“Hyr në llogore, hyr në llogore. Ja ku e ke armikun, 200 metra larg teje, në shkurre (…)”, thotë një zë mashkulli, përderisa një ushtar i animuar i ik predhës virtuale.
“U vra. Snajperisti duket se po na sheh qartë nga ajo shkurre. Më mbuloni që të vrapoj dhe të hedh bombën”. Pas disa sekondash dëgjohet një shpërthim, por të shtënat vazhdojnë.
Kjo nuk është nga ndonjë film lufte, por bisedë e një grupi lojtarësh që po luanin një video-lojë, në të cilën një nga misionet është që pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska të parandalojnë forcat kroate të kryejnë operacionin ushtarak-policor “Stuhia”, i cili në jetën reale ndodhi në gusht të vitit 1995.
Sipas një hulumtimi nga Radio Evropa e Lirë (REL), në internet mund të gjenden disa video-lojëra në të cilat simulohen konfliktet ushtarake, që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, e aty, si pjesë e misioneve, gjithashtu mund të “luhen’ edhe krimet e luftës.
Aktualisht, platforma më e famshme në Serbi është “Arma Srbija”, ku përdoruesit mblidhen për të luajtur njëkohësisht në kohë reale në internet.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturën video-lojë, qitësi i parë, (First-personshooter – FPS), në të cilën lojtarët janë pjesë e një ushtrie të caktuar dhe luftojnë kundër robotëve kompjuterikë, që drejtojnë një ushtri rivale.
Ata publikojnë lojërat e tyre (lojtarë të video-lojërave) në platformën YouTube më të njëjtin emër, e cila ka rreth 2,400 ndjekës.
Kështu, më 23 tetor, u publikua një video e grupit me titull “Lufta aktuale: Operacioni Anti-terrorist në Rahovicë”. Lojtarët janë të veshur me uniforma të maskuara me shenjat e policisë serbe.
Loja zhvillohet në zonën e fshatit afër Preshevës, në jug të Serbisë dhe në përshkrimin e videos thuhet se operacioni, “pasoi provokimet e terroristëve shqiptarë pranë Rahovicës më 13 maj 2001”./ Gazeta Express