Në provat e Ansamblit/ Artistët përgatisin shfaqjen për datëlindjen e 65-të, në skenë eposi me këngë, valle e ilustrime

8 Nëntor 2022, 14:28| Përditesimi: 8 Nëntor 2022, 15:03

  • Share

Prej pak ditësh në Teatrin e Operas, Ansambli Popullor po bën provat e fundit.

“Është një shfaqje unikale për nga përmbajtja, mënyra e ndërtimit koncepti përmes të cilit është ndërtuar”, thotë regjisori e kompozitori i shfaqjes Gerti Druga.

Datëlindjen e 65-të, trupa ka zgjedhur ta festojë bashkë me publikun. Në skenën e Operas, mbrëmjen e së mërkurës e të enjten në orën 19.00 , sjellin një performance që zgjon tabanin me shfaqjen repertor  “Trimat e Jutbinës”  bazuar në “Tregimet e Moçme” të Kutelit.

“Në thelb mban të gjithë emocionet dhe anën shpirtërore të një kombi, duke përfshirë edhe pjesën e traditave që ne kemi kaq të rëndësishme dhe kaq të bukur”, tregon më tej Druga.

Janë 11 rrëfenja, që siç thotë regjisori e kompozitori Gerti Druga, konceptohen në formën e një ëndrre, ku e kaluara të sillet në skenë përmes legjendave, eposit, kërcimit tradicional si “Vallja e Burrave” që mban gjurmët e Rexhep Çelikut, a “Vajtimit të Ajkunës”,  të përshtatur në libret nga autori i ndjerë Petrit Ruka.

“Është një shfaqje që nuk njeh moshë, i përket edhe fëmijëve, edhe të rriturve. Një shfaqje që i prek të gjithë”, shton më tej.

Në sfond Eposin e Kreshnikëve do ta rrëfejë, grafika e Gazmend Lekës ndërsa zëri i Hatixhe Lushit dhe Gëzim Halilit… ringjallin figurën e Mujit e të Ajkunës, rrethuar nga zanat, orët, trimat e agallarët e Jutbinës që në dy mbrëmje jetësohen, përmes artistëve të Ansamblit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?