Maratona Enkelana solli të shtunën në mbrëmje atmosferën e garës dhe emocione të forta në juglindje, duke u shndërruar në ngjarjen më të madhe sportive të rajonit. Mbi 600 atletë nga 40 vende të botës, të ndarë në kategori moshe dhe në dy distanca – 21 km dhe 11.5 km – u bashkuan në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Në distancën 11.5 km për meshkuj, francezët Fantini Leo dhe Eliott Pantel arritën njëkohësisht vijën e finishit, ndërsa mes femrave triumfoi Kristina Pura.
“Kemi ardhur nga Franca për këtë garë. Na pëlqeu shumë, por shumë nxehtë ama”, tha Fatini Leo.
Në garën kryesore të 21 km, ukrainasi Bogdan Semenovych dominoi plotësisht, duke u shkëputur herët nga konkurrentët dhe duke mbërritur i pari në finish. Në kategorinë e femrave, Natalia Semenovych siguroi fitoren duke e bërë që flamuri i Ukrainës të ngrihej dy herë në podiumin e garës.
Përveç sportit, maratona mbarti edhe mesazhe sociale. Një grup vrapuesish me bluza ku lexohej “Free Palestine” e kthyen pjesëmarrjen e tyre në një thirrje për paqe dhe jetë.
E certifikuar në nivel ndërkombëtar, Maratona Enkelana tërhoqi garues nga të gjitha kontinentet, me një pjesëmarrje të dukshme nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Organizatorët e shohin këtë event si një mundësi për të promovuar të gjithë qarkun e Korçës dhe për ta vendosur juglindjen shqiptare në hartën e ngjarjeve sportive botërore.
Komente
