Primaret në Partinë Demokratike deputeti i PD Kreshnik Çollaku, i ka cilësuar si votë brenda partisë. Në një lidhje skype ditën e sotme, në emision ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ai tha se këto primare sollën shumë anomali në PD.
‘Unë kam qenë ndër njerëzit që kam paraqitur skepticizm për primaret, janë një ide e mirë por primaret duhen bërë si në Amerikë jo dy javë para zgjedhjeve, të paktën 6 muaj ose një vit kohë. Modaliteti që ka bërë primare ka qenë i gabuar, solli anomali duhen riformatuar primaret. Pra, unë kam qenë skeptik për primaret për këtë model dhe në këtë kohë, ajo që kemi bërë ne është votë brenda anëtarësisë, primaret duhen zhvilluar me debat politikë’, tha ai.
Çollaku i cili kandidon në listën e hapur të PD në qarkun e Tiranës, teksa u pyet se sa mandate synon PD në kryeqytet, ai tha se nëse merren më pak se 18 do të ishte një dështim.
‘Për mua poshtë 18 mandate në Tiranë është dështim, duhet 18 e sipër, do të ishte një rezultat historik dhe i përputhet gjendjes së vendit, të shkohet të votohet masivisht për opozitën’, tha ai.
I ndalur tek kandidatët e PD në lista të hapura dhe të mbyllura, ai tha se ata deputet që janë aktiv dhe marrin vota nuk duhet të jenë në lista të sigurta.
‘Unë do prisja që kush ndihet dhe ata që janë të rëndësishëm të jenë tek pjesa e hapur, mendoj se duhet që të ballafaqohemi në listë të hapur. Çështja e Tiranës ka një situatë tjetër në listën e mbyllur ka shumë vende koalicioni. Unë kam qenë kundër kësaj tolerance që është bërë, i është bërë tolerim aleatëve të Berishës. Kush ka vota s’ka pse futet në listë të sigurt. Unë them që energji të mirë ka dhe në listën e hapur ka politikanë aktiv që njohin terren dhe mendoj se do bëjnë maksimumin për të mbyllur me sukses këtë fushatë në Tiranë’, tha ai.
Një koment e pati edhe për kolacionin ‘Shqipëria Madhështore’. Çollaku tha se do donte që të kishte një koalicion më të gjerë edhe me partitë e reja, të cilat janë kundër qeverisë.
‘Nuk u arrit dot një koalicion i gjerë me ato partitë që janë anti-Rama. Ka parti të reja që si njoh nëse janë të sinqertë në ato që thonë të ketë suksesin e tyre. E mira do ishte që ky front të ishte i përbashkët’, tha ai.
Komente
