Politika uron shqiptarët/ Rama: Të keqen e lamë pas, të mirën e kemi para! Basha: 2021 viti i ndryshimeve! Punonjësit e Bashkisë Tiranë, kërcim në emër të jetës

31 Dhjetor 2020, 12:02| Përditesimi: 1 Janar 2021, 03:39

  • Share

TIRANË- Pas një viti mbizotëruar me akuza dhe deklarata të forta, politika shqitpare është ulur për të uruar vitin 2021.Në pritje të ndërrimit të viteve, mazhoranca flet për sfida të kapërcyera me sukses, ndërsa opozita qëndron në pritje të një viti ndryshimi. Urimi mbi palët qëndron ai për shëndet dhe gëzime në familjet shqiptare.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar shqiptarët me rastin e Vitit të Ri me disa fjalë frymëzuese, përballë pandemisë COVID që preku botën, por duke theksuar se nuk arriti të na mbyllë zemrat. Një vit sfidash të mëdha nga ato që rrëzojnë edhe elefantë. Kështu e ka cilësuar kryeministri Rama vitin 2020, ndërsa përmendi dy goditje të forta, tërmeti shkatërrues dhe pandeminë. “Të keqen e lamë pas, të mirë e kemi para”, thotë në urimin e tij, Rama. Ndërkohë që Punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë urimi, një kërcim për jetën në emër të 2 kolegëve që humbën jetën këtë vit.

Urimin për Vitin 2021 Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zgjedhur ta japë përmes një video mesazhi drejtuar shqiptarëve ku premton që viti i ardhshëm  do të vijë me ndryshime të dukshme.

Me fjalët e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të betejës me COVID-19, ministrja Ogerta Manastirliu ka uruar për një vit të mbarë dhe plot shëndet.  Në vigjilje të vitit 2021 Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka përcjellë urimin e saj për vitin e ri  për te gjithë nxënësit, studentët,  pedagogët, prindërit e sportistët për përballimin e pandemisë në një periudhë plot sfida dhe me pasoja në arsim. 

Ora 01:05
Foto familjare, kryeministri Rama feston Vitin e Ri 2021

1609459755_Screenshot4.jpg

Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri 2021. Ai ka publikuar një foto familjare pranë familjes së tij me bashkëshorten Linda Rama dhe fëmijët, Greg Rama, Zaho Rama dhe Rea Xhillari.

Ora 00:59
Presidenti Meta dhe Monika Kryemadhi urim për Vitin e Ri 2021

Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së , Monika Kryemadhi përmes një postimi në Facebook kanë uruar Vitin e Ri 2021

 

Ora 00:05
Mbërrin Viti i Ri 2021, Veliaj: Ky do të jetë viti i ringritjes! Ju uroj gëzuar (VIDEO)

Teksa ora ka shënuar 00:00, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e ndërrimit të viteve. Përmes një videomesazhi në Facebook, ai tha se viti 2020 ishte një vit i vështirë por shpreson se ky i ardhshmi do të jetë viti i ringritjes.

"Të dashur qytetarë të Tiranës, festat mbërritën dhe si çdo vit kur dhjetori troket ne kujtohemi që edhe një vit nga jeta jonë iku për t'i lënë vendin një viti tjetër me plot sfida por me shpresë dhe me plot gëzime të reja. Ky ishte një vit i vështirë të këtij shekulli. Por të bashkuar dëshmuam se shpirti i këtij qyteti triumfon mbi çdo vështirësi. Për të ruajtur njëri-tjetrin ne jemi detyruar t'i festojmë këto festa të ndarë nga familjet, miqtë dhe të dashurit tanë. Ky do të jetë viti ynë i ringritjes. Shumë të dashur humbëm këtë vit, shumë prindër që na rritën me mund dhe dashuri nuk do t'i kemi në shtëpi. Ata ikën, por na lanë amanetin që këtë jetë ta çojmë përpara se ja vlen të festojmë çdo moment të saj. Ky është qyteti i heronjve, i mijëra mjekëve që luftojnë për jetët e njerëzve nga e gjithë Shqipëria. Ky është qyteti i njerëzve që punojnë për të zhvilluar një shoqëri. Unë sot Tiranës dhe çdo qytetari të Shqipërisë i uroj gëzuar, ju dua shumë" - tha Veliaj.

