Në mes të pandemisë Covid-19, Maqedonia e Veriut sot zhvillon zgjedhjet e parakohshme parlamentare

15 Korrik 2020, 09:16| Përditesimi: 15 Korrik 2020, 15:00

  • Share

Sot në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dhjetat që nga pavarësia e vendit dhe zgjedhjet e pesta të parakohshme. 

Teksa po mbahen në një situatë të rënduar pandemie në vend, ato ishin planifikuar të mbaheshin më 2 prill, por u shtynë pikërisht për shkak të rrethanave të shkaktuara nga Covid

Mbi 1 milion e 814 mijë votues janë në regjistrin zgjedhor në shtetin me rreth dy milionë banorë, ku censusi i fundit është bërë para 18 vjetësh dhe numri i lartë i votuesve të regjistruar ka qenë temë debati prej vitesh.

Që nga janari në Maqedoninë e Veriut është në detyrë një qeveri teknike e drejtuar nga Oliver Spasovski, një rregull i përcaktuar nga ajo që njihet si “Marrëveshja e Përzhinës”, e cila parashikon që tre muaj para zgjedhjeve largohet kryeministri i zgjedhur për t'i lënë vendin një qeverie teknike me kryeministër zakonisht nga e njëjta parti fituese dhe dy vende ministrash e po aq zëvendës-ministra i lihen opozitës.

Të hënën dhe të martën kanë votuar personat e prekur nga COVID-19, personat në izolim, si dhe të burgosurit. Autoritetet shëndetësore kanë garantuar një proces të sigurt për të gjithë për sa i përket kushteve shëndetësore, si për anëtarët e komisioneve ashtu edhe për votuesit, ndonëse shifrat e të prekurve dhe të viktimave nga koronavirusi nuk kanë shënuar rënie që prej disa javësh.

Maqedonia e Veriut është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore, ku nga secila dalin nga njëzet deputetë për në parlament dhe teksa në garë janë 15 parti politike dhe koalicione, me gjithsej 1578 kandidatë.

 

Drejtuesit politikë shqiptarë kandidojnë në zonën e gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin, një pjesë të Kërçovës e të Dibrës. 

Të gjitha partitë shqiptare së bashku kanë patur 20 deputetë në përbërjen e fundit të parlamentit dhe dy të tjerë nga radhët e Lidhjes Social Demokrate, e cila fitoi dhjetra mijë vota të shqiptarëve në zgjedhjet e vitit 2016.

Përveç partive ‘Aleanca për Shqiptarët’ dhe ‘Alternativa’, të cilat janë në koalicion të përbashkët dhe që garojnë me moton “Për kryeministrin e parë shqiptar” me ish-politikanin Naser Ziberi për në këtë post, të tjerat garojnë veç e veç, kurse ‘Lëvizja Besa’ është bërë pjesë e koalicionit me ‘Lidhjen Social Demokrate maqedonase’ që përmbledh brenda vetes rreth njëzet parti të vogla e entitete politike.

Analistët politik nuk parashikojnë ndonjë rritje të konsiderueshme të numrit të ligjvënësve shqiptarë në zgjedhjet e sotme për shkak të përçarjes së partive të tyre që, sipas tyre çon edhe drejt defaktorizimit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Sondazhet e organizatave amerikane IRI dhe NDI të para pak javëve nxjerrin LSDM-në si partinë me mbështetjen më të madhe në këto zgjedhje, por vetëm me 1 deri në 2 përqind më shumë ndaj rivales konservatore VMRO-DPMNE. 

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev në disa raste është shprehur se nuk do të bëjë koalicion qeveritar me ‘Bashkimin Demokratik për Integrim’ apo ndryshe BDI-në e Ali Ahmetit, teksa zyrtarët e kësaj të fundit kanë theksuar më tepër se një herë preferencën për ta vazhduar koalicionin qeverisës me social-demokratët maqedonas.

Procesi i sotëm zgjedhor po vëzhgohet nga 98 përfaqësues të ODIHR-it dhe qindra vëzhgues të tjerë të organizatave joqeveritare vendase.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?