Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka kaluar shumë mirë dhe se ai është dakordësuar me presidentin Meta dhe kryetarin e PD Lulzim Basha, për hapat që duhen ndërmarrë drejt lirimit të masave të karantinës.
Në fakt, duket lajm i mirë, por në këtë shoqëri, është lajm i gabuar.
Edi Rama duhet t’ia kursente publikut këtë lajm, pasi thjesht do ta rëndojë më shumë klimën politike me akuza qysh nesër në mëngjes dhe do t’i prishë punë vetes.
I pari do jetë Sali Berisha, i cili në të tilla raste refuzon ta pyesë Lulzim Bashën përse është folur dhe fillon me thirrjet “luftë”, “revolucion”, “vdekje”, “përmbysje”, derisa dikush ta qetësojë e t’i thotë që nuk është e vërtetë që Rama me Bashën kanë kaluar mirë. Përkundrazi, janë përleshur, por ngaqë ishn online nuk janë rrahur fizikisht.
Po ashtu dhe Ilir Meta do vihet në siklet me Petrit Vasilin, pasi ky i fundit do ankohet se vetë e lëshon të “shqyejë” Ramën çdo ditë, kurse po vet kalon mirë me Edi Ramën në mbledhje.
Kësisoj të nesërmen vetëm nga lajmi i Edi Ramës se mbledhja kaloi mirë, do fillojë të bëhet gjithçka keq.
Arsyeja është se politikanët tanë nuk e ndërtojnë dot politikën publike mbi bashkëpunimin, por mbi armiqësinë deri në vdekje ndonjëherë. Nuk di pse u është mbushur mendja që kundërshtari duhet vrarë, që të quhesh fitues. Dhe këtë e kanë për sytë e publikut, se kur takohen me njëri- tjetrin, ashtu siç thotë Edi Rama është.
E gjithë kjo më kujton natën e 4 marsit 1997, kur dy- tre gazetarë morëm iniciativën të organizonim një takim të fshehtë mes opozitës së atëhershme dhe Sali Berishës, që ishte ngujuar në Presidencë, takim që çoi tek marrëveshja e 9 marsit. Gjithë sikleti im kur u bë lista e opozitës, ishte Neritan Ceka, i cili duhej të ishte patjetër, pasi ishte njeriu më aktiv i opozitës. Neritan Ceka është një nga figurat më të komplikuara të poltikës shqiptare. Ai është një erudit i vërtetë, intelektual i kompletuar dhe një njeri që mund ta nderojë vendin në çdo vend të botës si intelektual. Ai po ashtu është politikani më shpërthyes dhe i pamenaxhueshëm që ka njohur ky vend, e falë kësaj cilësie s’bëri dot kurrë para në politikë.
Ndërsa i futëm në Presidencë nga dera e pasme, po prisja në “Rogner” bashkë me Nazarkon të dilte Preç Zogaj.
Rreth orës 9 të darkës, pasi dolën andej, Preçi erdhi i gëzuar.
-Hë, si shkoi, i thashë?
-Lere u bë gjë e madhe, tha. Shumë mirë.
-Po Neritani?
-Ai për pak e prishi mbledhjen, tha me humor. Në fillim e filloi Saliu.
I tha:
-Po ku je mo Neritan, se u ndamë… Dhe diçka kishte thënë për fajet e tij në këtë pikë.
-Jo, kemi dhe ne fajet tona, ja kishte pritur Neritani.
Dhe pas dy batutash ishin gati të ziheshin duke marrë secili përgjegjësinë për të qenë ai fajtor.
Askush nuk e besonte këtë në opinionin publik. As unë, sikur të mos ma tregonte njeriu që sa kishte dalë nga ajo zyrë.
Dhe nuk e kisha shumë gabim. Pas dy ditësh Neritani ishte zjarr kundër marrëveshjes që sapo kishte arritur vetë në fshehtësi.
Ndaj këto lajmet e mira për bashkëpunimin politik në Shqipëri nuk duhen bërë publike, se këta politikanët tanë i “ha me sy” ndonjë plak dhe nuk durojnë gjatë./ tema