Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për “rezistencë” ndaj vendimit për targat

13 Nëntor 2022, 13:25| Përditesimi: 13 Nëntor 2022, 13:22

  • Share

Në Mitrovicën e Veriu të dielën, më 13 nëntor, u shfaq një mesazh i ri nga e ashtuquajtura “Brigada Veri”, përmes së cilit u bë thirrje për "rezistencë" nga 21 nëntori, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se do të nisë gjobitjen e shoferëve që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, thuhet në grafitet që janë shfaqur në Mitrovicë të Veriut.

Grafitet me ngjyrë të kuqe, të kaltër dhe të bardhë u panë në qendër të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës – pranë monumentit të Car Llazarit, sheshit kryesor të qytetit dhe në rrugën Krajl Petra.

Fotografitë e këtyre grafiteve janë publikuar edhe në faqen në Instagram të titulluar “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Kjo nuk është hera e parë që në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite. Në gusht, në rrugët e këtij qyteti u shfaq grafiti me mbishkrimin: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu. Po ju presim, Brigada e Veriut”.

Dallimi mes grafiteve të gushtit dhe të 13 nëntorit është se në mesazhe është nënshkruar “Brigada Veri” dhe jo siç ishte më herët “Brigada e Veriut”.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Kryesisht bëhet fjalë për targat KM, akronim serb për Mitrovicë e Kosovës.

Plani i Qeverisë është që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa RKS, Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e parë parasheh lëshimin e qortimeve për drejtuesit e automjeteve me targa serbe. Faza e dytë nis më 21 nëntor dhe parasheh gjobë prej 150 eurosh për këta shoferë. Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese, ndërkaq pas 21 prillit, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Por, pavarësisht largimeve të serbëve nga institucionet, përfshirë nga policia, gjykata, prokuroria, Kuvendi, Qeveria dhe institucionet e tjera, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 7 nëntor se puna e institucioneve të Kosovës në veri po vazhdon.

Kurti tha se ditëve të fundit janë shtuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, për të destabilizuar situatën në Kosovës, duke shtuar se kërcënimet ndaj qytetarëve po bëhen “për të mbjellë frikë dhe panik”.

Që nga 5 nëntori, kur serbët nisën largimin nga institucionet e Kosovës, në veri nuk shihen policë në rrugë, përveç makinave të patrullimit që herë pas here shihen nëpër qytete.

Besohet se në veri të Kosovës janë afër 10.000 makina me targa serbe, të cilat Kosova i konsideron ilegale./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?