Turizmi po fillon që të gjallërohet me shpejtësi pas humbjeve që u shënuan nga pandemia e COVID. Sipas të dhënave nga INSTAT hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur shpejtësi në prill, ku ndikimin kryesor e ka dhënë Kosova, por gjithsesi mbeten 41% më pak se në prillin e 2019-s, përpara krizës së pandemisë.
“Besoj se do jetë një vit më i mirë se viti 2020 i cili ishte i vështirë për gjithë botën”, tha Zak Topuzi.
Kështu shprehet në një intervistë për Report TV kreu i hotelierëve dhe i shoqatës së Turizmit në Shqipëri Zak Topuzi, i cili shton se këtë vit presin 3 milionë turistë.
“Ne vjet kishim rreth 2.4 milionë turistë, dhe shpresojmë që këtë vit të kapim 3 milionë, dhe sipas ekspertëve numri i turistëve mund të kthehet në normal këtë vit por të ardhurat e 2019 do mund të arrihen në fund të vitit 2025” tha për Report TV, kryetari i shoqatës së Turizmit në Shqipëri Zak Topuzi.
Sipas tij përpos numri të lartë të turizmit të ardhurat janë të ulta për këtë arsye vendi duhet të luftojë për të tërhequr sa më shumë turistë elitarë. Madje Topuzi thotë se këtë sezon duhet të punojmë për të mbajtur turistët kosovarë nëpërmjet subvencionimit të taksës në rrugën e Kombit.
“Kosova që është furnizuesi ynë kryesor me turistë ne duhet të ndërmarrim masa të rëndësishme për këtë vit, qoftë ulje taksash por edhe subvencionim të taksës së rrugës së Kombit. Pra janë elemente që po i përdor rajoni. Autostrada Shkup-Prishtinë ju jep mundësi dalje në Greqi. Shqipëria vërtet ka numrin më të madh të turistëve por ka të ardhurat më të ulta për turistë. 390 dollar ndërkohë që Kosova ka 940 dollar të ardhura për çdo turistë, pra 2.5 herë më shumë”, u shpreh Topuzi.
Nga ana tjetër i pyetur nëse do të dëmtohej vendi në rast se Shqipëria ndalon fluturimet me Bjellorusinë, Topuzi tha se shtetasit bjellorus nuk kanë ndikim në turizmin tonë.
“Turistët nga Bjellorusia dhe Ukraina nuk janë vendimtar për këtë sezon turizmi. Ky turizëm nga kjo zonë është diku tek 4-5% domethënë nuk është se do ndikojë në turizmin shqiptar”, u shpreh Topuzi.
Ndërkohë një ditë më parë BE vendosi të ndalojë fluturimet me Bjellorusinë pasi një fluturim i Ryanair nga Greqia në Lituani u detyrua të ulej nga një avion luftarak në Minsk dhe një gazetar bjellorus u arrestua në bord.