Enver Robelli: Në pavijonin e të marrëve gjendet më i mençuri i qytetit

18 Mars, 23:00| Përditesimi: 19 Mars, 00:40

  • Share

Në shtetet ku demokracia është vetëm fasadë, shkëlqimi i autokracisë errëson çdo gjë. Në errësirë sundimtarët kontrollojnë jo vetëm të vërtetën, por edhe të gjitha institucionet, mjetet e propagandës, resurset e shtetit. Këto resurse i ndajnë me oligarkë. Oligarkët janë miliarderë në shërbim të sundimtarit. Një novelë e Anton Çehov ofron mjaft material për të ilustruar botën ku mbytet e vërteta.

1.«Salla numër 6» - kështu quhet një novelë e shkrimtarit klasik rus Anton Çehov. Në këtë sallë mbijeton një zyrtar me emrin Ivan Dimitriq Gromov. Ngaqë vuan nga paranoja, Gromovin e kanë sjellë këtu, në sallën numër 6, ku trajtohen të çmendurit. Mjeku Andrej Efimiq Ragin, drejtor i spitalit, e ka lëshuar vetë udhëzimin për Gromovin. Rastësisht mjeku Efimiq Ragin nisë të bisedojë me pacientin Gromov dhe zbulon se ai në të vërtetë është bashkëbiseduesi më i logjikshëm në krejt këtë provincë. Banorët e qytezës nisin të dyshojnë në doktorin Efimiq Ragin, meqë fliste me pacientin, madje u krijua një komision për të këqyrur gjendjen mentale të Efimiq Raginit. Ky thoshte se sëmundja e tij në fakt është kjo: që tek pas 20 vitesh ka arritur të gjejë në qytezë një njeri të mençur. Dhe ai i mençur është një i trajtuar si i çmendur. Autoritetet vendosin ta shpallin mjekun të çmendur. Mesazhi i novelës? Në një botë ku dominon gënjeshtra, zhurma, kakofonia, gjuha toksike, është e vështirë të thuhet dhe të mbrohet e vërteta.

2.Në një botë të tillë sundimtarët kontrollojnë jo vetëm të vërtetën, por edhe të gjitha institucionet, mjetet e propagandës, resurset e shtetit. Këto resurse i ndajnë me oligarkë. Oligarkët janë miliarderë në shërbim të sundimtarit. Ata menaxhojnë pasuritë të cilat pushteti ua vë në dispozicion. Mbarëvajtja e punëve të oligarkut varet nga mëshira e sundimtarit. Paralelisht me menaxhimin e pasurisë publike, sundimtari tenton të blejë çdo zë publik. Në shoqëritë pa traditë demokratike, kjo është e lehtë. Sepse gati secili joshet nga shkëlqimi, beson se brenda pak kohësh mund të bëhet milioner dhe në këtë rrugë është i gatshëm të shkelë mbi kufoma. Kufoma e parë është e vërteta.

Qëllimi final i çdo autokrati është ta zhbëjë jo vetëm mendimin kritik, por edhe krejt idenë e opinionit publik. Që në fund shoqëria të mos ekzistojë fare, por vetëm sundimtari dhe shërbëtorët e skllevërit e tij. Për t’i kontrolluar këta s’duhet as arbitraritet i madh, as dhunë e shfrenuar, nëse pushteti është mirë i konsoliduar. Atëherë shoqëria s’ekziston, opozita është e shkatërruar, pronarët e mediave janë në fakt ndërtues rrugësh, mbajtës licencash, pronarë godinash, tregtarë lajmesh; shoqëria civile është e dërrmuar dhe e kurthuar në interesa partikulare, e vetëmbyllur në kafazin e cinizmit, e dëshpëruar që jeta shkoi dhe të tjerët u bënë milionerë. Si e qysh - e parëndësishme.

Kështu të mirës së përgjithshme i humbet kuptimi dhe çdo gjë shndërrohet në ngarendje e shtyrje me bërryla. Tragjedia më e madhe e shoqërive të tilla është se askush askënd nuk e merr seriozisht, as shoferi policin, as polici shoferin, as ministri ligjin, as mbrojtësi i ligjit veprat e këqija të sundimtarit. Gjithçka në thelb është punë pazari, intrigash, rrenash, me një qëllim – grabitje pushteti dhe kontroll mbi resurset. Kur provinciali ia ndjen aromën parasë së fituar shpejt dhe jashtëligjshëm, ai me katër këmbë i turret plaçkës. Idhulli i tij është sundimtari që vendimet i merr në kthina të errëta. Por çdo e keqe, çdo dëm dikur ka një epilog, sepse sundimtari i korruptuar edhe nëse nuk e njeh botën antike e veprat e helenëve të lashtë, një ditë do ta njoftojë atë figurën e tragjedisë greke, e cila me çdo hap që bën shpreson se po e eviton fundosjen e vet - e në fakt vetëm më shumë i afrohet gropës. Problemi është se në këtë gropë nuk bie vetëm sundimtari, oligarkët e tij dhe altoparlantët e propagandës. Regjimet e tilla rrezikojnë të marrin me vete në humnerë edhe shoqërinë./koha.net/

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?