Ministrja Kumbaro në takimin me prefektët

Në prag të sezonit veror, Kumbaro-prefektëve: Tolerancë zero për struktura betoni në plazhe, monitoroni qarqet tuaja

19 Prill, 12:14| Përditesimi: 19 Prill, 12:15

  • Share

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi në një takim prefektët e 12 qarqeve të vendit për t’u komunikuar prioritetet mbi mbarëvajtjen e sezonit veror 2024. 

Ministrja Kumbaro theksoi se një vit më parë pritëm 10.1 milionë vizitorë të huaj dhe për 3 muajt e parë të vitit 2024, shifrat flasin për 60% më shumë flukse hyrëse, prandaj mobilizimi, monitorimi i territorit dhe kouminikimi ndërinstitucional janë thelbësore për ecurinë e procesit.

Lidhur me bashkitë që kanë vijë bregdetare, ministrja Kumbaro u shpreh se ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve dhe gjithashtu ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit vendimi për miratimin e ndërtimit të strukturave të përkohshme të shërbimit ose ato që quhen ndryshe beach-bare.

“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret. IKMT do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton. Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”, u shpreh ministrja Kumbaro duke theksuar gjithashtu të rëndësishme që krehja e territorit të bëhet tani, në mënyrë që atje ku ka paligjshmëri të ndërhyhet përpara se të shtohet fluksi turistik në zonat bregdetare.

Gjatë komunikimit të saj me prefektët, Kumbaro u ndal edhe tek subjektet që operojnë si operatorë turistikë detarë, të cilët nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nëse nuk janë të pajisur me certifikatë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Asnjë operator që nuk është i pajisur me certifikatën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk do të lejohet të kryejë këtë aktivitet. Policia e shtetit në bashkëpunim me flotën e dedikuar të policisë kufitare do të jetë në territor gjatë gjithë kohës për t’i kontrolluar”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndër të tjera, Kumbaro vuri në dukje se lufta më e madhe këtë vit do të jetë me pastërtinë dhe menaxhimin e mbetjeve.

“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”, vijoji ministrja Kumbaro duke theksuar se çelësi i sukesit në këtë proces është koordinimi dhe bashkëpunimi.

Porosi e veçantë e ministres Kumbaro në këtë takim me prefektët ishin edhe tabelat orientuese në hyrjet dhe rrugët e qytetit si dhe përmirësimi i sistemit të informacionit digjital që u lehtëson aksesin dhe komunikimin vizitorëve të huaj. Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit preku problematikën e incidenteve që ndodhin kryesisht në zonat malore të vendit, duke kërkuar nga përfaqësuesit në takim që të shpërndajnë informacionin mbi guidat lokale të certifikuara që ofrojnë shërbimin e tyre në terren. Në fund të takimit, Kumbaro u shpreh se problem gjatë sezonit veror mund të jenë edhe zjarret, ku përveç shërbimit zjarrfikës duhet të mobilizohen të gjithë aktorët institucional për t’i shkuar në ndihmë asaj bashkie që po përballet me këtë shqetësim.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?