Sapo ka mbushur 105 vite, dhe po jeton i fortë shekullin e dytë të jetës së tij, teksa pas viteve shkëputje është rikthyer në auditorët që i kushtoi 4 dekada e gjysmë, në Fakultetin e Drejtësisë.
“Babai” i kodit penal në vitin e hershëm 1952, profesor Ismeti flet për rrugëtimin e gjatë ndërsa çelësin e suksesit thotë se e ka mbështetur ne tre parime themelore që e kanë udhëhequr në jetë.
“Vlerat e kanunit: Vlera e parë është ndershmëria, vlera e dytë është besa dhe vlera e tretë respekti për mikun dhe mikpritjen. Këto tradita te regjistruara ne Kanunin e Labërisë unë i përdora si pikënisje të misionit tim”, thotë mes emocionesh profesori.
Si një prej ikonave që jetën ia kushtoi drejtësisë, profesori 105-vjecar, nuk mund të mos e kishte një mesazh lidhur me situatën aktuale të drejtësisë në vend, një apel për ata që shërbejnë aktualisht në sistem.
“Porosia ime mbi të gjitha është të ruajnë vlerat, që të bëhet një mision i përkryer. Nëse humbin nderin dhe fillon korrupsionin dhe narkotikë, atëherë ka marr fund edhe kultura edhe të gjithë të tjerat”, thotë profesor Ismet Elezi.
Mes emocionesh dhe duartrokitjesh, ceremonia u nderua edhe nga figura të larta të politikës shqiptare. Presidenti Bajram Begaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dikur student i profesor Elezit, vlerësuan rolin jetik të tij në formësimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“Një jetë edhe një karrierë të realizuar një figurë mbresëlënëse të shkencës juridike, të një edukator të përkushtuar”, tha Begaj.
“Si shumë studentë të tjerë e shihnin profesorin si një figurë të madhe pothuajse të paarritshme, por gjithmonë i afërt, gjithmonë njerëzor, me përulësi qe vetëm njerëzit e mëdhenj si ai dinë të japin”, u shpreh ministri Manja.
Ismet Elezi mbetet një emër i pashlyeshëm në historinë e jurisprudencës shqiptare. Në vitin 1952, ai hartoi Kodin Penal të vendit, si i vetmi jurist shqiptar i diplomuar jashtë Shqipërisë në atë kohë. Me mbi 80 vite eksperiencë dhe mbi 280 botime shkencore – përfshirë 34 libra, monografi e tekste universitare – ai ka lënë gjurmë të thella, veçanërisht në fushën e të drejtës penale dhe asaj zakonore.
Komente
