarëve të asaj familje, fill mbas çlirimit, kishin mundur të arratiseshin. Por, për atë krim e kish pësuar pjesa tjetër e saj. Ajo ish internuar dhe qe cilësuar armike. Në kushtet e jetës çnjerëzore e në mizerje të plotë, asnjëri prej tyre s’kish marrë guximin të martohej e të krijonte familje. Kështu që, të gjithë, kishin mbetur beqarë…!
Një ditë, veçmas nga njëri-tjetri për të mos në sy, ata qenë larguar nga fshati ku banonin e ishin nisur në drejtim të Tiranës. Me të mbërritur aty, kishin lenë takim të ndodheshin në një orë të caktuar, jo larg ambasadës italiane. Qëllimi: zbatimi i planit të menduar prej kohësh. Pra, hyrja në ambasadë dhe kërkimi i azilit politik në territorin e saj. E, pastaj, kërkesa për të dalë prej saj, të vdekur ose ndofta, të gjallë, drejt …Italisë.
Ngjarja, shkaktoi një tërmet “shtatë ballësh” jo vetëm në Tiranë, por dhe në gjithë vendin. Një gjë e tillë nuk kish bërë vaki e askujt nuk i kish shkuar në mendje kurrë. Pas kësaj, njerëzit prisnin ç’do ndodhte. Udhëheqja shqiptare e cilësoi incidentin jashtëzakonisht të rendë e pa precedent. Pak orë mbas njoftimit për futjen e shtetasve shqiptarë në ambasadë, territori i saj u rrethua me mbi 600 policë. Po atë mbrëmje, televizioni italian e transmetoi lajmin, duke e cilësuar ngjarjen shkak të mundshëm për krizë diplomatike mes dy vendeve.
Nga çasti në çast pritej që, për nxjerrjen e të arratisurve në ambasadë, të ndërhyhej me forcë. Opinioni publik në kryeqytet, në përgjithësi, ishte i bindur se ajo gjë do të ndodhte e qe vetëm çështje orësh. Partia, natyrisht, s’do lejonte absolutisht asnjë alternativë tjetër. Ndryshe, ajo do të kish pasoja të renda për vetë vijën dhe prestigjin e saj. Nga ana tjetër, në se pjesëtarët e familjes Popa do të lejoheshin të dilnin nga Shqipëria, ishte e natyrshme që episode të tilla do të përsëriteshin edhe në ambasada të tjera.
Jo! Jo! Alternativë tjetër nuk kishte.
Shteti do të demonstronte forcën e vetëm forcën…! Tensioni qe në kulm…! Ambasadori italian Gentile, mbas kërkesës së ashpër, kategorike e kërcënuese të palës shqiptare, refuzoi t’i dorëzojë gjashtë të arratisurit. Por, megjithatë, ai u dha urdhër rojeve italiane që, në rast sulmi nga policia shqiptare, të mos bënin asnjë rezistencë. Në fakt, ai edhe besonte edhe s’besonte në mundësinë e një alternative të tillë. Më tepër, i druhej ndonjë sulmi spontan popullor, të organizuar nga policia sekrete të cilët mund të hynin brutalisht në territorin e ambasadës për të nxjerrë jashtë tradhtarët.
Megjithatë, në ditët që pasuan, asgjë e tillë s’ndodhi. Autoritetet, nëpërmjet një note të Ministrisë së Jashtme, i benë të ditur z. Gentile se, incidenti qe tepër i rendë e se do kish pasoja të papëlqyeshme gjer në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
(Sipas disa burimeve, në gjirin e Byrosë Politike e cila përbëhej prej 13 anëtaresh, 6 prej tyre kishin mbështetur fuqimisht variantin e një ndërhyrje me forcë në ambasade. Pra, sulmi dhe nxjerrja forcërisht e pengjeve prej saj, qe evituar vetëm për një votë…!)
Por, prapë, ambasadori italian vazhdonte të mos besonte se një gjë e tillë mund të ndodhte. Siç dukej, ai gjykonte se në fund të fundit, shteti shqiptar me gjithë autoritarizmin e tij prepotent, nuk do nxitonte të gabonte duke demonstruar forcën e armët. Një veprim i tillë do shkaktonte reagimeve ndërkombëtare. Nga ana tjetër, në gjendjen e rendë e tepër të vështirë ekonomiko-politike ku ndodhej vendi, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Italinë, nuk do të qe një vendim i cili mund të merrej me lehtësi.
Po, kish edhe diçka tjetër, e cila luajti rol të madh pengues në mundësinë e aplikimit të forcës e që ndikoi gjithashtu në mënjanimin e krizës. Ambasada, s’ndodhej në tokë shqiptare, por në territorin e një vendi tjetër. Për këtë, italianët i paguanin çdo vit e rregullisht qiranë pronarit të saj të vjetër, të cilët ishin pikërisht…SHBA-ës. (Ata ia kishin blerë tokën shtetit shqiptar sipas konventave ndërkombëtare qysh gjatë Mbretërisë së Zogut të I-rë).
