Në ndjekje penale sepse manipuluan rezultatin e 25 prillit, Report Tv zbulon emrat e 21 numëruesve të kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës! Rrezikojnë deri në 5 vite burg

22 Dhjetor 2021, 11:19| Përditesimi: 22 Dhjetor 2021, 13:51

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka çuar për ndjekje penale 67 numërues të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, emrat e të cilëve janë referuar në organin e prokurorisë. Numëruesit u kanë hequr apo shtuar vota preferenciale kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Numrin më të madh të numëruesve që janë kapur me shkelje e ka Tirana, ku rezultojnë se 21 numërues kanë abuzuar me detyrën.

Report Tv ka siguruar listën e plotë të emrave të tyre, të cilët akuzohen nga KQZ për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.  21 numërues akuzohen nga KQZ se kanë hequr apo kanë shtuar vota për kandidatë ose parti, ndërsa për shkeljet e kryera rrezikojnë deri në 5 vite burg. Një nga të kallëzuarit nga KQZ në prokurori është edhe Lavdi Kajmaku, vëllai i ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.

Lista e emrave të kallëzuarit nga KQZ: Pëllumb Brusha, Lavdi Kajmaku, Ervin Kajo, Eraldo Kazija, Indrit Laçi, Oen Nallbani, Sajmir rushit, Dritan Kerri, Arjan Tafa, Besmir Gaxha, Alti Elezaj, Enri Durmishi, Erisa Fero, Eda Begaj, Besjana Heremi, Klevis Sorra, Emirjan Hasa, Blerta Nure.

Shkeljet lidhur me tjetërsimin e votave të kandidatëve dhe votim të dyfishtë u zbuluan gjatë procesit të rinumërimit të 10% të kutive të votimit, ku deputetët e PD Zef Hila dhe Lefter Gështenja rezultuan se morën numrin më të lartë të votave të padrejta.

Rinumërimi i votave për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit zbuloi se ka pasur vjedhje nga partitë e mëdha, duke ua hequr partive të tjera. Nga hapja e kutive rezultoi se subjekti që ka vjedhur më shumë vota ishte pikërisht Partia Demokratike, e cila megjithatë i humbi zgjedhjet, pasi numëruesit i kishin shtuar 60 vota Partisë Demokratike, e cila si për ironi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar abuzimet e pretenduara në zgjedhjet e 25 prillit 2021. 

Pas PD-së vinte Partia Socialiste, të cilës numëruesit i kishin shtuar 43 vota në mënyrë të padrejtë, duke ua hequr partive të tjera. E treta renditej Partia Socialdemokrate, e cila nga hapja e kutive rezulton se ka marrë 9 vota më shumë. Lëvizja Socialiste për Integrim, partia më problematike sa i takon blerjes dhe tjetërsimit të votës, renditej e katërta, ku u kishte marrë 7 vota partive të tjera. Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare ka marrë 2 vota tepër, ndërsa Aleanca Demokracia e re një votë. Nga ana tjetër, i janë hequr 4 vota Partisë Bindja Demokratike, dy vota Nismës Thurje, dy vota koalicionit ABEOK dhe një votë Lëvizje për Ndryshim. Ky rezultat është prodhuar nga rinumërimi i votave në 235 qendra votimi. Numri total i qendrave të votimit është 5,199. Rinumërimi i pjesshëm tregon edhe një herë se partitë e mëdha vijojnë të marrin votat e partive të vogla. 

Kallëzimi i KQZ në Prokurorinë e Tiranës

 

Kallëzimi i KQZ në Prokurorinë e Tiranës

 

Kallëzimi i KQZ në Prokurorinë e Tiranës

 

Kallëzimi i KQZ në Prokurorinë e Tiranës

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?