Ekonomi

Në tre muaj u mblodhën 1.8 mld €, arka u mbush nga tatimi i pagave! ‘Ngecin’ investimet 20 mln euro më pak se plani

5 Maj, 16:48| Përditesimi: 5 Maj, 16:54

  • Share

Afro 1.8 miliardë euro u mblodhën në tre muajit e parë të këtij viti, me rritje prej 169 milionë euro krahasuar me vjet. Edhe pse arka e shtetit ka përfituar më shumë para nga taksat e tatimet, të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se parashikimet nuk janë realizuar, pasi u mblodhën 9.3 milionë euro më pak se plani i bërë për këtë tremujor.

Referuar raportit gjatë kësaj periudhe janë mbledhur më shumë para nga tatimi mbi pagat, nga i cili u arkëtuan 207 milionë euro, duke tejkaluar pritshmëritë. Impakt kryesor ka dhënë rritja e pagave në shtet, plotësimi i deklaratës individuale të të ardhurave, ku të dy-punësuarit paguajnë tatim ekstra si dhe lufta ndaj nëndeklarimit të pagave. Po ashtu në rritje rezultojnë edhe të ardhurat nga akciza.

Performacë negative është regjistruar nga TVSH-ja që lidhet direkt me konsumin, Tatimi mbi fitimin dhe taksat doganore u mblodhën më pak se plani i Ministrisë së Financave. Më problematike është situata me fitimet e biznesit, i cili duket se ka më pak aktivitet se vitin e kaluar, pasi nga tatim fitimi u mblodhën 173 milionë euro, ose 12 milionë euro më pak se vjet.

Sa i takon shpenzimeve ato arritën në 1.4 miliardë euro nga janari në mars, duke u rritur me 154 milionë euro në raport me vitin e shkuar, por nuk janë realizuar me 105 milionë euro referuar planit të qeverisë për shpenzimet në këtë tremujor.

Në këtë tremujor të parë të vitit institucionet kanë bërë në total 82 milionë euro investime publike ose 20 milionë euro më pak sesa ishte planifikuar. Ndikim në mos realizimin e investimeve kanë edhe zgjedhjet, pasi institucionet janë të ndaluara të hapin projekte në prag fushate pasi mund të konsiderohen me karakter elektoral.

TË ARDHURAT BUXHETORE
Realizimi               1,811 mln euro
Planifikimi             1,820 mln euro
Diferenca                  -9.3 mln euro
TATIMI MBI FITIMIN
Janar-Mars 2024          186 mln euro
Janar-Mars 2025           173 mln euro
Diferenca/rritja            -125 mln euro
SHPENZIMET BUXHETORE
Planifikimi       1,579 mln euro
Realizimi          1,473 mln euro
Diferenca           -105 mln euro
SHPENZIMET KAPITALE
Planifikimi       102 mln euro
Realizimi           82 mln euro
Diferenca          -20 mln euro

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?