Edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji reagoi për projektligjin e legalizimit të kanabisit, ku tha se qeveria po e bën fakt prodhimin e drogës, duke e përligjur me lejimin e kultivimit të kanabisit për arsye mjekësore.
Në një postim në Facebook, Salianji tha se nën qeverisjen e Ramës kanabisi është bërë tejet i aksesueshëm, ku edhe përdori ironinë se: “Kjo politikë ka bërë që sot afër shkollave më lehtësisht gjen kanabis se çokollata”.
Për Ervin Salianjin, ligji për legalizimin e kanabisit e largon Shqipërinë nga Europa.
“Qeverisjen e Ramës më shumë se gjithçka e personifikon kanabisi dhe lidhja simbiotike me krimin! E mbronte me fanatizëm dhe me propagandë kanabizimin e Shqipërisë duke mohuar haptaz faktet e pakundërshtueshme që denonconim thuajse përditshëm.
Tanimë qeveria po bën fakt ligjërimin e prodhimit të drogës dhe trafikimin lehtësisht ku në çdo rast gjoba parashikohet si dënimi më i ashpër!
Kjo politikë e ndjekur ka sjellë pasoja tepër të rënda, në gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri, ku përditë raportohen krime, vrasje, tritol! Kjo politikë ka bërë që sot afër shkollave më lehtësisht gjen kanabis se çokollata! Ky projekt bashkë me projektin për amnistimin e parave të pista e kthen Shqipërinë nën sovranitetin e plotë të kontigjentëve kriminalë! Ditën kur Bashkimi Europian angazhohet maksimalisht për të hapur rrugën e Shqipërisë për çeljen e negociatave, Edi Rama dhe qeveria e tij nxjerrin për konsultim ligjin për kanabisin. Shqiptarët duan europën por Edi Rama ka tjetër rrugë!”, shkroi Salianji.
Lajmi kryesor:
Projektligji për legalizimin e kanabisit në konsultim publik, Alibeaj: Rama i vendosur t’i shkojë deri në fund marrëzisë
K.T./ReportTv.al