Ora 21:40
Urimi i ministres Denaj: Tërmeti dhe COVID-19, jemi përballur me sfida të mëdha! Kemi qenë në ndihmë të shqiptarëve! Gëzuar Vitin e Ri

1609447595_Screenshot5.jpg

Përmes një videomesazhi në Facebook, Ministrja e Financave Anila Denaj ka uruar të gjithë shqiptarëve Vitin e Ri 2021. Ajo u shpreh se ishte një vit i vështirë me sfidat që na solli tërmeti dhe pandemia por me shpresën viti i ardhshëm do të jetë më i mirë.

"Jemi në ditën e fundit të një viti të gjatë dhe jo të lehtë. Gjatë gjithë këtij viti, jemi përballur me shumë sfida. Nga pasojat fatale të tërmetit të 26 nëntorit e deri tek bashkëjetesa me pandeminë botërore COVID-19. E kemi ditur se puna në këtë rrugëtim nuk do të ishte e lehtë por kemi bërë gjithçka për të zbutur ndikimin e tyre. Nuk kemi rreshtur së menduari për vështirësitë e gjithkujt. Kemi kontribuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë për 300 mijë qytetarë dhe për më shumë se 1000 biznese përmes paketave 1 dhe 2 gjatë kohës që ekonomia u mbyll. Duke ju uruar të gjithëve shëndet dhe mbarësi gëzuar Vitin e Ri" - tha Denaj.

 

Ora 20:05
Urimi i Ambasadës së SHBA-së për Vitin e Ri: Në 2021, shpresojmë të forcojmë më tej miqësinë midis nesh

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e ndërrimit të viteve. Përmes një postimi në Twitter, ambasada shpreson që vitin e ardhshëm të forcohet miqësia mes dy vendeve ndërsa do të festohet edhe 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve mes dy shteteve.

Ndërsa 2020 po shkon drejt mbylljes, rikujtojmë arritjet që SHBA dhe Shqipëria kryen së bashku këtë vit të shkuar. Në 2021, ne shpresojmë të forcojmë më tej miqësinë midis nesh dhe të festojmë 30 vjet prej përtëritjes së marrëdhënieve diplomatike. Gëzuar Vitin e Ri!

Ora 19:32
Urimi nga Vlora, kryebashkiaku Leli: Mos të qajmë të vjetrën por t'i gëzohemi jetës! Gëzuar vitin 2021 (VIDEO)

Nga Vlora, kryebashkiaku Dritan Leli ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të fundvitit. Në mesazhin e tij ai thotë se ky vit na përballi me sfida të mëdha duke filluar nga tërmeti dhe më pas pandemia. Por ai thotë se pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, është momenti që qytetarët të mos qajnë të vjetrën por t'i gëzohen jetës edhe kur qesh dhe kur na lëndon.

"Në orët e fundit të këtij viti më shumë se sa ndrydhjen e jetës dua të kujtoj përpjekjen e gjithë qytetarëve të Vlorës për t'u përballur me të keqen. Në muajt e parë të vitit 2020 duke qenë pranë familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës dhe në 10 muajt në vazhdim duke u përballur me pandeminë që gjunjëzoi njerëzimin. Dua të kujtoj këtë për të veçuar qëndresën, zemrën e madhe për të ndihmuar karakterin e fortë. Vetëm duke ushqyer të mirat do të zhvillojmë veten, punën që bëjmë përditë. Asgjë nga këto që na ndodhën nuk harrohet. E kam thënë vazhdimisht gjatë kësaj kohe, dua ta mbyll me urimin më të vyer të keni shëndet më të mirë dhe të afërmit pranë. Mos të qajmë të vjetrën por të gëzohemi për jetën kur na qesh edhe kur na lëndon sepse të gjitha janë të saj. Do ringrihemi siç kemi bërë gjithmonë, sepse Vlora mundet, Shqipëria mundet. Gëzuar 2021, ju uroj jetë dhe shëndet" - tha kryebashkiaku.

Ora 19:22
Festat e fundvitit, Meta: Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen e kanë mbajtur gjallë kombin tonë! Ju uroj gëzuar (VIDEO)

Edhe Presidenti Ilir Meta ka bërë urimin e tij në prag të ndërrimit të vitit. Në mesazhin e tij, ai thotë se është momenti për të kujtuar mjekët që kanë dhënë jetën dhe janë në frontin e parë në 'luftën' kundër koronavirusit.

