Ekonomia e Europës njeh dy popuj, territoret e të cilave mbi 2/3 e sipërfaqjes e zënë malet, që zotërojnë burime të mëdha natyrore, por dallohen ekstremisht nga njëri-tjetri prej ekonomisë dhe mirëqenies së tyre, përveç klimës shumë më tepër të favorshme që ka vendi më i varfër, paradokset ekonomike, politike dhe sociale të të cilit njihen dhe përjetohen gjerësisht çdo ditë në trojet tona.
Vendi tjetër njihet në Europë prej antikitetit si “Rruga e Veriut’ nga ku edhe ka marrë emrin.
Norvegjia është një nga vendet më të bukura dhe më të pasura në planet. Ka histori magjepsëse, qytete mahnitëse, kulturë të pasur dhe njerëz të mrekullueshëm. Ajo gjithashtu ka një standard të lartë jetese me një nivel mbresëlënës të zhvillimit njerëzor.
Paga mesatare në Norvegji aktualisht vlerësohet diçka më tepër se 4600 euro, ndërsa ajo minimale 2550 euro, çka e bën atë një ndër dy-tre vendet më të begata në botë.
Sikur të mos mjaftonin këto statistika pak kohë më parë norvegjezët morën lajmin e mirë: çdo banor në Norvegji u bë papritur një milioner teorik në një moment historik për fondin më të madh të pasurisë sovrane në botë, që është rritur falë çmimeve të larta të naftës dhe gazit.
Lajmi i keq ishte se ata nuk do të jenë në gjendje të shpenzojnë pasurinë e tyre më të fundit. Qeveria e ka rezervuar atë për brezat e ardhshëm. Sipas Bankës Qendrore të Norvegjisë, e cila menaxhon fondin, pasuria e përbashkët u rrit në 828.66 miliardë dollarë.
Ky fond bën milioner çdo qytetar të Norvegjisë që ka një popullsi prej rreth 5 milion banorë. Në fakt Norvegjia njihej prej vitesh si vendi me standardet më të larta të jetesës në botë dhe ekonomia e saj e pasur është një nga arsyet kryesore. Ekonomia e saj ushqehet kryesisht nga eksportet e naftës dhe gazit, gjë që jo vetëm e bën atë jashtëzakonisht efikase dhe të qëndrueshme, por gjithashtu e ndihmon të mbetet një ndër vendet më të pasura edhe për shumë vite të tjera pavarësisht çdo situate.
Ajo ka siguruar shuma të konsiderueshme pasurie nga eksportet e naftës pas viteve 1970. Gjithashtu të ardhurat që sigurohen nga shfrytëzimi i resurseve natyrore shpërndahen për çdo banor. Norvegjia përveçse eksportuese, ka ndër rezervat më të mëdha të ushqimeve të detit, hidrocentraleve, lëndës drusore, mineraleve, gazit natyror dhe ujërave.
Norvegjia gjithashtu ka një normë jashtëzakonisht të ulët të papunësisë në krahasim me vendet e tjera në botë, gjë që e bën atë një vend tepër produktiv.
Të tilla përfitime nga pasuria dhe produktiviteti i saj, u kanë ofruar norvegjezëve kujdes shëndetësor dhe arsimor falas. Nëse një i huaj viziton Oslon, do të gjejë atje shumë vende pune në sektorin e telekomunikacionit dhe teknologjisë. Për më tepër, shkalla e varfërisë nuk ekziston, duke qenë se pagat janë ndër më të lartat në botë.
Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve është dukshëm aq i vogël, saqë edhe vetë teoria e Marksit do të ‘dashurohej’ me kapitalizmin social të Norvegjisë. Nuk ka shumë ekspertë dhe specialistë ekonomie, por njerëz punëtor, të edukuar, sigurisht të ndershëm për të ndërtuar një shoqëri sa më të drejtë dhe të barabartë, bazuar mbi rregullat dhe ligjet që zbatohen rigorozisht duke nisur nga mbreti i pari e deri te punëtori i minierës.
Është e vështirë të marrësh nënshtetësi në Norvegji, sepse ata besojnë se të huajt nuk duhet të kenë fatin e norvegjezëve; që edhe fëmijët e tyre të lindin milioner si ata, duke qenë se (të huajt) nuk kanë punuar për një të ardhme të tillë në atë vend.
Meqenëse norvegjezët gëzojnë një normë të lartë pagash, fuqia e tyre blerëse është gjithashtu e lartë. Ata bëjnë mesatarisht në raport me popullsinë më shumë pasuri se amerikanët, sikurse shpenzojnë shumë më tepër për kostot si dhe për standardin e tyre të jetesës. Kjo është arsyeja pse Norvegjia është gjithashtu e njohur ndërkombëtarisht për sistemet e saj të avancuara arsimore, sistemin e veçantë të sigurimeve shoqërore dhe kujdesin shëndetësor falas.
Në Norvegji të gjithë falënderojnë qeverinë e tyre (bashkë me opozitën që mund të jetë nesër) për të gjitha këto të mira që i kanë garantuar popullit, të cilat mund të mos arriheshin nëse vendi nordik nuk do të kishte një popullsi jashtëzakonisht të qytetëruar e të edukuar, të pasur dhe të arsimuar mirë.