Kultura

Në pritje të godinës së re, Biblioteka Kombëtare 'në rrezik'! Piro Misha: Kërkohen masa, rrezikohet kujtesa kombëtare

10 Korrik, 14:22| Përditesimi: 10 Korrik, 16:10

  • Share

Një godinë e re për Bibliotekën Kombëtare në zonën e Liqenit Artificial, ka filluar të ndërtohet, por deri sa ajo të ketë gati rreziku në ndërtesën aktuale vijon.

“Është një fazë ndërmjetëse deri në përfundimin e bibliotekës së re që do të ketë të gjithë parametrat modernë. Ne ndërkohë nuk mund të rrimë të presim se nuk dihet çfarë sjell koha, por duhen kushte sa i përket sigurisë fizike, të vjedhjeve dhe kushteve atmosferike të caktuara. Të zhduket kjo bibliotekë, të marrë një zjarr, zhduket një pjesë e kujtesës sonë historike.”, - thotë për "Report TV", drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha. 

Disa vite më parë, Biblioteka Kombëtare u përball me dy ngjarje shumë të rënda: përmbytjen nga uji dhe një zjarr, ngjarje që sollën dëmtim të koleksioneve dhe librave që ruhen në godinë dhe kjo ka bërë që kujdesi të jetë i shtuar.

“Masat, që mund të them me siguri ishin produkt i një amortizimi shumë të madh apo punimeve rrotull Bibliotekës Kombëtare, masat, janë ekstreme për të ruajtur Bibliotekën Kombëtare. Para se të largohemi kemi një njeri që merret vetëm me uljen e gjithë siguresave se nuk kemi siguri, kemi amortizim të rrjetit, edhe pse disa ndërhyrje janë bërë. Kështu dhe me ujin e me radhë, por kemi bërë çmos, me sistem disipline mjaft të rreptë. Por pa bërë ndërhyrje në themel është e pamundur se kjo bibliotekë është bërë në fillim të viteve ’60-të dhe nuk ka pasur ndërhyrje sidomos në katet nëntokë, por edhe sipër.”, - tregon Misha. 

Godina historike e Bibliotekës Kombëtare do të mbetet në funksion, edhe me ndërtimin e ‘banesës së re të librave’.

“Lajmi i mirë është që dhe kjo bibliotekë aktuale do të mbetet. Biblioteka tjetër do të ketë gjithë funksionet e tjera të bibliotekës kombëtare. Kjo do të ketë funksionet e një muzeumi, duke mbajtur dhe disa sektorë të tjerë që mund të jenë pak. Duke qenë në qendër do të ketë salla ekspozimi të përhershme.”, - shpjegon Misha. 

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sipas Mishës është një nga më të pasurat e Ballkanit Perëndimor sa i takon trashëgimisë greko-romake, bizantine, veneciane apo të Rilindjes Evropiane. Në të ruhen dhjetëra mijëra vepra si dhe një koleksion i jashtëzakonshëm hartash origjinale që datojnë thellë në kohë. Sa i përket ruajtjes së vlerave të rralla në Bibliotekë është propozuar krijimi i një hapësire të veçantë, të pajisur me të gjitha kushtet moderne, gjë për të cilën është dhënë fondi dhe ka filluar puna, që pritet të mbarojë vitin e ardhshëm.

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksioni ndaj objekteve pa leje në sezon turistik, a dëmtohet imazhi i vendit?