Krahas pritjeve në radhë për orë të gjata në Onkologjik për të marrë shërbim shëndetësorë, qytetarët vijojnë të denoncojnë për Report TV, mungesën e medikamenteve në këtë spital.
“Erdhëm për kimio, dje dhe sot. Nuk e bëmë dot, tani po iki për shtëpi. Mjeku na ka marr numrin e celularit, kur të vij ilaçi do na njoftojë”, tha një paciente.
Në Onkologjikë pranë QSUT, qytetarët vijnë nga çdo cep i vendit për të marrë trajtim. Për ta krahas vështirësive shëndetësore për të udhëtuar në rrugë të gjata, shqetësuese mbetet edhe transporti, kostot financiare.
“E kam problem të ardhurit nga Berati në Onkologjik për të marrë shërbim, sepse jo vetëm mosha, por kam kaluar shumë probleme me shëndetin. Rruga, shpenzimet, janë kosto. Është mirë ta marrim këtë shërbim shëndetësor në Berat, kam qenë me fat për mjekët që më kanë dhënë shërbim”, tha një zonjë.
“Vij nga Peshkopia këtu në Onkologjik, problem edhe kostot financiare. Unë nuk kam makinë timen, paguaj 30 mijë lek për të ardhur këtu. Me ndihmë ekonomike jam unë. Nga halli, s’kam mundësi tjetër”, u shpreh një zotëri.