Nuk është thjesht një festival, por një ftesë për t’u bashkuar. Që nga mbrëmja e hapjes, projektuar si një moment mikpritës me muzikë, pamje nga qyteti dhe fjalime të zgjedhura, ‘Bukë dhe zemër’ krijoi një mjedis të veçantë, për takime të vërteta, në zemër të Tiranës, mes emrave më në zë të arkitekturës botërore.
Të mbledhur në një hapësirë gati eksperimentale, në një godinë në ndërtim e sipër në qendër të kryeqytetit, arkitektë nga Evropa, Azia, Amerika Veriore e Jugore kanë shkëmbyer ide, kanë ekspozuar projektet e tyre lidhur me Shqipërinë, e ndërkohë kanë sjellë me vete edhe të ftuarit e tyre, për të ndarë përvojat.
Në vend të pllakave të mermerta, në hapësirën e festivalit, ishin vendosur tapete dhe qilime shumëngjyrësh me motive tradicionale shqiptare. Në vend të poltronave, stola apo karrige të thjeshta druri, ndërsa në bordurat e një rrethi betoni, të ngjashëm me sofrën shqiptare, jastëqe, po ashtu me motive popullore, ku qëndronin ulur ‘mysafirë’ dhe ‘arkitektë të së sotmes dhe së ardhmes’.
I cilësuar si një festival ndërkombëtar i arkitekturës, në fakt “Bukë dhe zemër” ishte më tepër se kaq! Edicioni i parë i tij përgatit skenën për atë që mund të bëhet një ngjarje që do të mbahet çdo vit e që feston mikpritjen shqiptare (ALBAN-ITY) dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Festivali synonte të nxiste reflektim kritik mbi të kaluarën dhe të tashmen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetet dhe mjedisin. Ky ishte gjithashtu një rast i rrallë për t’u lidhur, për të ndërtuar ura midis arkitektëve të huaj që formësojnë Shqipërinë dhe publikut vendas.
Sipas kryeministrit Rama, arkitektura mund të transformojë jo vetëm hapësirat, por edhe mendjet, jo vetëm vendet, por dhe imagjinatën e një komuniteti, ndjesinë e vet të përkatësisë në vend, vizionin për të ardhmen dhe vetëbesimin e tij.
“Miq të dashur të ftuar në këtë ushtri, arkitektë, studentë, të rinj, iu uroj mirëseardhjen e ngrohtë këtu në zemrën pulsuese të Tiranës, në një Shqipëri që sot prodhon më shumë arkitekturë sesa e gjithë Europa bashkë, ndërkohë që ngjit hapat përfundimtarë që ende e ndajnë nga Olimpi Europian”, u shpreh Rama në fjalën e vetë të hapjes së Festivalit.
Dhe në fakt janë afro 150 studio ndërkombëtare, të cilat kanë projekte në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë.
“Shqipëria nuk është një vend që tërheq arkitektët më vizionarë të botës me para apo me shkëlqime, i tërheq me një gjë shumë më të vështirë për t'u përkufizuar, por të pamundur për të falsifikuar, besimi i përbashkët në realitetin e një ëndrre dhe besimi që mund të mbartet, jo vetëm këtu, por sidomos këtu.”
Të gjithë të befasuar: “Një ngjarje unike”
Me eksperienca në vende të ndryshme të botës, emra që me profesionin e tyre kanë lënë gjurmë, ndihen të befasuar nga ky Festival, të paktën nga ky edicion i parë i tij, që nuk mbetet pas, takimeve të tjera të këtij lloji, por me histori e peshë për arkitekturën.
“Ky festival është unik dhe frymëzues. Disa nga arkitektët që kanë ardhur janë heronjtë e mi të rinisë”, tregon për Report TV, arkitekti Martin Sobota, themelues i studios “City Foerster”, me bazë në Gjermani dhe në Hollandë, i specializuar në arkitekturë dhe në dizajn urban. “Mendoj se është vizioni i Ramës. Ai vërtet e sheh arkitekturën si diçka, jo vetëm për të pasur një strehë apo për të bërë para, por si diçka për të transformuar Shqipërinë. Mendoj se kemi parë mjaft zhvillime në 10 vitet e fundit dhe tani është moment i mirë për të parë çfarë është bërë mirë, çfarë duhet përmirësuar më tej.”, vëren Sobota.
