Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e lëkurës flet dermatologia: Ja cilat janë nishanet problematike dhe kur duhet të shqetësoheni

9 Maj 2023, 13:50| Përditesimi: 9 Maj 2023, 14:14

  • Share

E ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte mjekja dermatologe Brunilda Bardhi, e cila foli për muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të lëkurës.

”Forma më e shpeshtë e kancerit të lëkurës është melanoma dhe është një fenomen që po e hasim shpesh e më shpesh” e nis kështu bisedën mjekja dermatologe në studio. Sipas saj, është zgjedhur Maji si muaji i ndërgjegjësimit pasi është dhe koha kur njerëzit dalin dhe ekspozohen ndaj rrezeve të diellit, gjë që i çon në një risk më të madh të kancerit të lëkurës. ”Rrezet e diellit janë faktorët që stimulojnë apo ndikojnë në shpërthimin e një nishani, që më vonë mund të japë kancer lëkure” tha mjekja në studio.

”Ne si mjek dematolog shpesh themi që mbrojini fëmijët që në moshë të hershme, pasi rreth 80% e dëmtimit të lëkurës që shkakton melanomë, ndodhin nga fëmijëria e hershme deri në moshën e adoleshencës” shtoi dermatologia. Ndërsa tha se kjo  është aryesja që mjekët këshillojnë prindërit kur ekspozojnë fëmijët buzë detit, që të bëjnë një “dalje të zgjuar”, sidomos në orët e forta të diellit. ”Ne u themi shpesh pacientëve që doktori më i mirë i vetes, je ti vetë, ndaj në verë duhet të shohin të gjithë ndryshimet që bëhen në trupin e tyre tek nishanet, teksa ekspozohen në plazh”  theksoi Bardhi. Sipas saj, pacientët duhet të jenë të kujdesshëm tek forma, ngjyra apo lëngëzimi i nishaneve, pasi dielli ka tendencë të amplifikojë problemet, duke shkaktuar melanomën”.

Tre format e kancerit të lëkurës janë: Bazocelular, Spinocelular dhe melanoma e cila është më agresive, shtoi mjekja gjatë bisedës, duke bërë një apel të fortë se shpesh njerëzit nga padija, mund të rrezikojnë jetën nga metastazat e melanomës. “Pacientët duhet të shohin disa elementë të nishaneve të tyre, së pari ngjyrën, konturet apo përmasat, pasi çdo element tregon që ka komplikacione në trupin tonë”. Mjekja tha se në varësi të madhësisë së nishanit dhe pozicionit anatomik ku ndodhet, pacienti duhet të drejtohet tek mjeku dermatolog sa më parë, në mënyrë që të parandalojë të keqen më të madhe, duke e kuruar problemin.  

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?