Në tre javë vetëm 8 banka e kanë firmosur marrëveshjen e garancisë sovrane 2! Shkak analizat e riskut

2 Qershor 2020, 18:25| Përditesimi: 2 Qershor 2020, 19:00

  • Share

Garancia e dytë sovrane prej 150 milionë dollarësh që do të mund të përdoret për investime nga bizneset e dëmtuara nga COVID-19, ende nuk është firmosur nga të gjitha bankat e nivelit të dytë. Deri më tani sipas Ministrisë së Financave janë vetëm 8 nga 12 banka që e kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë për ti hapur rrugën këtij procesi.

“Sa i takon garancisë së dytë sovrane ne kemi firmosur para një jave marrëveshjen me 8 nga 12 bankat të cilat janë duke i sjell në  Ministrinë e Financave edhe firmosjet e fundit dhe meqenëse është një format i ri jo vetëm për shumën por edhe analizën financiare sepse është risku i ndarë, por edhe për fokusin vetëm pagën dhe bordero kërkon një analizë risku, analizë se ku do të shkohet në ecurinë ekonomike të këtij biznesi”, tha Anila Denaj në Komisionin e Ekonomisë.

Shkak për këtë vonesë është bërë analiza e riskut që po zhvillojnë bankat, për këtë garanci të dytë sovrane. 12 bankat tregtare po shqyrtojnë në detaje këtë proces, pasi në garancinë e dytë ato marrin përsipër 40% të riskut, por do të mund të kërkojnë edhe kolateral nga biznesi, pjesa tjetër, prej 60% e kredisë mbulohet nga shteti. Sipas Ministres së Financave Anila Denaj bankat nuk po bëjnë vetëm analizën e riskut por edhe një analizë financiare se ku do të shkohet me ecurinë ekonomike të këtij biznesi pas marrjes së kredisë, dhe nëse do të kenë mundësi ta kthejnë atë.

“Banka do të bëjë një analizë të mirëfilltë që as të mos kemi kushte ku pas një viti garancia sovrane të preket, dhe që është obligimi i joni që garancia të mos preket, të paktën duke punuar me bankat që politikat e tyre të riskut të jenë sa më të shëndetshme, por mbi të gjitha të kemi mundësinë që ajo para që hidhet dhe ai likuiditet i shtuar në tregun e sektori financiar të përdoret sa më mirë dhe të ketë vlerë të shtuar për të rritur dhe dinamizuar ekonominë jo vetëm sot por për gjithë muajit në vijim”, deklaron ministrja.

Sa i takon faktit që bankat po ndjekin politika të shtrënguara për kreditimin e ekonomisë, por edhe për lëvrimin e fondeve për garancinë sovrane, nga Financat thuhet se ajo nuk mund të ndërhyjë në politikat e bankave.

“Është një garanci sovrane që mundëson qetësimin e bankave pasi ka një garanci, mungesën e kolateralit kur biznesi nuk e ka atë, por mbi të gjitha angazhimin e qeverinë që të krijojë një incentivë për bankat, ku në kushte të tjera nuk do të ishin aktive. Por politikat e bankës janë të aprovuara nga Banka Qendrore, dhe nuk do të gjykoja nëse konservatorizmi apo jo asfikson ekonominë”, tha Denaj.

Linja e dytë e garancisë sovrane është miratuar më 13 maj nga Këshilli i Ministrave dhe është në vlerën e 15 miliardë lekëve, e me normë interesi deri në 5%. Bizneset do të kenë mundësi të marrin deri në 300 milionë lekë, për investime dhe likuiditet dhe për 6 muaj nuk do të paguajnë principal, por vetëm interesin e kredisë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?