Dy persona, një burrë dhe një grua, po hetohen në gjendje të lirë pasi tentuan të kalojnë pikën kufitare të Rinasit përmes testeve të falsifikuara të COVID-19, që i identifikonin ata negativ nga virusi.
Policia thotë se njëri nga personat do udhëtonte drejt Gjermanisë e tjetri drejt Athinës. Për zbulimin e dy rasteve u bashkëpunua edhe me klinikat mjekësore që lëshojnë testet e COVID.
Në hetim për veprën “falsifikim të formularëve, vulave apo stampave” janë një 45-vjeçar nga Fushë-Mamurrasi dhe një grua 43-vjeçare nga Kosturi i Hasit.
Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.