Kisha Katolike do të organizojë një meshë të veçantë në nderim të Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Mesha e Dritës do të mbahet sot, në orën 18:00, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, si një akt lutjeje dhe mirënjohjeje për jetën dhe shërbimin e Papës, që për vite me radhë udhëhoqi Kishën Katolike me përvujtëri, dashuri dhe frymë ungjillore.
"Me këtë rast, ju ftoj juve, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e të gjithë ju besimtarë, të përqendrojmë lutjet dhe kremtimet Eukaristike për shpirtin e tij, duke falënderuar Zotin për zërin e tij kumbues në shpalljen e Ungjillit si dritë rrezatuese e Krishtit, Bariut të Mirë, nga Selia e Pjetrit, për mbarë botën!", thuhet në njoftimin nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj.
Njoftimi i plotë:
Të dashur meshtarë, motra dhe gjithë ju besimtarë të Popullit të Zotit në Tiranë-Durrës dhe njerëz vullnetmirë,
Në këtë ditë në të cilën Kisha kremton të Hënën e Pashkës së Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishti, Hyji i çdo mirësie ka dashur të thërrasë pranë Vetës Bariun e Kishës Universale, të Emblin Krisht mbi Tokë (cit. Shenjta Katerina nga Siena), Papa Françeskun.
Me këtë rast, ju ftoj juve, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e të gjithë ju besimtarë, të përqendrojmë lutjet dhe kremtimet Eukaristike për shpirtin e tij, duke falënderuar Zotin për zërin e tij kumbues në shpalljen e Ungjillit si dritë rrezatuese e Krishtit, Bariut të Mirë, nga Selia e Pjetrit, për mbarë botën!
Veçanërisht ju ftoj të gjithëve, që të kremtojmë së bashku sot në mbrëmje në orën 18:00, Meshën e Dritës, për Papa Françeskun, në Katedralen e Shën Palit.
Ati, Hyji i Mëshirshëm që në provaninë e Tij, na dhuroi Papa Françeskun dhe sot e thirri pranë Vetës, i dhëntë atij shpërblimin e të drejtëve dhe neve ngushëllimin dhe Hirin e Shpirtit të Shenjtë.
Virgjëra Mari, Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtoreja e popullit tonë dhe ndërmjetësimi i së Shenjtës Nënë Tereza dhe i të Lumit Vinçens Prenushi dhe Martirëve Shqiptarë, qofshin ngushëllimi i tij.
Imzot Arjan Dodaj
Arqipeshkëv Metropolit Tiranë - Durrës
Njoftimi i Imzot Arjan Dodaj
Komente
