TIRANË- Në ditën e 15-të të shpalljes nga Ministria e Kulturës, të konkursit për Drejtor të Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor titullarja ende në detyrë, Zana Çela, bën me dije nëse synon një tjetër mandat.
“Sigurisht që do të rikandidoj”, shprehet Çela, duke vënë theksin edhe tek eksperienca 37-vjeçare që ka në këtë fushë.
Drejtorja ende në detyrë e “Operas” ka një përgjigje edhe sa i përket kritereve që renditen në njoftimin e Ministrisë së Kulturës për zotërimin e diplomës së nivelit “Master shkencor” (VKM nr.142 datë 12.3 2014), dhe kriterin preferencial për diploma në shkenca ekonomike ose menaxhim arti (VKM nr. 173, datë 07.03.2003).
“Këto kritere nuk bien ndesh me CV-në time. Qeveria shqiptare formaton shumë qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë drejtorët e përgjithshëm të administratës së shtetit shqiptar dhe si kriter kryesor është masteri shkencor, pa e diktuar se në cilin degë do të jetë masteri. Dhe sigurisht që unë e kam masterin shkencor!”, thotë me tej Çela.
Synimi për një tjetër mandat i drejtores aktuale të “Operas”, vjen siç thotë ajo, për të përmbushur programin e nisur, për zhvillimin e të cilit shpjegon nëse ka pasur Ministrinë e Kulturës si aleate.
“Teatri i Operas sot, në bazë të ligjit të shtetit shqiptar, përfiton vetëm 30 për qind të të ardhurave nga çdo lloj shitje. Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Kulturës pikërisht për avancuar stilin e menaxhimit, i kemi dorëzuar një kërkesë që ka tre momente kryesore që ka të bëjë me rritjen e çmimit të biletave, me një formatim ndryshe të shitjes së biletave apo dhe bileta kontribuuese. Po ashtu i kemi propozuar edhe uljen e biletave për komunitetet në nevojë apo studentët. Deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje. Është një dokument i mbetur ‘pending”, shprehet Çela.
Nuk është harruar, siç pohon Çela as premtimi i Kryeministrit Rama për 2-fishimin e pagave të solistëve të Teatrit gjatë këtij viti.
“Në dijeninë time nuk ka asgjë që e ka penguar këtë. Unë jam në pritje ashtu siç jemi të gjithë në pritje të këtij premtimi. Por sigurisht jam e sigurt që kryeministri i vendit do të fillojë implementimin e këtij premtimi”, shton Çela.
Sa i përket shkeljeve të disiplinës buxhetore, të konstatuara nga KLSH lidhur me projektin “Rehabilitimi i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor”, Çela distancohet duke pohuar se në pozicionin që ka, nuk ka nënshkruar asnjë kontratë a marrëveshje që ta lidhë me to.
“Projekti i rikonstruksionit gjithmonë ka qenë projekt i Ministrisë së Kulturës, ndërsa Teatri i Operas, është një institucion përfitues. Në fakt Teatri i Operas është në etapën e fundit të këtij procesi, që do të thotë marrja në dorëzim kalim kapitali, këtu është Teatri i Operas”, pohon ajo.
Në fakt, Auditimi Financiar i KLSH publikuar në mars të 2020-ës, nënvizon faktin se Ministria e Kulturës kishte marrë përsipër të mbulonte një pjesë të projektit për rehabilitimin e “Operës” përmes Fondit Grek, të cilin, pasi nuk mundi ta sigurojë e mbuloi duke kërkuar rishikim të buxhetit.
Ministria e Kulturës, përmes Shefit të Kabinetit, Ergis Sefa, ka shpjeguar për “Report tv”, situatën në lidhje me këto vërejtje të KLSH-së.
“Investimi për Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor ka mbaruar që vitin që shkoi dhe ka qenë në buxhetet e viteve të mëparshme. Në buxhetin aktual të këtij viti, nuk ka asnjë fond tjetër përsa i përket këtij investimi, pasi është një investim i mbyllur. Në raportet paraprake që po flisni ju të KLSH-së, mos harroni që janë gjithmonë raporte paraprake ku ne kemi dhënë përgjigjet tona. Dhe në raportet përfundimtare dhe KLSH ka pasqyruar të gjitha përgjigjet tona përkatëse. Dhe në dijeninë time, nuk ka konstatuar probleme të mëdha”, shprehet Sefa.
Me qëllim që finalizimi i rikonstruksionit të godinës së TKOB të përfundonte në vitin 2019 por njëkohësisht të vijohet edhe me blerjen e pajisjeve të kësaj godine, MK-së, me Aktin Normativ nr.2 dt 19.12.2018, iu shtua një fond prej 210,000 mijë lekë.
Po per punesimet nuk kontrolloi KLSH? Qe nuk behen konkurse Dhe kur behen komisionet jane jo te ligjshme.. Nuk kane as numrin e ligjshem te antetareve. Dhe kjo per te pasur dore te lire drejtoresha qe te fuse ate qe do vete..
Përgjigju