Në 'Metropol' për 'Me këndu Zërin'! Robert Bisha bën bashkë artistë shqiptarë e italian për tri net: Tradita muzikore e dy vendeve dhe eksperimentimet me vokalin

6 Tetor 2023, 15:28| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 20:57

  • Share

“Me këndu zërin”, në teatrin “Metropol” muzika bëri bashkë artistë shqiptarë e italianë. Përshtatjen e emërtimit të Festivalit që zgjat tri net, drejtuesi artistik, muzikanti Robert Bisha, e shpjegon si prej Shkodre. 

“Festivali ‘Me këndu zërin’, më falni nëse kam përdorur paskajoren, por e kam përzemër, dhe ndoshta duhet ta përfshijmë pak (qesh), dhe besoj se është ajo çka e përshkruan më së shumti çka është ky festival, pra ‘Me këndu zërin’, nuk do të thotë vetëm me këndu, por ndoshta me ngacmu zërin, me e gërvisht, me u ndalë pak te ndonjë frazë e vogël, qelizë e vogël, me eksperimentu në këtë mënyrë”, thotë kompozitori dhe poliinstrumentisti Robert Bisha, drejtor artistik i Festivalit.

Ndërsa drejtori i Institutit Italian të Kulturës, ndalet tek inspirimi në albumin ‘Cantare la voce’ të këngëtarit italo-grek Demetrio Stratos,

“Vendosëm ta quajmë këtë Festival, dedikuar vokalitetit “Me këndu zërin” në homazh të një këngëtari italian shumë të rëndësishëm, në historinë e muzikës rock italiane, që quhej Demetrio Stratos dhe ka qenë një nga eksperimentuesit më të mëdhenj të muzikës pop dhe rock, mbi temën e zërit”, shpjegon drejtori i Institutit Italian të Kulturës, që mbështet festivalin,  Alessandro Ruggera .

Mbrëmja e parë e festivalit, ka të ftuar kantautoren italiane Ilaria Pilar Patassini.  I dedikohet krijimtarisë së kompozitorit italian të ‘900-ës Luciano Berio-s, i cili mori më të mirën nga muzika tradicionale italiane, duke e përpunuar e përshtatur në kohë.

E shoqëruar nga ansambli i Orkestrës së Forcave të Armatosura Shqiptare, kitaristi Federico Ferrandina dhe në piano nga Robert Bisha, Patassini performon ciklin Folk Songs të kompozuar në ’64-ën...

Këndohen edhe këngë tradicionale shqiptare të rishikuara nga artistët.

“Ideja e këtij Festivali ishte pikërisht kjo, jo vetëm të bënim bashkë traditën muzikore shqiptare dhe atë italiane, por edhe momente të ndryshme të zhvillimit të tyre, traditën klasike, të kultivuar si ajo e Folk Song i Berios, por edhe traditën popullore.”, thotë Ruggera.

Festivali ‘Cantare la voce’ vijon deri të shtunën, me të tjerë të ftuar si John De Leo Trio, Nicola Scaldaferri dhe performancën ‘Frymë’ të Robert Bishës dhe Korit Iso Polifonik.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?