‘Në një dekadë numri i turistëve u trefishua’, Kumbaro: Në 2025-ën platformë me të dhëna mbi rezervimet nga Booking e AirBnb, goditet evazioni

8 Nëntor, 11:19| Përditesimi: 8 Nëntor, 17:01

  • Share

Brenda një dekade Shqipëria e ka trefishuar numrin e turistëve të huaj që vizitojnë vendin në të katër anët e saj. E pranishme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për projektbuxhetin e vitit ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro, tha se suksesi turistik i Shqipërisë po certifikohet edhe nga agjencitë ndërkombëtare.

“Kur shohim se jo më larg se viti 2013 Shqipëria nuk priste më shumë se 3,4 milionë vizitorë të huaj të cilët i përkisnin më së shumti një harte të kufizuar rreth e rrotull kufijve tanë tokësorë, ndërsa një dekadë më pas flasim për 10,1 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, apo për 9,7 milionë vizitorë të huaj vetëm për 9 muajt e parë të këtij viti.”, tha Kumbaro.

Ministrja njoftoi në komision që nga viti i ardhshëm të dhënat mbi turizmin do të jenë të gjitha në një platformë të vetme E-Visitor, për të pasur një rezultat më të saktë mbi numrin e vizitorëve, mbi strukturat akomoduese  ku pjesë e të dhënave do të jenë edhe rezervimet që bëhen në AirBNB dhe Booking. Kjo masë merret edhe për të luftuar informalitetin nga strukturat akomoduese që japin dhoma apo apartamente me qira të pa certifikuara, si dhe për të ulur fenomenin e nëndeklarimit të pushuesve nga strukturat e tjera ligjore (hotele apo resorte).

“Një tjetër projekt i rëndësishëm i udhëhequr nga MTM është ndërtimi i platformës së statistikave e quajtur E-Visitor e cila do të sigurojë të dhëna në kohë reale, të sakta dhe të aksesueshme për grupet e interesit ku do te agregohen dhe strukturohen te gjithë te dhënat e rëndësishme për turizmin nga burimet e ndryshme duke përfshirë te dhënat e akomodimit, të dhënat e anketave të Turizmit, të dhënat administrative të institucioneve të ndryshme (INSTAT, Policia e Shtetit, Atraksionet kulturore) të dhëna nga burime të treta(Banka e Shqipërisë, platforma të qerasë afatshkurtër si AirBNB, Bookiing etj) si dhe përllogaritjen e Llogarise Satelitore te Turizmit (SAT). Së shpejti realizohet akti që i hap rrugë krijimit të kësaj platforme komplekse, por shumë të nevojshme për fazën ku ka hyrë industria e turizmit”, tha Kumbaro

Kumbaro shtoi se vetëm nga turizmi ekonomia ka përfituar në 6 muajit e parë të vitit 500 milionë euro më shumë, ndërkohë që është rritur formalizimi i sektorit si dhe standardet e shërbimit.

“Në ekonominë Shqiptare, vlerësohet se të ardhurat nga sektori i turizmit ishin 2 miliardë euro për gjashtë muajt e parë të vitit 2024, ose rreth 500 milionë euro më shumë se gjashtë-mujori i parë i vitit 2023. Një punë voluminoze është kryer në drejtim të standardeve dhe sigurisë në turizëm, ku sot numërojmë 1916 struktura akomodimi të kategorizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si tregues pozitiv drejt formalizimit të sektorit të hotelerisë. Gjithashtu, përsa i takon sigurisë detare gjatë sezonit veror, deri në muajin gusht 2024 janë certifikuar 166 operatorë turistikë detarë dhe 396 mjete (skafe, motorë uji, anije turistike etj.) si garanci për cilësinë e shërbimit ndaj turistëve dhe sigurinë detare. Deri në vitin 2021 kishim më pak se 10 operatorë turistikë të certifikuar që plotësonin standardet”, tha Kumbaro.

Në komision Kumbaro ka bërë një prezantim edhe të strategjisë së re për turizmin 2024-2030, ku theksoi se synon investime, politikat fiskale dhe ligjore në turizëm, menaxhimin e destinacioneve, zhvillimin e produktit turistik, marketingun dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, si dhe e ndan vendin në në gjashtë rajone turistike. Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, Rajoni turistik verior i brendshëm, Rajoni turistik i Tiranës, Rajoni turistik qendror, Rajoni turistik i bregdetit të Jonit dhe Rajoni turistik jugor i brendshëm.

Buxheti i Ministrisë së Turizmit për vitin 2025 do të jetë 3.9 miliardë lekë, nga 3.6 miliardë lekë që është këtë vit, që për ministren Kumbaro është i mjaftueshëm për projektet dhe nevojat e institucionit.

E.Gj/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?