Edhe arkitekti i njohur Italian Stefano Boeri, i famshëm sidomos për projektin e tij të Pyllit Vertikal, që shumë shpejt, pas Milanos do të jetë gati edhe në Tiranë, e cilëson këtë festival si diçka unike.
“As në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, në ditët e hapjes, nuk ka një densitet të tillë me protagonistë të arkitekturës nga i gjithë planeti,” pohon Boeri për Report TV.
Pauline Omnes, pjesë e studios 51NAE, e cila operon prej 20 vitesh në Shqipëri dhe ka realizuar disa projekte të rëndësishme, siç është ai i sheshit “Skënderbej”, mendon se e gjithë kjo që po ndodh është diçka e rrallë.
“Mendoj se të sjellësh bashkë në këtë territor këtë diversitet kulturash dhe urat që mund të krijohen, duke parë fytyrën e re që po merr Tirana është diçka shumë e rrallë. Mund të bëhet një punë bashkëpunuese mes arkitektëve, por edhe punës artistike, ku njerëzit ndihen të përfshirë të prezantojnë diçka që i përket territorit të tyre, gjë që është forcë e kulturës dhe që na tregon se çdo gjë është e mundur, duke punuar dhe ndarë së bashku.”
Edhe arkitekti francez Dominique Perrault, që njihet mes të tjerash edhe si projektues i Fshatit Olimpik në Paris e vlerëson këtë festival, duke hequr po ashtu paralele me Beinalen e Venecias.
“Festivali është rast shumë unik dhe mundësi për të parë lëvizjet e pabesueshnme lidhur me arkitekturën, krijuar nga kryeministri dhe nga komuniteti i arkitektëve shqiptarë. Mendoj është krijuar për të qenë i suksesshëm. Në Bienalen e Venecias ju keni propozime fantastike, por jo projekte. Në Tiranë ju keni disa propozime fantastike, por edhe një festival fantastik. Më pëlqen se është unik”, thekson Perrault.
Çfarë e bën tërheqëse Shqipërinë për arkitektët e huaj?
Stefano Boeri nënvizon se Shqipëria është një vend, që në vitet e fundit ka dëshmuar shumë forcë dhe energji për të ndryshuar dhe rritur.
“Të paktën në këtë anë të kontinentit nuk njoh asnjë qytet tjetër, nëse mendoj Tiranën, që ka ditur që në 10-15 vite të bëjë atë që normalisht një qytet e bën në 100 vjet. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme dhe i dedikohet së shumti fantazisë, energjisë, kreativitetit, inteligjencës të politikës së një kryeministri vizioniar, si dhe cilësisë së arkitektëve të rinj shqiptarë që po rritet shumë dhe ku unë kam shumë besim.”, shprehet Boeri.
Shumë nga këta arkitektë ndiejnë se kanë krijuar lidhje të forta me Shqipërinë, disa prej 10 apo 20 vitesh, siç është rasti i Martin Sobota-s.
“Erdhëm 20 vjet më parë. Edi Rama na ftoi kur ishte kryebashkiak të mendonim për Tiranën si kryeqendër moderne evropiane, që në atë kohë mendoj se nuk ishte, por ishte drita e parë në trafik që ishte instaluar. Që atëherë u angazhuam dhe ramë në dashuri me vendin.”
Sipas arkitektit, tashmë Tirana është bërë vërtet kryeqendër evropiane moderne, ndërkohë që duhet bashkëpunuar më shumtë me arkitektët vendas.
Të interesuar për t’u dhënë jetë ideve të tyre në Shqipëri janë edhe arkitektë që kthehen për të disatën herë në vendin tonë, pavarësisht se më parë, punët e tyre nuk janë përzgjedhur në konkurse të ndryshme.
“Ishim përfshirë në një konkurs por humbëm dhe më pas u kthyem për një projekt”, tregon Perrault.
