Sociologu Gëzim Tushe thotë se fëmijët do t'i përjetojnë ndryshimet në shkollë por ajo çka duhet t'i mësojmë është që më të rëndësishme janë parimet e shëndetit dhe se asgjë nuk vjen mbi to.
"Kushtet e pandemisë janë kushte të reja dhe fëmijët do i përjetojnë ndryshimet në shkollë. Ajo që do i mësojmë fëmijët është që e vërteta morale dhe vlerat e sjelljes janë relative, ndryshimet që do ndodhin në mënyrën e sjelljes dhe socializimit janë ndryshime që po ndodhin, do ja mësojmë këtë kulturë të re, që do t'i mësojmë që më të rëndësishme janë parimet e shëndet. Do këtë ndryshime për mirë", tha Tushe.
Të shqetësuar për rikthimin e të vegjëlve në shkollë janë prindërit.
"Frika është, shpresojmë që të shkojë gjithçka mirë, por mbetet për t'u parë. Duhet të bëhet maksimumi mundësive që të merren masat dhe të zbatohen me sa më rigorozitet", shprehet një prind.
Sociologu kërkon që prindërit të kompensojnë boshllëqet e shkollës duke mos u dhënë më aq shumë pas interesave dhe synimeve të tyre por duke zgjeruar më tepër kohën e prindërimit.
"Pra shkollës i janë shtuar dhe defekte të reja përveç atyre tradicionale. Këto defekte duhet t'i kompensojnë prindërit. Ata duhet të ndjejnë përgjegjësi më të madhe, të kompesojnë boshllëqet që do ketë shkolla, duhet të mos jenë kaq cinik duke u dhënë pas interesave dhe synimeve të tyre por duhet të gjejnë kohën e prindërimit të tyre. Duhet të mendojmë që situata të tilla që prindërit dhe mësuesit janë figura që duhet të kompesojnë defektet që fëmijët ta kalojnë sa më butë periudhën e pandemisë dhe post-pandemisë", tha Tushe.
Sociologu Tushe u sugjeron mësuesve se duhet t'i lënë pas skemat e vjetra por të integrojnë skema të reja që t'i ndihmojë fëmijët të përshtaten pa cenuar zhvillimin e tyre mendor dhe emocional.