Leon Simoni, 31 vjeç, nga Shkodra, po kryente manovra të rrezikshme mbrëmjen e 14 shtatorit në Berat, kur përplasi 3 persona, me makinën e tij fuoristradë, Mercedez-Benz. Si pasojë, Blerina e Mersine Nerjaku dhe Shkëlqim Kapxhiu, u plagosën rëndë dhe përfunduan në spital. I riu përfundoi në pranga, i “tradhtuar” nga pamjet e kamerave të sigurisë që filmuan sjelljen e tij të çmendur në timon. Ky ishte një prej 93 aksidenteve të ndodhura gjatë muajit shtator në vend. Sipas INSTAT, ngjarjet rrugore u shtuan përgjatë shtatorit.
Nëse në të njëjtën periudhë të një viti më parë janë regjistruar 89 ngjarje rrugore, por këtë vit aksidentet në shtator u shtuan në vlerën e 4.5%, sipas të dhënave të mbledhura nga Instituti i Statistikave. Muaji i nëntë i vitit shënoi 122 persona të aksidentuar, të vdekur dhe të plagosur, 12 më pak se shtatori 2022. Kjo do të thotë se aksidentet janë shtuar, por me pasoja më të vogla në jetë njerëzish. Të dhënat flasin për drejtuesit e mjeteve si shkaktarë aksidentesh, të cilët kanë qenë fajtor për gati 95% të rasteve të përplasjeve.
Edhe këtë muaj grup mosha nga 25 deri në 34 vjeç mbanë primatin e përplasjeve, me më shumë se ¼ e aksidenteve, duke shënuar rritje me 9.1%, krahasuar me shtatorin 2022. Sipas INSTAT, e shtuna është dita ku bëhen më shumë aksidente, më shumë se 20% e totalit, ndërsa orët e paradites mbajnë primatin në raport me oraret e tjera. Megjithatë, nëse shtatori solli rritje të përplasjeve, shifrat janë pozitive në total për 9 muajt e parë të 2023-shit, ku u regjistruan 2.4% aksidente më pak, përkatësisht 863 dhe 884.
AKSIDENTET
Shtator 2023 - 93 aksidente
Shtator 2022 - 89 aksidente
Shtator 2023 - 122 viktima/plagosur
Shtator 2022 - 134 viktima/plagosur
Janar-Shtator 2023 - 863 aksidente
Janar-Shtator 2022 - 884 aksidente