Simona Malvezzi është bashkëthemeluese e studios “Kuehn Malvezzi” në Berlin në vitin 2001, një studio e vlerësuar, puna e së cilës është e fokusuar në hapësirat publike.
“Është hera e parë në Shqipëri. U ftuam të marrim pjesë në konkurs në ekspozitë. Aplikuam me një tjetër projekt dhe nuk fituam, por më pas u kontaktuam nga klientë dhe filluam të bënim këtë, për një tjetër projekt. Çfarë më pëlqen këtu është mënyra direkte e qasjes dhe ideja e të bërit që gjërat të ndodhin. Ju jeni të hapur ndaj ideve të reja, ndaj botës dhe krijohet ndjesia që projekti po zhvillohet.”, rrëfen Malvezzi.
Nga Tirana në bregdet, larmia e projektet të propozuara
Martin Sobota tregon për shumë projekte në qytet. Një prej tyre është në kompleksin e vogël rezidencial pranë ambasadës gjermane, e që e ai quan ‘Rezidencat e ambasadave’.
“Kjo është kulla në rrugën ‘Reshit Petrela’. Kemi bazën dhe këto pesë volumet e ndryshme, të ndara me gurë, që i kemi marrë të gjithë në Shqipëri dhe midis tyre janë hapësira publike,” tregon Sobota ndërsa përshkruan projektin e tij, një kullë e ridizenjuar nga një ndërtesë ekzistuese, e cila është me rrënjë të forta dhe jo shumë e lartë e që janë përpjekur ta bëjnë më elegante dhe vertikale.
Një projekt interesant është ai i Drimadhes në fshatin Dhërmi. “Ka një hotel të madh përballë. E kemi rrethuar ndërtesën në mënyrë që të gjithë të kenë pamje nga deti. Në këtë rast kemi dizenjuar apartamente luksi. Secili prej tyre ka akses nga jashtë. E kemi filluar këtë 5-6 vjet më parë dhe është frymëzuar nga Santorini në Greqi. Kemi bazë të fortë të gurit lokal, shumë hapësira publike, hapësira të këndshme që krijojnë paqe”, shpjegon Sobota
Ndërsa arkitekti francez Perrault propozon një kullë peizazhi, në formën e një trekëndëshi mbështetur në bazën e tij, përmes së cilës kërkohet të riprezantohet ngjyra në qytet.
'Në Shqipëri dhe veçanërisht në Tiranë, 10 apo 20 vjet më parë, ngjyra ishte absolutisht e pranishme në qytet. Dhe nga ana ime, sepse unë dizenjova fshatin Olimpik në Paris, në këtë fshat u përpoqa të shtyj arkitektët të përdorin materiale me ngjyra dhe të krijojnë një distrikt të ri në ngjyrë. Kjo është ideja me këtë kullë.”
Ai tregon se për të dizenjuar fasadën e kullës ka punuar me një piktor të njohur shqiptar, ndërsa vizatimi në këtë formë, ka të bëjë me lumturinë në arkitekturë.
“Nuk është gri, nuk është e bardhë, nuk është e zezë. Është pikturë. Dhe kjo pikturë prezanton natyrën në qendër të qytetit”, shpjegon ai.
Simona Malvezzi tregon për projektet e studios së saj, një kullë afër Liqenit të Tiranës dhe një projekt te Liqeni i Thatë.
“Projekti im është një kullë afër Liqenit të Tiranës, vendosur në një vend interesant midis qendrës së qytetit dhe natyrës. Ideja është të ketë një formë që të kujton formën e liqenit. Është në një hapësirë publike mjaft interesante me një teatër të ri për fëmijët, me bibliotekë të re. Ideja është që të sjellim publiken nga toka në majë dhe të krijojmë një ‘sky-bar’, ku njerëzit të shkojnë, si dhe në mes hotel dhe hapësirë rezidenciale”, thotë Malvezzi.
Ajo vëren se për ta është e rëndësishme që t’u japin hapësirë njerëzve dhe publikes në Tiranë, ndaj dhe kati i parë i kësaj kulle, do të jetë i hapur për publikun, që mund të komunikojë lehtësisht me parkun, po ashtu dhe transparent.
