Në 3 muaj 1.6 mld euro në arkën e shtetit, por bien fitimet e biznesit! ‘Financat’: Shpenzimet publike 1.2 mld €

23 Prill, 16:59| Përditesimi: 23 Prill, 17:37

  • Share

TIRANE- Ekonomia po jep shenjat e para të ngadalësimit, pasi ka rënë ritmi i rritjes së të ardhurave, ndikuar më shumë nga rënia e aktivitetit të bizneseve. Në tremujorin e parë të ardhurat nga tatimi mbi fitimin që lidhet direkt me xhiron e bizneseve ranë me 13.7% krahasuar me vjet. Nga ky zë janë arkëtuar vetëm 18.7 miliardë lekë ose 3 miliardë lekë më pak se viti i kaluar.

Në total në këtë tremujor Ministria e Financave thotë se në arkën e shtetit kanë hyrë 163.8 miliardë lekë ( mbi 1.6 miliardë euro), duke u rritur me afro 7.6 miliardë lekë në raport me vitin e kaluar. Në këtë periudhë të parë të vitit të ardhurat tatimore janë rritur me 11.7% krahasuar me 2023-shin dhe sipas financave kanë arritur në 99.4 miliardë lekë. Peshën më të madhe e kanë mbajtur zërat tatimorë të lidhura me pagat e punësimin.

Nga janari në mars u rritën me 15.5% të ardhurat nga tatimi mbi pagat, dhe arritën në 15.3 miliardë lekë, në këtë pikë ndikim ka dhënë rritja e rrogave në sektorin publik që prej korrikut të vitit të shkuar. Për pasojë janë shtuar edhe kontributet që varen nga rrogat e deklaruara, dhe në tre muaj kontributet e arkëtuara ishin 37.5 miliardë lekë.

Në rritje në këtë periudhë të parë të vitit ishte edhe TVSH-ja, me 17.5 miliardë lekë ose 35.5% më shumë se 3 mujori 2023, e ndikuar edhe prej çmimeve të larta, pasi sa më të larta të jenë çmimet aq më e lartë është vlera e TVSh-së që paguhet.

Kurse të hyrat doganore, për shkak edhe të rënies së çmimeve të mallrave në tregjet e huaja dhe zhvlerësimit të valutave, janë në rënie në këtë tremujor me 0.8% në raport me planin e Ministrisë së Financave, por në rritje krahasuar me vjet.

Nga TVSH-ja në import u mblodhën 34.4 miliardë lekë, 2.1% më pak se plani dhe nga akciza u arkëtuan 13.1 miliardë lekë ose 2.6% më pak se parashikimi. Kurse shpenzimet publike në këtë tremujor u rritën me 5.1 miliardë lekë krahasuar me vjet dhe arritën në shifrën 130.4 miliardë lekë.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?