"Të dashur bashkëkombës. Viti që lamë pas, na përballi me një nga sfidat më të vështira për mbarë botën. Pandemia COVID-19 tronditi jetët tona në shumë aspekte. Shumë prej nesh humbën më të dashurit, pa mundur edhe t’u japin lamtumirën e fundit; të tjerë ia dolën me sakrifica të jashtëzakonshme. Mirënjohje të pakufishme për mjekët, infermierët dhe të gjithë ata, që gjenden edhe sot, në vijën e parë të luftës kundër kësaj pandemie. Në veçanti, ky është çasti për të bërë një homazh për mantelbardhët tanë të paharruar, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Përkushtimi, humanizmi dhe kujtimi i tyre le të na frymëzojë për më shumë solidaritet, bashkëpunim, përulësi, dhembshuri dhe dashuri për njëri-tjetrin. Le të bashkohemi dhe të punojmë më shumë, duke u ardhur në ndihmë veçanërisht njerëzve që kanë më shumë nevojë. Të përpiqemi me të gjitha forcat të ringremë ekonominë kombëtare, t’u krijojmë të rinjve mundësi të reja dhe punë, për të rimarrë në dorë fatet tona me dinjitetin e liritë e merituara, për të rikthyer shpresën dhe besimin. Vitaliteti i jashtëzakonshëm dhe dashuria për familjen dhe Atdheun e kanë mbajtur gjallë kombin tonë dhe do t’i japin Shqipërisë sonë të dashur edhe të ardhmen e ndritur europiane që meriton. Të dashur shqiptarë kudo që ndodheni, Ju uroj nga zemra, një Vit të Ri të shëndetshëm, të lumtur dhe të begatë. Gëzuar" - tha Meta.

 

Ora 18:28
VIDEO/ Kërcim në emër të jetës, urimi i veçantë i punonjësve të Bashkisë së Tiranës në kujtim të dy kolegëve që nuk jetojnë më 

 

As tërmetet dhe as pandemia nuk mundi që të mposhtë kurajon, por dhe dashurinë për jetën. Me urimin për një vit më të begatë dhe më të mirë, punonjësit e Bashkisë së Tiranës kanë zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë urimi për qytetarët e Tiranës, në kujtim edhe të dy prej njerëzve që i dhanë aq shumë qytetit me punën e tyre dhe që jeta ju ndërpre në mes tinëzisht prej COVID-19, Feti Fanajt dhe Valter Gjonit. Në mesazhin që shoqëron videon, kryebashkiaku Veliaj thekson se e gjitha Bashkia Tiranë është në shërbimin e qytetarëve, në ditë me diell dhe në ditë të vështira.

“Pavarësisht uniformave dhe punës që bëjmë, në fund të gjithë jemi njerëz.  Prandaj këtë fundvit, vështirësitë, presionin dhe ankthin e mposhtim duke kërcyer.    E gjitha Bashkia Tiranë në shërbimin tënd. Në ditë me diell dhe në ditë të vështira.  Gëzuar Vitin dhe dekadën e re!  Në kujtim të Fetiut dhe Valterit”, shkruan Veliaj.

 

 

Ora 18:11
Urimi i kryeministrit për Vitin e Ri, Rama: Qoftë një vit sa më i mbarë për të gjithë shqiptarët!  Më të keqen e lamë pas, më të mirën e kemi përpara (VIDEO)

Në prag të ndërrimit të viteve kryeministri Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2021. Rama fillimisht e nisi me sfidat që është përballur Shqipëria gjatë këtij viti që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e deri tek pandemia e koronavirusit.

