Për më shumë se 200 minuta, në intervistën e fundit në televizionin e familjes Berisha, ish zv. kryeministrit Arben Ahmetaj mes shumë skandaleve të pretenduara qeveritare, akuzoi se zv/kryeministrja Belinda Balluku ka mbështetur me para protestat e organizuara përpara Bashkisë së Tiranës, kundër Erion Veliajt.
Përveçse sikletit të madh të televizionit por edhe familjes nëse mes ‘akuzave të bujshme ndaj qeverisë’ do ta besojnë edhe këtë që lidh beniaminin e Berishës, Belind Këlliçi si të paguar nga numri dy i qeverisë, në siklet të madh është venë edhe vetë Këlliçi.
I ftuar në një emision televiziv, vetëm dy ditë më parë, i shqetësuar për deklaratën e Ahmetajt dhe vënë përballë detyrimit për ta sqaruar atë, Këlliçi në tentativë për të bërë një piruetë edhe për të mbrojtur Ballukun thotë se në atë protestë para Bashkisë ka vetëm militantët të PD.
"Unë 99.9% të njerëzve aty i njoh personalisht. Janë të njëjtët njerëz që jemi përherë. E dimë kush janë. Janë thellësisht anëtarë pjesa më e madhe, simpatizantë, opozitarë, anëtarë të PD e të tjerë! Nuk baltoset dot ajo protestë", tha fillimisht Këlliçi.
Vetëm 4 minuta më vonë regjistron vetëpërgënjeshtrimin e denjë për “rekord Guinnes”.
“Nuk është një protestë politike, nuk është partiake, është tërësisht qytetare dhe në mbrojtje të buxhetit të qytetarëve të Tiranës. Në të gjitha 44 protestat janë shumë e shumë qytetarët që kanë kaluar minimalisht një ose dy herë në protestë", deklaroi më pas ai.
Pra, kur i duhet të hedhë poshtë akuzën se ka një bashkëpunim “Belo & Bela” kundër Veliajt, Këlliçit i leverdis që protestuesit të jenë të gjithë militantë demokratë, ndërsa për ta shitur protestën me 20 vetë si pro interesit publik ajo nuk është partiake. Kapërcim që e bën edhe më shumë qesharak Këlliçin, i cili një përgjigje nuk e ka ende nëse gënjen Ahmetaj kur flet për aleancë të tij me Ballukun, dhe nëse po pse kur pretendon për skandale qeveritare thotë të vërtetën?