Foto ilustruese

Ekonomi

Në muajin e zgjedhjeve konsumi u rrit! INSTAT: Inflacioni arriti në nivelin 1.9%, shifra më e lartë që prej tetorit 2020

10 Maj 2021, 16:37| Përditesimi: 10 Maj 2021, 16:39

  • Share

TIRANË- Shpenzimet për zgjedhjet e 25 prillit si dhe lëvizjet e qytetarëve për pushime si pasojë e temperaturave të favorshme kanë dhënë efektet e para në rritjen e konsumit. Pas një rënie drastike në muajin janar, ku inflacioni regjistroi nivelin më të ulët historik prej 0.4%, në muajin prill të këtij viti sipas raportit të INSTAT inflacioni arriti në 1.9%, aq sa ishte në kohën e karantinës në vitin e kaluar. Inflacioni në prill regjistroi vlerën më të madhe që nga muaji tetor 2020 kur ai ishte 2%. Ndikim kryesor në rritjen e inflacionit ka dhënë shtrenjtimi i ushqimeve me 4.5% krahasuar me prillin e vitit 2020. 

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 10,2 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyra” me 4,6 %, “fruta” me 4,4 %, “peshk” me 2,5 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 1,9 %, “bukë dhe drithëra” me 1,8 %, “mish” me 1,2 %, etj”, thuhet në raportin e INSTAT.

Më pas është grupi i “Komunikimit” me rritje të çmimeve me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,8 %. Më pas është kategoria e “Mobilieve, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,6 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Transporti” me 0,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. 

Ndërkohë nëse krahasojmë çmimet me muajin mars 2021, shtrenjtimi më i madh është regjistruar tek grupi “Argëtim dhe kulturë” me 2,1 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 1,3 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,4 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 % secili. 

Nga ana tjetër sipas INSTAT çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupi “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,5 %.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?