Në muajin tetor Ministria e Bujqësisë do të prezantojë Skemën Kombëtare të Investimeve për fermerët, me fokus ndërtimin e serave të mbrojtura nga breshri, por pas nuk do mbeten as investimet edhe për blegtorinë.
“Në muajin tetor linçojmë këtë Skemë Kombëtare të Investimeve për ndërtime të reja të serrave, fermave blegtorale, mekanikë bujqësore dhe sigurisht mbrojtjen ndaj breshrit, që ka qenë një situatë jo e pazakontë për disa zona të Shqipërisë veri-lindore në veçanti dhe që ka krijuar humbje”, tha Denaj.
Ministrja Anila Denaj tha se kjo skemë siguron financim për fermerët 50% në formë granti.
“E kemi menduar që t’a fusim edhe këtë si një pjesë të investimeve me grante, ku granti është 50%”, tha Denaj.
Denaj ka shtuar se ka nisur shpërndarja e fondeve për fermerët që kanë aplikuar për skemën kombëtare, fillimisht po marrin paratë ata fermerë që u bashkuan për të aplikuar për mbështetje.
“Ne jemi ende duke përfunduar gjithë vlerësimin se sa prej tyre i kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin në rregull, por besoj që 69 000 do të jenë në parashikimin tonë përfitues. Është skema me mbështetjen më të madhe në numër dhe do të jetë dhe në vlerë, por shpërndarja siç e thash edhe pak më parë ka filluar nga ata që janë të bashkuar drejt bashkimit të operatorëve, të cilët sot janë duke përfituar në masën 100%”, tha Denaj.
Për skemën kombëtare të këtij viti aplikuan në total 71 mijë fermerë, ndërkohë me rishikimin e buxhetit të shtetit të muajit gusht Denaj tha se është garantuar financim për të gjithë sektorin nga bujqësia, blegtoria e deri tek peshkimi.
Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj mori pjesë edhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku prezantoi projektligjin për veterinarinë dhe atë të peshkimit. Sipas saj synohet të rritet flota e anijeve peshkuese e të sigurohet më shumë prodhim peshku, si dhe të përmirësohet siguria ushqimore.