'Ne të njollosur me baltë, ju me gjak', 130 mijë banorë të Valencias në Spanjë kërkojnë dorëheqjen e guvernatorit të rajonit

9 Nëntor, 20:32| Përditesimi: 9 Nëntor, 20:51

  • Share

Me thirrjet “vrasës” dhe “ne të njollosur me baltë, ju të njollosur me gjak,” 130 mijë persona (sipas të dhënave të qeverisë) dolën në shesh në qendër të Valencias për të kërkuar që Carlos Mazón, guvernatori i Rajonit, të japë dorëheqjen si përgjigje ndaj asaj që po konsiderohet si faj i rëndë i administratës vendore në menaxhimin e stuhisë Dana që më 29 tetor goditi pjesën jugperëndimore të Spanjës.

Ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rëndohet, me 223 të vdekur (prej të cilëve 215 në zonën e Valencias) dhe 78 ende të zhdukur, protestuesit iu përgjigjën masivisht thirrjes së rreth njëzet shoqatave civile dhe sindikale që u caktuan në orën 18 përpara bashkisë së Valencias (duke i thirrur me një poster ku Mazón shihej me kokë poshtë) për “të denoncuar mosveprimin e qeverisë vendore” përballë emergjencës së shkaktuar nga Dana dhe për të kërkuar dorëheqjen e guvernatorit rajonal.

Tubimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, edhe pse disa persona kanë hedhur tymues në drejtim të derës së bashkisë, ku ishin vendosur policë që reaguan duke i larguar protestuesit në një moment tensioni. Ndërkohë në rrjetet sociale spanjolle hashtagët #MazonAPrision (Mazón në burg) dhe #MazonDimissió (Mazón dorëheqje) janë trending topic me dhjetëra video të manifestimit të madh që shpërndahen.

Një tubim në të njëjtën orë është mbajtur edhe në Puerta del Sol në Madrid dhe po ashtu protesta të tjera në Alicante dhe Elche.

Në përgjigje të pjesëmarrjes së lartë në tubimin e Valencias, Partia Popullore (parti e qendrës së djathtë ku bën pjesë guvernatori) ka ndërhyrë duke akuzuar protestuesit se janë “të politizuar” dhe të nxitur nga grupet katalanase të “Països Catalans”.

Midis protestuesve ka nga ata që thërrasin “populli po vdes, Mazón po ha,” pasi për të rënduar më tej pozicionin e guvernatorit, të akuzuar për nënvlerësimin e ashpërsisë së emergjencës klimatike dhe për mosaktivizimin e një përgjigjeje të duhur në kohë, El País publikoi dje një raport sipas të cilit Mazón-i popullor, ditën e përmbytjes, mbërriti me dy orë vonesë në mbledhjen e qendrës së koordinimit të emergjencave Cecopi, që ai drejton, duke qëndruar për drekë deri vonë me një gazetare, të cilës i kishte ofruar drejtimin e televizionit lokal A Punt. Sipas gazetës spanjolle, Mazón qëndroi deri pas orës 18 në restorantin El Ventorro, në qendër të Valencias. Në orën 17 të po asaj dite ishte thirrur një mbledhje e qendrës së emergjencave. Në atë mbledhje Mazón thuhet se mbërriti pothuajse dy orë pas fillimit, zbuloi radio Cadena Ser./ La Repubblica 

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?