Politikë

Në prag të vendimit të Këshillit Europian, SHBA shpreh hapur mbështetjen: BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pa vonesa

11 Qershor 2021, 10:09| Përditesimi: 11 Qershor 2021, 15:17

  • Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që Bashkimi Europian të përcaktojë sa më shpejt një datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një postim në twitter, zëdhënësi i Departmantit Amerikan të Shtetit Ned Price shprehet e SHBA është e angazhuar dhe të përkushtuar për rrugën evropiane të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugët evropiane të aspirantëve”, shkruan ai.

Kjo thirrje nga ana e SHBA-ve vjen kur pritet që çështja e përcaktimit të një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian të vendoset më 22 qershor në mbajtjen e mbledhjes së radhës së Këshillit Evropian. Deri tani Komisioni Evropian vijon që të apelojë Këshillin që ta përcaktojë sa më shpejt të jetë e mundur këtë datë. Tashmë ka mbetur vetëm një pengesë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare që është qëndrimi i Bullgarisë. Për arsye të përplasjeve me Maqedoninë e Veriut qeveria bullgare bllokon kështu automatikisht edhe Shqipërinë, pasi pritet që përcaktimi i datës të bëhet për të dyja shtetet njëherazi. 

Dje nga Tirana, komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha se unioni po punon edhe pas kuintave për të arritur që Bullgaria të mos pengojë një vendimmarrje pozitive për Maqedoninë e Veriut. Disa ditë më parë edhe ministri gjerman për Evropën Michael Roth tha nga Tirana se për Gjermaninë përcaktimi i datës së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat të BE-së me Shqipërisë duhet të merret sa më shpejt pasi Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Ndërkohë që pak ditë më parë Holanda i dha ‘dritën jeshile’ Shqipërisë duke zbutur skepticizmin e saj prej vitesh në lidhje me nisjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE. Këtë qëndrim e konfirmoi dje edhe Ministrja e jashtme holandeze, Sigrid Kaag para parlamentit holandez, ku tha se “Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë mund të ndodhë sa më shpejt, që të arrihet marrëveshja mbi kornizën negociuese me Shqipërinë”.

Postimi i Ned Price

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?