Sigurisht, një dyndje kaq e madhe ndërtimesh të reja, por dhe një aktivitet me përmasa të tilla ndërkombëtare ka ndikimin e tij edhe në turizëm.
“Mendoj se tani ka mbase më tepër ndërtime në bregdet se sa në Tiranë dhe mendoj se për momentin destinacionet turistike në Shqipëri janë pikë e fortë. Arkitektura në këtë drejtim është mjaft e fortë sepse ne shohim shumë shembuj të këqinj, si ndërtesa të lira, të shpejta,” vë në dukje arkitekti Sobota.
Ajo që ai dhe arkitektët e njohur ndërkombëtarë propozojnë është sigurisht një rritje e cilësisë në ndërtime, krahas ideve novative dhe të guximshme.
“Kam folur me kolegë nga Portugalia që kanë pasur të njëjtën situatë në vitet ’80-të: një zhvillim të shpejtë por me arkitektë mediokër. Mendoj se ambicja e qeverisë shqiptare është që të kenë arkitektët më të mirë në botë që të punojnë këtu.”
Tradita vendase dhe elementët lokalë në ndërtim
Lidhja me traditën vendase duket edhe në hartën e Tiranës, një projekt artistik me qeramikë dhe qëndisje, i dizenjuar nga Pauline Omnes, pjesë e studios 51NAE, ku arkitektë të ndryshëm tregojnë se si Tirana po rritet.
“Ne u ftuam të riprezantojmë 20 vite të ndërtimit dhe ndërtesave në Tiranë. Ideja këtu ishte të riprezantojmë qytetin dhe ato çfarë ka kaluar, duke pasur si bazë dijen dhe punën e mjeshtërve të zejeve të ndryshme, një pikë shumë e fortë në Shqipëri,” tregon Omnes.
Prezantimi i qytetit bëhet duke pasqyruar idetë e arkitektëve për të ardhmen e tij, përmes elementëve lokalë, që nga materialet e deri te puna e bërë me artizanët vendas.
“Ne ftuam 20 qëndistare të vizatojnë këtë hartë të Tiranës dhe gjithashtu 10 mjeshtra të qeramikës, që morën pjesë në këtë punë bashkëpunuese. Mjeshtrit e qeramikës ishin pjesë e një familjeje. Zgjodhëm të punonim vetëm me baltë shqiptare, që e keni në territor. Ata e morën baltën dhe e punuan në sobë, diçka shumë tradicionale, por ruajtën bashkëkohësinë e projektit,” shpjegon Omnes.
Interesante është dhe ngjyra e kuqe e zgjedhur për të qëndisur në mbulesën e bardhë. Omnes tregon se ka kërkuar specifikisht për këtë, ndërsa mendonte për ndarjen e kufinjve administrativë të Tiranës. Ndërsa imagjinon një qytet të gjelbër, një nga idetë fillestare ishte përdorimi i kësaj ngjyre, por më vonë, edhe në këtë pikë, çdo gjë u ndërtua mbi bazë rregullash, simbolesh dhe mbi traditë.
“Kur më pyetën çfarë ngjyre të përdornim nuk e dija. Më pas gjetëm një libër të shkruar në shqip, por nuk dija ta lexoja dhe për fat duke e shfletuar gjeta një paragraf të shkruar në frëngjisht. Ishte shkruar se zgjedhja e ngjyrës në qëndisma në Shqipëri nuk është thjesht për estetikë, por edhe për sensin praktik. Tradicionalisht e kuqja është përdorur vetëm nga të rinjtë dhe me të qëndiset mbi material të bardhë. Ishte diçka magjike”, rrëfen arkitektja.
Kështu përcaktimi i kufijve, hapësirat ujore apo të gjelbërta u bënë me të njëjtën ngjyrë, por me lloje të ndryshme të qëndisjes.
Ndërsa flasin për atë që mund të cilësojmëarkitekturë tipike shqiptare, këta projektues sjellin idetë e tyre të veçanta, ku përpiqen të përfshijnë edhe lokalen.