Ai thotë se më të keqen tashmë e kemi lënë pas ndërsa më e mira na pret përpara në një vit të ri duke uruar mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Po mbyllet edhe ky vit dhe si në asnjë vit tjetër në jetën tonë, festat e këtij fundviti po i kalojmë mbyllur herët në shtëpi. As meshat e mesnatës së Krishtlindjeve nuk ndodhën dot, as mesnata e fishzekzjarreve në sheshet mbushura plot me njerëz qyteteve tona, nuk do të ndodhë këtë herë.  Ky ishte viti ynë më i vështirë, si banorë të këtij vendi e si qytetarë të kësaj bote. Për ne shqiptarët ardhja e Armikut të Padukshëm ishte një kafshatë e mezikapërdishme, pas tërmetit katastrofik të një viti më parë.  Humbje jetësh e lëndime të mëdha njëra pas tjetrës dhe një presion i jashtëzakonshëm psikologjik mbi të gjithë familjen tonë të madhe; gjyshër e gjyshe të kërcënuar në jetën e tyre, fëmijë të penguar në përditshmërinë e tyre, të reja e të rinj të pamundur në shkollimin normal të tyre, prindër të ndaluar në punën e tyre dhe mes tyre mijëra e mijëra që e humbën vendin e punës me muaj të tërë...  Ky vit ishte një nga ato lloj sfidash që rrëzojnë elefantë kur i thonë dhe jam krenar për të gjithë ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, siç jam krenar edhe për bluzat tona të bardha në radhën më të parë, sepse falë tyre e falë jush, ne qëndruam, rezistuam, luftuam, e po ia dalim që të dalim më të fortë nga kjo luftë kaq unikale në historinë e jetës sonë.  Ne qëndruam dhe i rezistuam goditjes së egër të tërmetit, e sot shkollat e shembura po rilindin jo vetëm pakrahasimisht më të bukura e shumë të sigurta, po edhe  me hapësira të reja që garantojnë bërjen e mësimit me vetëm një turn për të gjithë nxënësit dhe zgjerimin e aktiviteteve sportive e jashtëmësimore në zonën brenda shkollës, jo vetëm për nxënësit po edhe për komunitetin.

Po rilindin përditë më të bukura e më të forta edhe shtëpitë e familjeve të mbetura pa strehë në natën tragjike të një viti më parë. Familjet e varfëra të periferive e zonave rurale ishin ato që u goditën më keq dhe nuk ka kënaqësi e krenari më të madhe për mua, sesa hapja e dyerve të shtëpive të reja për ta, me mbështetjen financiare qind për qind nga qeveria jonë, e cila tregoi karakterin e saj të fortë social e solidar në këtë vit rezistence të madhe ndaj dy goditjeve të njëpasnjëshme. Puna vazhdon, çdo ditë, falë 25 mijë punëtorëve dhe qindra kompanive shqiptare, të angazhuara si një trup i vetëm, deri në hapjen e derës së fundit për familjet e prekura nga tërmeti. Ndërkohë vazhdon, çdo ditë, përpjekja jonë për të siguruar vaksinën kundër Armikut të Padukshëm dhe nisur vaksinimin fillimvitin e ardhshëm, sipas planit strategjik të hartuar nga autoritetet shëndetësore, ku si kudo në botë, do të nisim me grupet më të rrezikuara, bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë si edhe moshat më të mëdha. Vaksina sigurisht do të jetë falas dhe jo e detyrueshme. Por kjo luftë nuk pritet të mbarojë para fundvitit të ardhshëm dhe natyrisht që vaksinimi do të ndikojë jashtëzakonisht në afrimin e fundit të saj. Ndërkohë ne do të mbështesim deri në fund me paketat bazë të sëmurët që do trajtohen në shtëpi, si edhe do t'u japim çdo muaj dyfishin e pagës aktuale, familjeve në ndihmë ekonomike. Viti i Ri do të jetë viti i parë me zero taksë mbi fitimin për 110 mijë biznese të vogla dhe 46 mijë prej tyre do të kenë edhe zero tvsh. Si askund tjetër në rajon! Nga janari bluzat e bardha do të paguhen 40% më shumë në muaj dhe paga e mësuesve do të jetë 15% më e lartë. Jo vetëm mjekët e infermierët, po edhe mësuesit e Shqipërisë meritojnë mirënjohjen e respektin tonë më të madh, për punën e tyre vetëmohuese në këtë vit kaq të vështirë. Jemi krenarë për ta! 

