Prokurori i arrestuar vitin e kaluar gjatë operacionit 'Metamorfoza', Xhevahir Lita është shkarkuar nga detyra ditën e sotme.
Prokurori Xhevahir Lita, u arrestua për korrupsion dhe krim të organizuar gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza” në korrik 2023 dhe pak ditë më vonë u pezullua nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP.
Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vijoi investimin në kryerjen e procesit të vetingut të tij, duke e përmbyllur hetimin administrativ paraprak vetëm me konstatimet në kriterin e pastërtisë së figurës.
Ditën e sotme, Komisioni zhvilloi seancën dëgjimore dhe shpalli vendimin për Litën, për shkarkim nga detyra, i cili megjithëse nuk ishte i pranishëm, u përfaqësua nga avokati Arben Nela.
"Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhevahir Lita, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës. Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Suela Zhegu, z. Roland Ilia relator, znj. Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve", njoftoi KPK.
Diskutimet në seancë:
Avokati mbrojtës i Xhevahir Litës, Arben Nela: fillimisht DSIK ka sjellë para jush konkluzionin se prokurori Lita është i përshtatshëm. Por një kërkesë e dytë e KPK (pas arrestimit të tij) komisioni ka kërkuar sërish informacion ndaj tij pranë DSIK. “Në përfundim grupi i punës ka ndryshuar rezultatin dhe kjo ka sjellë ndryshim nga përshtatshmëri në papërshtatshmëri”. Xhevahir Lita ka deklaruar se nuk ka njohje me kontakte të papërshtatshme. Ne deklarojmë se raporti i DSIK i referohet periudhës 2020- 2021, ndërkohë që kontrolli kryhet për periudhën nga nisja e vettingut deri në ditën e deklarimit prej subjektit, pra ky kontroll është kryer përtej këtij afati.
Avokati i prokurorit të arrestuar: Prokurori i ka mohuar akuzat dhe kërkon pafajësi ndaj dhe komisioni duhet të respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë qe ka vlerë kushtetuese. Nga ana tjetër për shkak se gjykata ka ndaluar publikimin e vendimit ne nuk kishim mundësi të njiheshim me aktet
KPK: Ne kemi bërë kërkesa për raportet e DSIK sot AKSIK (Autoriteti Kombëtar për sigurinë e informacionit të klasifikuar) për t’i përditësuar edhe për subjekte të tjerë. Mbasi mund të ndodhë qe subjekti nuk ka patur kontakte me persona të dyshimtë përtej periudhës për të cilën po kontrollohet.
Avokati: Ne këmbëngulim se gjetjet e KPK janë ndikuar nga hetimi penal, por ne kërkojmë që ky hetim administrativ të mos ndikohet nga penali, pasi aty klienti im prezumohet i pafajshëm derisa të ketë vendim..