“Është pak sfiduese për të kuptuar se çfarë është tipike për arkitekturën e Shqipërisë se ka shumë influencë: otomane, italiane…Periudha e komunizmit ishte interesante. U përpoqëm të bëjmë një projekt në veri, në Shkodër. Thethi ka kulla tipike dhe ka vërtet tipologji interesante, por është arkitekturë shumë ‘mbrojtëse’ dhe ne duam të komunikojmë diçka tjetër tani,” tregon Sobota.
Ai shton se shumë tipike në vendin tonë janë edhe shtëpitë me shkallë të jashtme dhe ballkon, ato ndërtesa që njihen si ‘shtëpi elbasanase’.
“Ky është një element që na pëlqen të përdorim, sepse ka hapësirë edhe për takime, komunitetin dhe sigurisht për mikpritjen.”
Ndërsa Simona Malvezzi mendon se është shumë me vlerë përdorimi i materialeve lokale nga arkitektët e huaj me vizion evropian.
“Është i rëndësishëm shkëmbimi dhe formësimi i ideve tona të ndryshme evropiane me traditën në Shqipëri, sidmos sa i përket materialeve të përdorura, veçanërisht me gurë e dru. Ata kanë mjaft njohuri në këtë drejtim dhe është si shkollë. Ne iu mësojmë atyre metodën tonë, por gjithashtu ne mësojmë shumë. Më pëlqen kjo hapje, kjo bujari dhe dialogu që është gjëja më e rëndësishme,” nënvizon ajo.
Arkitektët kanë edhe shqetësimet e tyre, që në shumë raste lidhen me qëndrueshmërinë e ndërtimeve, si dhe me gjetjen e ritmit të duhur në hapësirën lokale. Me po kaq rëndësi është edhe qëndrueshmëria nëndërtime, gjë që lidhet edhe me ndotjen e mjedisit dhe eficencën ekonomike.
“Sektori i ndërtimit është përgjegjës për 40 përqind të emisionit të karbonit dhe nëse duam të mbajmë ngrohjen globale nën kontroll duhet ta mbajmë të ulët nivelin e ndotjes. Siç ju e shikoni çdo verë po bëhet më e nxehtë, ka zjarre,përmbytje dhe Shqipëria është gjithashtu e prekshme prej tyre. Jemi shumë të ndjeshëm ndaj kësaj teme dhe është diçka që duam ta propagandojmë më tepër këtu,” thotë Sobota.
Festivali i mikpritjes, “marka shqiptare” që duhet ruajtur
Por përtej arkitekturës, ky festival, ashtu siç e thotë dhe emri i tij, “Bread&Heart, bring some salt, please!” bën bashkë “bukë, kripë e zemër”, ‘trininë’ e mikpritjes shqiptare, diçka që e bën më të veçantë dhe me gjasë edhe më jetëgjatë një nismë të tillë.
“Bukë për stomakun, kripë për shije, e ça ka më rëndësi, zemrën për sigurinë e miqve,”, shpjegoji kryeministri Rama, domethënien e titullit të përzgjedhur për Festivalin.
“Mikpritja, të gjithë e konfirmojnë, është e mahnitshme. Kam lexuar disa libra të Kadaresë, për Kanunin etj dhe kjo është shumë mbreslënëse dhe mendoj është në ADN-në tuaj. Shpresoj të vijë duke u rritur sepse tashmë është shndërruar edhe në brand dhe në një produkt tregtar,” rrëfen Sobota.
Ndërsa për kolegun e tij francez, Perrault “është një shembull dhe atmosfera është shumë pozitive. Është një lidhje midis klientëve dhe arkitektëve, midis arkitektëve dhe politikanëve. Bota nuk është e lehtë dhe ky moment është një ëndërr. Jam i sigurt që kjo ëndërr do të vazhdojë'.
Komente

Sepse 200 arkitekt nderkombetar, marin secili nga 3 mln eur projekte ne shqiperi, dhe 600 mln euro ikin cdo vit. Arkitektet shqiptare detyrohen te emigrojm, ndryshoj profesion, skllsverohen neper kompani ndertimi, e mos me keq te lypin leke rrugeve.
Përgjigju