Ky vit e ka goditur fort ekonominë dhe punën kudo në botë, ashtu sikundër ka goditur e lëkundur fort sistemet shëndetësore të mbarë botës. Por imagjinojeni vetëm për një çast sikur dy goditjet e mëdha ekstra, përveç problemeve të trashëguara e halleve të përditshme, të na kishin ndodhur 7 vjet më parë apo të na kishin gjetur si 7 vjet më parë! Do të ishte krejt e pamundur të përballonim qoftë pasojat e tërmetit e qoftë plagët e pandemisë. Por ne po i përballojmë falë bazës së re që kemi ngritur, qoftë në ekonomi e qoftë në shëndetësi. Dhe ndërkohë, edhe në këtë vit kaq të vështirë, kemi vazhduar të bëjmë përpara, me infrastrukturën rrugore, shëndetësore, shkollore, me rritjen e bizneseve të vogla të cilat sot në nëntor ishin 2965 më shumë sesa në janar para fillimit të pandemisë, si edhe të pagës minimale, që nga janari do të jetë 300 mijë lekë. E di fort mirë  motra e vëllezër se rruga jonë e përbashkët është ende e përpjetë dhe ka ende shumë pengesa për të kapërcyer e shumë punë për të bërë. Por më besoni se falë karakterit tonë dhe bashkimit të fuqive tona, më të keqen sot e kemi lënë pas krahëve dhe më të mirën e kemi të gjithë përpara! Gëzuar Vitin e Ri miq! Dhe qoftë ky i riu një vit sa më i mbarë për ju e për familjet tuaja dhe kjo dekadë e re që po fillon, qoftë dekada më e mbarë e historisë sonë, për Shqipërinë e për shqiptarët! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo ku janë, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Ora 17:10
Kryebashkiaku i Beratit urim për fundvit, Demo: Kaluam një vit të vështirë, do ia dalim të rikthejmë jetën normale në 2021

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, në mesazhin e  tij për fundvit u ka uruar të gjithë qytetarëve të Beratit një vit sa më të begatë, me shpresën që 2021 të jetë plot shëndet për të gjithë qytetarët shqiptar dhe një vit që të risjellë jetën normale.

"Viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë shqiptarët. Ajo çfarë lëmë pas është një vit që ka qenë shumë me hidhërim pasi kemi pasur shumë qytetarë të bashkisë së Beratit që kanë kaluar periudhë të vështirë por edhe ata që janë ndarë nga jeta. Kjo ka sjellë vështirësi jo vetëm emocionale por ka pasu efekte të thella ekonomike. Ky vit ka qenë i vështirë dhe nga pikëpamja ekonomike për të gjitha bizneset e kryesisht ato të lidhura me turizmin. Kuptohet që ajo që presim nga viti i ri 2021 është një vit plot shëndet për qytetarët shqiptarë, të risjellë jetën normale duke qenë gjithmonë të gatshëm për të kthyer normalitetin sadopak. Ju uroj të gjithë qytetarëve gëzuar festat e fundvitit, sjelltë begati dhe ngrohtësi në familjet e tyre" - tha kryebashkiaku.

Ora 15:42
Manastirliu me mjekët e COVID-2 që do jenë në shërbim natën e ndërrimit të viteve: Me zemër të gjithë do të jemi së bashku (VIDEO)

Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishte në spitalin COVID 2 me mjekët dhe infermierët që do të jenë në shërbim natën e ndërrimit të viteve, për të uruar të gjithë stafet mjekësore për një vit të mbarë e të shëndetshëm.

“Bashkë me urimet për një vit të mbarë, t’ju transmetoja gjithë falenderimet, respektin dhe mirënjohjen për punën, sakrificën, profesionalizmin edhe çdo gjë që ju keni dhënë në këtë kohë shumë të vështirë, në këtë vit të vështirë”, tha Manastirliu.

Duke uruar gjithë ekipet mjekësore, Manastirliu tha se ato do të jenë në gatishmëri për të shërbyer në këtë natë.

“E di që sot nuk do të jetë e mundur që të festoni pranë familjeve tuaja, sepse do të jeni duke shërbyer për pacientët këtu. Ashtu sikurse gjithë personeli ynë shëndetësor që do të jetë në shërbim këtë natë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë uroi nga spitali “Shefqet Ndroqi” pacientët që në këtë natë të ndërrimit të viteve nuk do të kenë mundësi të jenë pranë familjeve të tyre.

“Një urim për të gjithë ata pacientë që nuk do të mund të festojnë me familjen e tyre sonte. Me zemër të gjithë do të jemi së bashku, duke uruar më të mirën për vitin që ne na pret”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë.

Ora 13:59
Manastirliu dhe mjekët në luftë me COVID-19 urojnë festat e fundvitit për shqiptarët (VIDEO)

Në ditën e fundit të vitit ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe mjekët kanë uruar përmes një videomesazhi në Facebook shqiptarët për vitin e ri!

