I ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte mjeku obstetër-gjinekolog Arben Haxhihyseni, i cili foli për shkuarjen në plazh gjatë periudhës së ciklit menstrual tek femrat.
Më parë ka ekzistuar mendimi se gruaja, kur është me menstruacione, nuk duhet të shkojë në plazh, por sot ky koncept ka ndryshuar. Mjeku shpjegoi se gruaja me menstruacione mund të shkojë në plazh, por duhet të plotësojë disa kushte të rëndësishme për të ruajtur higjienën dhe për të shmangur çdo rrezik infeksioni.
Së pari, rekomandohet përdorimi i tamponëve të brendshëm, të cilët ofrojnë mbrojtje më të mirë dhe janë të përshtatshëm gjatë qëndrimit në ujë. Një alternativë tjetër është kupa menstruale, e cila duhet të vendoset në mënyrë të saktë dhe të zbrazet më shpesh gjatë ditëve me temperatura të larta, pasi qëndrimi i gjatë me gjak menstrual mund të krijojë mjedis të favorshëm për bakteret.
Nëse këto metoda përdoren siç duhet, gruaja mund të futet në det dhe të lahet pa problem, duke ruajtur të njëjtën kujdesje si në ditët e tjera të ciklit. Nga ana shkencore, tamponët dhe kupat menstruale konsiderohen të sigurta për përdorim në plazh, me kusht që të ndërrohen çdo 4 deri në 6 orë për tamponët dhe më së shumti çdo 8 orë për kupën menstruale, edhe pse në plazh rekomandohet të ndërrohen më shpesh për shkak të temperaturës së lartë.
Uji i detit vetë ka pak rrezik për infeksione, por qëndrimi për një kohë të gjatë me rrobat e lagura të banjës krijon mjedis të favorshëm për irritime dhe myk vaginal, ndaj pas larjes këshillohet të ndërrohen menjëherë rrobat dhe të thahet mirë trupi.
Gjithashtu nuk ka asnjë arsye mjekësore që deti të “ndalojë” menstruacionet, pasi rrjedhja mund të ngadalësohet vetëm përkohësisht për shkak të presionit të ujit, por cikli vazhdon normalisht.
Në përfundim, një grua mund të shijojë pa problem plazhin gjatë menstruacioneve, për sa kohë respekton higjienën personale, përdor mjetet e duhura mbrojtëse dhe shmang qëndrimin e gjatë me rroba të lagura.
Komente
