Qytetarët dhe bizneset kanë trokitur më shpesh në dyert e bankave në tre muajit e parë të këtij viti për të marrë kredi. Banka e Shqipërisë thotë se gjatë këtyre muajve janë marrë në total 96.8 miliardë lekë ose 968 milionë euro hua, me rritje prej 140 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në këtë tremujor është vërejtur shtim i kredisë së marrë në valutë. Është 40% e kredisë së dhënë nga bankat në monedhë të huaj, ose 386 milionë euro nga 311 milionë euro që ishte vjet.
Shtimi i kërkesës për kredi nga bizneset thonë bankat ka ardhur për shkak të nevojës së tyre për likuiditet dhe për të kryer investime. Ndërsa kërkesat e qytetarëve dominohen nga kredia për blerje banese, dhe më pas konsumi.
Por kjo rritje e kërkesave për hua, është shoqëruar edhe me shtim të refuzimeve nga bankat, të cilat kanë rritur kushtet për të dyja kategoritë për shkak të frikës për një rënie të fuqisë paguese të kredimarrësve.
Si bizneseve ashtu edhe qytetarëve gjatë këtij 3-mujori u është kërkuar më shumë kolateral për huanë për të cilën kanë aplikuar si dhe u janë shtuar kushtet në marrëveshjen e kredisë. Por pavarësisht kësaj qasje të kujdesshme të sektorit bankar pritshmëritë janë për fluks kërkesash edhe për tremujorin e dytë të vitit.
Komente
