Entuziazmi i tifozëve të Paris Saint Germain pas fitores 5-0 ndaj Interit në finalen e Champions League mori përmasa të papërmbajtshme. Pas fundit të ndeshjes në “Allianz Arena”, qindra tifozë zbarkuan në fushë, duke dëmtuar rëndë sipërfaqen e gjelbër në disa zona.
Sipas raportimeve, një pjesë e tifozëve morën copa bari si suvenire nga nata e paharrueshme për klubin francez. Stafi i sigurisë nuk arriti të përmbante tifozët, duke bërë që fusha e stadiumit në Mynih, e planifikuar për të pritur gjysmëfinalen e Nations League mes Gjermanisë dhe Portugalisë të pësojë dëme të konsiderueshme.
UEFA ka reaguar menjëherë duke paralajmëruar masa disiplinore dhe një gjobë të mundshme ndaj PSG-së për shkak të sjelljes së tifozëve të saj. Ndërkohë shqetësimi kryesor ishte nëse ndeshja e së mërkurës do të mund të zhvillohej sipas planit.
Drejtori i “Allianz Arena”, Nyrgen Muth u shpreh se fusha do të rikuperohet në kohë dhe gjysmëfinalja Gjermani - Portugali do të luhet pa asnjë ndryshim. “Vendet ku fusha është dëmtuar do të rikuperohen. Ndeshja e të mërkurës nuk është në rrezik”, deklaroi ai për mediat lokale.
Gjysmëfinalja e Nations League është planifikuar të zhvillohet më 4 qershor dhe ka tërhequr vëmendje të madhe, ndaj çdo vonesë apo problem do të kishte pasoja serioze organizative dhe mediatike.
Komente
