Banorë në Rripin e Gazës duke pritur për ushqim

Bota

Në tregun e zi të Gazës, një kilogram miell kushton 25 euro, një pelenë 5 euro! Tregtari: Paguaj ryshfet për të futur mallrat

24 Korrik, 18:21| Përditesimi: 24 Korrik, 18:48

  • Share

Në kutinë e improvizuar si dollap ushqimi ka mbetur vetëm një kavanoz me thjerrëza, një qese me Nescafé dhe oriz sa për dy pjata. Dje, Salma, bashkëshorti i saj Ayan dhe tre fëmijët e tyre hëngrën vetëm drekë. Djali më i vogël, që quhet Muhammad, qau gjithë pasditen nga uria. Qau aq shumë, sa në fund fjeti në një qoshe të tendës që prej tre muajsh është kthyer në shtëpi.

"Ndodh ndonjëherë që arrijmë të bëjmë ndonjë vakt të lehtë në mbrëmje, por këto ditë është shumë e vështirë," rrëfen gruaja, e cila me 100 shekelët që ka në xhep këtë mëngjes do të provojë të shkojë mes tezgave buzë detit në Al-Mawasi, kampi gjigant i refugjatëve në Gaza.

100 shekelë janë afro 25 euro. Në tregun e zi, me 25 euro mund të marrësh një kilogram miell — që është diçka. "Ne jemi me fat sepse im shoq punon për një OJQ dhe ka një rrogë. Fiton 600 euro në muaj. Vëllezërit e mi nuk punojnë, ashtu si pjesa më e madhe e popullsisë. Çmimet e ushqimeve janë dhjetëfishuar, pak kush arrin të bëjë dy vakte në ditë," vazhdon Salma, e cila në këto dy vite lufte ka humbur 15 kilogramë. Ajo tregon se për sa kohë të mundin, do të shmangin qendrat e shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të financuar nga Izraeli dhe SHBA, sepse "është shumë e rrezikshme: qëllojnë mbi njerëzit".

Një tregtar nga Gaza, që kërkon të mbetet anonim për arsye sigurie, dërgon një listë të detajuar me çmimet e javës. Një kilogram domate kushton 25 euro, patate 13 euro, limonë 26 euro, fiq 40 euro, bizele 25 euro. Një kilogram makarona 14 euro, oriz 23 euro, fasule të thata 8 euro. 250 gram kafe 102 euro, 700 gram margarinë 46 euro. Një kilogram sheqer 160 euro, një pulë 100 euro. Një sapun 10 euro, një cigare 20 euro.

"E di që është turp të shesësh me këto çmime njerëzve që po vdesin nga uria", shkruan ai, "por kostoja e transportit dhe rreziku që marrim për ta sjellë mallin në treg është shumë i madh."

Në Gaza, ushqimet dhe mallrat bazë hyjnë përmes ndihmave ndërkombëtare dhe dërgesave tregtare. Në maj, ushtria izraelite lejoi rifillimin e një sasie minimale dërgesash nga Izraeli dhe Bregu Perëndimor, pasi ofensiva në qytetin Rafah kishte reduktuar ndjeshëm fluksin e ndihmave.

Një tregtar tjetër shpjegon se çdo kamion që blihet nga jashtë ka një kosto shtesë prej mijëra eurosh — "edhe tridhjetë mijë", thotë ai, por janë shifra që nuk mund të konfirmohen — për transportin, ryshfetet dhe forcat e sigurisë që ai detyrohet të punësojë për të mbrojtur mallrat nga grabitësit.

"I jap para një izraeliti që më ndihmon të kaloj më shpejt në pikën kufitare të Kerem Shalom, i jap bandave që më premtojnë mbrojtje dhe më shoqërojnë kamionin deri në magazinë, dhe herën e fundit pagova edhe disa militantë të Hamasit. “Një të njohuri i qëlluan në dorë", tregon burri, i cili në Gaza shet bateri, panele diellore, çokollata, kafe, Nutella dhe sheqer — mallra të konsideruara si luksoze. Një bateri kushton 4,000 euro, ndërkohë që dikur kushtonte 300. Një panel diellor 650 euro, më parë 170 euro.

Nëpër tezgat e tregjeve të improvizuara, gjenden edhe produkte me logon e GHF. "Ka nga ata që marrin pakon humanitare dhe rishesin. Në këtë rast, çmimi rritet për shkak të mundimit për ta transportuar dhe rrezikut që përballen për të qëndruar në radhë në qendrat e shpërndarjes, që janë kthyer në kurthe vdekjeje", komenton një punonjës humanitar.

Salma tregon se një pecetë higjienike kushton 3 euro. "Kam ndalur së bleri. Tani pres shirita pambuku, siç bënin gratë para njëqind vitesh. Është e neveritshme të jetosh kështu." Ajo ndjehet me fat që asnjë nga fëmijët e saj nuk ka më nevojë për pelena. Një e tillë kushton pesë dollarë.

Tre javë më parë ishte ditëlindja e djalit më të madh. "E surprizuam me një çokollatë Mars, çokollata e tij e preferuar." Ditën që e bleu, Salma kaloi një natë pa gjumë: ajo copë çokollatë i kishte kushtuar 15 euro. Me ato para mund të blinte një kilogram makarona.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, që nga muaji maj kanë vdekur 80 fëmijë nga kequshqyerja./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lala: 24/07/2025 19:09

    per te qesh a per te qare.nje thes miell ne Palestine ne lufte I futur kontrabande ETJ ETJ kushton 25 Euro ne Shqiperi kushton me shtrenjt.ca bohet kshu mer daj

    Përgjigju
    • Qerosi: 24/07/2025 23:57

      esht 25 eur/kg ,jo thesi

    • Hasan: 24/07/2025 21:34

      Nje kg miell kushton 25€, jo nne thes.

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?