Çfarë e bën një aleat të mirë të NATO-s? Debatet mbi ndarjen e barrës kanë “lëkundur” aleancën që nga themelimi i saj në vitin 1949, thotë Rafael Loss nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), një think-tank. Së fundmi, Donald Trump, si në mandatin e tij të parë ashtu edhe në atë aktual, ka kritikuar me të drejtë europianët që nuk paguajnë pjesën e tyre të drejtë, ndërkohë që Amerika i mbron të gjithë.
Kjo kritikë ka prekur një nerv të ndjeshëm, madje te vendet më të përgjumura. Ministri belg i Mbrojtjes është zotuar t’i japë fund një “periudhe turpi kombëtar”, gjatë së cilës vendi “nuk iu qëndroi besnik detyrimeve të tij si anëtar themelues i NATO-s, por veproi si përfituesi më famëkeq falas i gjithë aleancës”. Madje edhe Islanda, e cila nuk ka forca të armatosura, po shqyrton mënyra për të qenë një “aleat i mirë”.
Për të kuptuar më mirë situatën, duhet të shikojmë të ashtuquajturat “tre C-të”: cash (sa shpenzohet), capabilities (çfarë blihet me ato para) dhe commitment (angazhimi në misione). Le të fillojmë, siç bëjnë zakonisht politikanët, me paratë. Në pamje të parë, ka përparim. Të gjithë përveç dhjetë prej 32 anëtarëve të NATO-s përmbushin objektivin aktual të shpenzimeve prej 2% të PBB-së, krahasuar me 25 vende që nuk e përmbushnin këtë një dekadë më parë. Italia dhe Spanja, dy nga vendet që shpenzojnë më pak në aleancë, kanë premtuar se do ta arrijnë këtë objektiv këtë vit. Por anët pozitive përfundojnë pothuajse këtu.
Së pari, objektivi prej 2% është bërë i vjetruar; në samitin që do të hapet më 24 qershor në Hagë, pritet që aleanca të miratojë një objektiv të ri prej 3.5% të PBB-së, plus edhe 1.5% të tjera për infrastrukturë plotësuese. Për më tepër, fokusi i ngushtë te përqindjet është një mënyrë e dobët për të matur gatishmërinë luftarake. Anëtarët prej kohësh e kanë fryrë këtë përqindje duke përfshirë në buxhetin e mbrojtjes shpenzime të tjera pak të lidhura.
Një mënyrë më e mirë për të vlerësuar kontributin është të shohim se ku shpenzohen paratë. NATO kërkon që anëtarët të shpenzojnë të paktën 20% të buxheteve të tyre ushtarake për pajisje. Pothuajse të gjithë e përmbushin këtë kërkesë (shih grafikun më poshtë), megjithëse në samit kjo përqindje pritet të rritet në një të tretën. Por sërish, përqendrimi te numrat mund të fshehë nëse pajisjet i shërbejnë qëllimit të mbrojtjes kolektive. Shembull: Greqia. Vitin e kaluar shpenzoi 36% të buxhetit të saj ushtarak për pajisje — një ndër përqindjet më të larta — por shumë nga këto investime janë përballë Turqisë, një tjetër aleat i NATO-s, e jo ndaj Rusisë.
Prej kohësh NATO ka kërkuar të ndikojë se çfarë pajisjesh blejnë anëtarët përmes Procesit të Planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s. Në këtë proces, aleatët bien dakord të blejnë pajisje në përputhje me nevojat operacionale të aleancës. Por dy dekada luftë kundër xhihadistëve e kanë shtrembëruar këtë proces. Shumë vende kanë investuar në një mozaik pajisjesh pa shumë koordinim. Kërcënimi nga Rusia ka ndihmuar për të kthjelluar fokusin. “Në vend që të ndërtohen forca për një gamë të gjerë skenarësh në teatro të ndryshme”, shkruajnë Angus Lapsley dhe admiral Pierre Vandier, dy zyrtarë të NATO-s që drejtojnë ciklin e ri të planifikimit, aleatët do të kërkohen të “fokusohen kryesisht” në parandalimin e Rusisë.
Ndarja e punëve, megjithatë, mbetet ende e paqartë. Në qershor, NATO pritet të miratojë “objektiva të reja kapacitetesh”, të cilat do të përcaktojnë pajisjet që do t’i kërkohen çdo anëtari. Ka të ngjarë që këto objektiva të kenë përparësi në fusha ku SHBA tradicionalisht ka dominuar, por mund të tërhiqet, si p.sh. grumbullimi i inteligjencës, goditjet në thellësi ose transporti strategjik. Mbi tre të katërtat e anëtarëve kanë rënë dakord me planet e reja, përfshirë edhe “ata që zakonisht nuk pranojnë”, ka vënë në dukje z. Vandier.
NATO po shqyrton specializimin më të madh. Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Dragone, ka bërë thirrje për një “qasje me shumë shpejtësi”, ku forcat më të mëdha të armatosura do të mbajnë barrën kryesore të forcës së parandalimit ndaj Rusisë, ndërsa shtetet më të vogla do të fokusohen në detyra më modeste, por të arritshme, si logjistika apo siguria kibernetike. Kjo tashmë ndodh në njëfarë mase. Luksemburgu, me vetëm 900 ushtarë, është një nyje kyçe në komunikimin satelitor të bazuar në hapësirë dhe kontribuon në programin e avionëve të zbulimit të NATO-s. Islanda operon një sistem mbrojtjeje ajrore dhe vëzhgimi. Por bindja e shteteve më të ndrojtura si Spanja dhe Italia mund të jetë më e vështirë. Planifikuesit mund të shfrytëzojnë pikat e tyre të forta, duke u kërkuar të investojnë më shumë në asetet detare.
Në lidhje me angazhimet operative reale – C-ja e tretë (angazhimi në misione) – NATO ka më shumë arsye për optimizëm. Edhe aleatët më të kursyer janë të përfshirë në terren. Në krahun lindor, Spanja komandon një forcë shumëkombëshe me madhësi brigade në Sllovaki, ndërsa Italia udhëheq një tjetër në Bullgari. Avionët luftarakë portugezë patrullojnë qiejt mbi vendet baltike. Pothuajse çdo anëtar i vogël — nga Kroacia dhe Shqipëria te Sllovenia — kontribuon me trupa në kufirin lindor të NATO-s.
Por pyetja më urgjente është: a do të forcohen këto angazhime? Në rast të një lufte të madhe në lindje, NATO dëshiron të jetë në gjendje të dislokojë rreth 100 mijë trupa brenda dhjetë ditëve — një rritje e ndjeshme nga 40 mijë që planifikon aktualisht. Ajo gjithashtu kërkon të mobilizojë 200 mijë trupa të tjera brenda 30 ditësh. Pa praninë e forcave amerikane, europianët do ta kenë të vështirë të arrijnë këto objektiva, nëse nuk rrisin ndjeshëm shpenzimet për rekrutim. Në fund të ditës, paraja mund të mbetet mbretëresha e lojës./The Economist
Komente
