Frederik Ndoci

Ben Blushi: Frederik Ndoci, Donald Trump dhe Iluminati

18 Maj 2022, 11:47| Përditesimi: 18 Maj 2022, 12:04

  • Share

Frederik Ndocin e gjeta në një kafe. Po fliste me gruan në skype.

Ja, më tha, kjo është gruaja ime e fundit.

Është e pesta, thashë unë.

Është e fundit, tha Frederiku.

E beson që je e fundit, pyeta gruan?

Se merr njeri Rikun pas meje, tha gruaja.

Pse të thotë Rik, pyeta Frederikun?

Edhe Rri dhe Ik, tha Frederiku, d.m.th bëj ç’të duash.

Kur ke ardhur, i thashë?

Kam 70 ditë në Tiranë, tha.

Ç'bën këtu?

Po pres të më japin një dekoratë, tha Riku, më thanë hajde urgjent.

Po çështë kjo urgjencë 70 ditë, e pyeta?

Procedurat, tha Riku, kam bërë një dosje të plotë, ja shife.

Nuk me duhet dosja, a ke bërë ndonjë këngë?

Kam bërë,? tha Riku.

Si quhet, i thashë

Kënga e Pijes.

Ma këndo, i thashë.

Dikush pin për me kthye shnetin

Dikush pin se asht mësu

Dikush pin me çel bisedën

Dikush pak me e provu

Po ti për çfarë pi, e pyeta?

Unë pi për të çel bisedën, tha Riku.

Sa këngë ke bërë gjithsej?

400, janë të orkestruara.

Kush ka më shumë këngë se ty?

Askush, tha Riku, a e di ça më thoshte Robert Radoja?

Ma thuaj, i thashë.

Berti më thoshte që kur të vdesësh do harrohesh shpejt, sepse askush nuk i këndon dot këngët e tua pasi zëri yt është i pazëvendësueshëm.

Po ti je fetar, a beson te jeta pas vdekjes?

Besoj sigurisht, tha Riku.

Po ty kush të ka krijuar, prindërit apo Zoti?

Materien, d.m.th trupin, ma kanë krijuar prindërit, kurse shpirtin ma ka dhënë Zoti, tha Riku.

Ku jeton në Amerikë, e pyeta?

Në Tampa Bay, tha Riku.

Herën e fundit që jemi takuar jetoje në Neë Jork.

Neë Jorku u bë i pajetueshëm nga covidi.

Pse të zuri covidi, e pyeta?

Covidi nuk ekziston, tha Riku.

Mua më kanë vdekur shokë nga covidi, thashë unë.

Është sajesë e Iluminatit, tha Riku, më beso.

Po pse e sajoi Iluminati covidin, ça thua kështu, i thashë.

Për të zvogëluar botën. Plani i tyre është që bota të ketë 600 milion banorë.

D.m.th do vdesin nja 8 miliard të tjerë po thua?

Po, tha Riku, pas covidit do kontaminojnë ujin, do shofësh çfarë do ndodhë.

Po çfarë interesi ka Iluminati që vret njerëz, a nuk i duhet fuqi punëtore bizneseve të tyre?

Kanë shpikur robotët që zëvendësojnë njerëzit dhe nuk kanë pse paguajnë pensione dhe mbajnë miliarda me ushqime. Ata duan ti zhdukin të varfërit.

Kush janë Iluminati, pyeta?

Janë të majtët, Morgan, Rokfeler, Rothshild, këta janë ata që kërkojnë New Order.

Unë nuk i besoj këto gjëra, i thashë, por ndoshta bota ka nevojë për një New Order, për një Reset.

Ja dhe ti je si këta, tha Riku, dikur kam pasur besim te ty, bëre dhe një parti shumë të mirë pastaj shkove prapë me këta.

Po si mund të besoj se covidi u sajua për të vrarë njerëz, i thashë.

Po tha Riku, covidi shpërndahet me dron nga ajri.

Ku janë këta dron, s'kam parë gjë?

Dalin natën, tha Riku, hedhin pluhur mbi qytete.

Rik a ka njeri që frenon Iluminatin?

Vetëm një njeri mund ti frenojë, tha Riku.

Kush, pyeta unë?

Donald Trump, tha Riku.

Trump i humbi zgjedhjet, thashë unë.

Ja vodhën, 82 për qind e Amerikës votoi për të.

Ça thua, i thashë, edhe ti beson që zgjedhjet në Amerikë vidhen?

Unë kam fakte tha Riku, unë jam Trump Team, ata ndryshuan fletët e votimit në shumicën e shteteve.

E ti më thua pse e le partinë, kur i vjedhin votat Trumpit po mua si nuk mi vjedhin?

A e di kush ia vodhi votat Donaldit?

Kush, e pyeta?

Vatikani, tha Riku.

Rik, i thashë, je dhe katolik si mund të thuash që Vatikani vjedh vota.

Po, sepse Papa është me Iluminatin dhe hakerat e Vatikanit vodhën votat në Amerikë, po ju këtu në Evropë nuk keni informacion.

Sipas teje fiton prapë Trump?

Qind për qind, tha Riku.

E çfarë ndodh nëse fiton?.

Do ketë luftë, tha Riku

Prapë luftë, e pyeta unë?

Do jetë ndeshja finale mes Iluminatit dhe Templarëve, të majtët janë Iluminati, Trumpi përfaqëson Templarët.

Akoma me këto histori prej një mijë vitesh, ça thua kështu Rik.

Është betejë e madhe, tha Riku, a e di që këta luftojnë për sekretet e Mbretit Solomon?

Çfarë sekretesh kishte Mbreti Solomon?

Solomoni kishte sekretin e pavdekësisë, tha Riku.

Edhe ti beson që dikush e ka formulën e pavdekësisë?

Ore shif Soros nuk po vdes akoma, është kthyer në dinosaur.

A je vaksinuar, e pyeta?

Unë jam antivax, tha Riku.

Si mund të jesh kundër vaksinës, atë e provon shkenca, thashë unë.

Ma jep numrin e vaksinës të të them nga çfarë sëmundje do vuash sepse bashkë me vaksinën të kanë futur sëmundje në trup.

Kur do ikësh në Amerikë, e pyeta?

Këto ditë, tha Riku.

Nuk do e presësh dekoratën e presidentit?

Nuk e di a do ma japin, edhe këtu drejton Iluminati.

Po çi duhemi ne Iluminatit, Shqipëria është shumë e vogël, thashë unë.

A e ke parë flamurin tonë, tha Riku?

Natyrisht që e kam parë.

Ato dy kokat e shqiponjës me gjuhë jashtë janë gjarpërinj, është simbol i Iluminatit.

Po pse Iluminati e vuri simbolin e vet te flamuri jonë dhe nuk e vuri te flamuri italian apo francez, ça thua kështu, ai është simbol bizantin, thashë unë.

E ke gabim, tha Riku, edhe perandoria osmane ishte krijesë e Iluminatit.

Do bëjmë ca fotografi, e pyeta?

Bëjmë, tha Riku, por do nxjerrësh dy simbolet e mia.

Kush janë simbolet e tua, e pyeta?

Kryqi në vesh dhe kapelja në kokë, tha Riku, njëra më bën katolik tjetra gentleman.

Do ti nxjerr, thashë unë.

Mos harro të më çosh numrin e vaksinës të të them nga se do vdesësh, tha Riku.

Nuk dua ta di, thashë unë.

Mirë tha Riku, nëse ndonjëhërë bëhesh kurioz, më merr në telefon..

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?