Kështu që, duke sulmuar ambasadën italiane, shteti shqiptar uzurponte me forcë një pjesë të territorit të SHBA-ës. Për një shaka të tillë, pavarësisht nga egërsia e frazeologjisë kundër SHBA, as që mund të bëhej fjalë. Faktikisht, në rrethana të tilla, autoritetet shqiptare s’bënë asnjë tentativë për ushtrim force, por ndryshuan taktikë e vunë në veprim dhelpërinë. Kështu, një ditë, papritur, ambasadori italian u thirr në Ministrinë e Jashtme ku u njoftua se qeveria e vendit të tij, sa kish njoftuar se qe dakord e jepte pëlqimin për dorëzimin e kriminelëve.
Tani, pengesë për mbylljen e incidentit, mbetej vetëm ambasadori i cili me kokëfortësinë e tij, qe bërë shkaktari kryesor në tensionimin e marrëdhënieve të mira shqiptaro-italiane. Por, dredhia qe tepër e trashë dhe, ambasadori Gentile, u rezervua duke mos bërë asnjë veprim e duke deklaruar se do të qëndronte në pritje të konfirmimit të lajmit nga Farnesina (Ministria e Jashtme në Romë).
Edhe mbas atij dështimi, shteti shqiptar vazhdoi të mbajë në fuqi tensionin dhe gjendjen e jashtëzakonshme përreth ambasadës. Gjatë gjithë asaj periudhe, ajo mbeti vazhdimisht e rrethuar me policë, civilë të Sigurimit si edhe furgonë me aparatura që përgjonin bisedat telefonike të diplomatëve. Më larg saj, një duzinë veturash po të Sigurimit, qëndronin të parkuara përgjatë trotuarit, i cili qarkonte ambasadën italiane dhe atë franceze.
(Natyrisht, ajo pamje rrethimi luftarak, nuk i jepte ndonjë imazh të bukur kryeqytetit shqiptar. Shoqëruesit e grupeve të pakta turistike të cilët kalonin në Rrugën e “Elbasanit”, ishin udhëzuar që me çdo kusht t’u tërhiqnin vëmendjen turistëve, në mënyrë që ata të mos i hidhnin sytë nga rezidenca e ambasadës italiane që i ngjante një fortese të rrethuar nga të katër anët) Gjatë asaj periudhe, – kujton një diplomat i huaj – në një darkë zyrtare, zv/ministri i Punëve të Jashtme, Sokrat Plaka, duke i renë me grusht tavolinës ku kish zënë vend, tha me inat e zë të lartë: Edhe sikur, ata njerëz që janë strehuar aty të rrojnë njëqind vjet, ne do ta mbajmë të rrethuar ambasadën italiane, po për njëqind vjet…!
Më pas, ambasadori italian kish marrë një letër të shkruar në mënyrë vullnetare nga një grup qytetaresh të Tiranës, të cilët i shkruanin se ishin të indinjuar nga mbrojtja që ai u bënte rrugaçëve tradhtarë. Natyrisht që, edhe ajo tentativë e ideuar nga Sigurimi, nuk bëri asnjë efekt. Pas kësaj, hyri në veprim shtypi i cili nisi nga kërcënimet duke e akuzuar ambasadorin Gentile direkt, si një person me të kaluar fashiste.
Por, megjithatë, nga ajo situatë plot tensione, në fund ishin italianet që dolën të fituar. Vetë ambasadori, i kish treguar një kolegut të tij në konfidencë se, tek kalonte para dyqanit të vetëm ku psonisnin diplomatët, shpesh herë ish ndeshur me të rinj që i thoshin me zë të ulët: Viva Italia…!
Sigurisht që, në rrethanat e krijuara, çdo diplomat italian gjurmohej ngado që shkonte. Kur ecte me makinë, biçikletë apo në këmbë. Kështu, sa herë që dilnin nga ambasada, veturat e tyre kontrolloheshin imtësisht, fill mbasi kalonin pragun e saj. Më pas, pa bërë as dyqind metra, të tjerë policë e civilë, përsëritnin po të njëjtën gjë. Natyrisht që, në ato kushte, italianeve u duhej të ruanin vazhdimisht durimin e gjakftohtësinë, për të evituar ndonjë incident të mundshëm e me pasoja.
…Katër motrat e dy vëllezërit Popa, u strehuan për më tepër se katër vjet në dy dhoma të vogla të ambasadës italiane. Në fillim, ata ishin plot shpresa, por më vonë, kur puna e tyre nuk s’gjente zgjidhje, ata u trembën se mos i dorëzonin. Por, edhe kur u siguruan se do ishin vazhdimisht nenë mbrojtjen e shtetit italian, ata rrojtën me frikën se një ditë njerëzit e Sigurimit do të arrinin t’i rrëmbenin ose, në të kundërtën, do të vdisnin aty të mbyllur si në burg, pa e provuar kurrë lirinë e ëndërruar.
Gjatë asaj periudhe, nga frika, asnjë prej tyre s’guxonte të dilte qoftë edhe për pak çaste jashtë pragut të shtëpisë a në kopshtin e ambasadës. Ata druheshin se mund të goditeshin së largu prej ndonjë snajperi. Kur, në majin e vitit 1990, fill mbas vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, qeveria shqiptare dha lejen për largimin e tyre drejt Italisë, fati i familjes Popa pothuajse qe harruar krejtësisht.
Ishte koha kur ngjarjet në vend po precipitonin dita-ditës. Regjimi komunist po jepte grahmat e tij të fundit…! Memorie.al