Sociale
Drejt Punës

PERSONAZH/ Në patrullë me Alije Buzin, policja 24-vjeçare në Fier: Kam 9 muaj në këtë detyrë, e kënaqur me zgjedhjen time

29 Qershor, 11:54| Përditesimi: 29 Qershor, 12:29

  • Share

Në ambientet e Komisariatit të Policisë së Fierit, dita nis me rreshtimin dhe instruksionet e sherbimit. Mes tyre është Alije Buzi, efektivja me e re me uniforme blu. Teksa ajo nis patrullimin e zakonshëm, kamera e Report TV e ndjek në çdo hap.

24-vjeçarja na tregon se sapo ka përfunduar Shkollën e Policisë dhe është bërë pjesë e patrullës ne qytetin e saj. Duket se ka fituar shpejt besimin e kolegëve si drejtuese mjeti në misionet e përditshme.

“Pozicioni im është patrullë rendi dhe kam afërsisht 9 muaj në këtë detyrë. Kam zgjedhur të jem pjesë e Policisë së Shtetit sepse më pëlqen ky profesion. Jam shumë e kënaqur me zgjedhjen time. Karakteri im i fortë dhe dëshira për t’u përballur me çdo sfidë që kjo punë sjell”,  thotë ajo.

Pamjet tregojnë jo vetëm aftësinë e saj profesionale, por edhe mënyrën e natyrshme me të cilën ajo përballon përgjegjësinë që i është besuar.

Drejtimi i mjetit të Policisë kërkon jo vetëm aftësi teknike, por edhe përqendrim maksimal, sidomos në rastet kur duhen reagime të shpejta në situata emergjente apo në ngjarje kriminale.

“Mbërritja në kohë në vendin e ngjarjes shpesh mund të bëjë diferencën për jetën e dikujt ose për kapjen në flagrancë të autorit të një krimi. Në raste të tilla ndjej vlerësim nga drejtuesit dhe kolegët e mi. Edhe pse ka vështirësi, e bëj këtë punë me kënaqësi,”, shton me tej.

Ajo tregon se në kohën e lirë angazhohet me leximin e librave dhe stërvitje fizike, si një mënyrë për të avancuar në karrierë dhe për të ruajtur formën.

“Nuk mendoj se duhet të ketë paragjykime për profesionet që zgjedhim, aq më pak në polici. Familja ime më ka mbështetur që në fillim, por tani mbështetja është edhe më e madhe. Çdo të reje që ëndërron të bëhet police, i them ta ndjekë këtë rrugë pa hezitim,”  përfundon Buzi.

Platun Shehaj, specialist i rendit dhe sigurisë publike, foli për profesionalizmin dhe përkushtimin e saj, duke e cilësuar një shembull frymëzues për të rinjtë që duan të jenë pjesë e Policisë së Shtetit.

Statistikat më të fundit tregojnë se përfaqësimi i grave në Policinë e Shtetit mbetet i ulët. Nga një total prej 9,592 efektivësh, vetëm 991 janë gra, duke përbërë rreth 10.3% të trupës aktive.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po zbatohet siç duhet rregullorja e re për plazhet publike në Shqipëri?