“Me urimet e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë të betejës me virusin e rrezikshëm, që këtë vit të vështirë na kanë dhënë një shembull të pashoq sakrifice e devotshmërie, ju uroj të gjithë shqiptarëve, një Vit të Ri të mbarë e të shëndetshëm”, shkruan Manastirliu.

 

Ora 12:21
Basha uron shqiptarët: Po lëmë pas një vit të vështirë, pandemia na gjeti të gjunjëzuar, mos u dorëzoni! Viti 2021 do të jetë ai i ndryshimeve (VIDEO)

Ai tha se viti që do lëmë pas ishte një vit shumë i vështirë për botën por në veçanti për shqiptarët.

“Shumë prej nesh humbën më të dashurit, familjarë dhe miq të çmuar prej koronavirusit, duke lënë pas një boshllëk të pazëvëndësueshëm. Ne i kujtojmë me dhimbje secilin prej tyre. Po ashtu përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e tyre”, tha Basha.

Bashka, ka shprehur mirënjohje ndaj mjekëve dhe personelit mjekësor të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë për të shpëtuar jetë njerëzish në këto kohë pandemie.

“Mos e humbisni kurrë shpresën! Mos u dorëzoni! Asnjëherë mos hiqni dorë nga qëllimet, nga ëndrrat tuaja, sepse një ditë dhe kjo ditë nuk do të jetë e largët, do të gjeni rrugën e suksesit. Ju shoh dhe jam i sigurt që së bashku do ta bëjmë vitin që vjen, një vit më të mirë për ju dhe për familjet tuaja. Një vit më të shëndetshëm! Një vit më të suksesshëm!”, shtoi Basha.

“Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”, tha ai në fund.

Urimi i plotë i Lulzim Bashës: 

 

Të dashur bashkëqytetarë!

Viti që po lëmë pas ishte një vit i vështirë për gjithë botën, po akoma më i vështirë për Shqipërinë.

Kriza e pandemisë e pllakosi vendin tonë, në një kohë kur ekonomia ishte tashmë e gjunjëzuar dhe sistemin tonë shëndetësor e gjeti në pikë të hallit, si pasojë e mungesës së mbështetjes.

Shumë prej nesh humbën më të dashurit, familjarë dhe miq të çmuar prej koronavirusit, duke lënë pas një boshllëk të pazëvëndësueshëm. Ne i kujtojmë me dhimbje secilin prej tyre. Po ashtu përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e tyre.

Teksa i them këto fjalë, ka shumë familje që janë prekur rëndë nga pandemia, spitalet tona janë të mbingarkuara, punonjësit tanë shëndetësor janë duke punuar me mish e me shpirt për të shpëtuar jetë edhe pse në kushte shumë të vështira.

Mirënjohja jonë nga thellësia e zemrës shkon sot tek mjekët dhe personelin shendetësor, që po sakrifikon me vetëmohim për të shpëtuar jetë, duke sakrifikuar gjithçka, shpesh edhe vetë jetët e tyre.

Teksa po hyjmë në Vitin e Ri, mbushini zemra tuaja me shpresë dhe besim. Largojeni për disa çaste trishtimin e këtij viti që lamë pas dhe mendoni se ditë më të mira na presin, se një e ardhme më e ndritur është përpara nesh.

Kemi kaluar një vit të vështirë, por gjithsesi ka shpresë. Shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë, të cilën e kemi vetë në dorë.

Ka shpresë për një Shqipëri tjetër. Për një qeverisje ndryshe që kujdeset për qytetarët e punon për ju.

Për një qeveri që garanton uljen e kostos së jetës dhe mundëson hapjen e vendeve të reja të punës për çdo qytetar.

Ka shpresë për ndryshim dhe gjithçka varet prej nesh për ta bërë atë shpresë realitet.

Unë jam plot besim që ndryshimi është i mundur dhe nuk do të ngelet vetëm shpresë.

Ky besim më shtohet kur shoh vendin tonë të bukur, me pasuri e potencial zhvillimi si rrallëkund tjetër në botë. Shoh shqiptarët që nuk dorëzohen kurrë.

Shoh nënat që punojnë ditë e natë dhe që kujdesen për të rritur brezat e ardhshëm.

Shoh të rinj të talentuar, plot me energji e ide të freskëta, që përpiqen t'ia dalin mbanë me çdo kusht.

Një mesazh të veçantë dua t'ju percjell në këtë fundvit të rinjve dhe të rejave që nga dëshpërimi i pamundësisë presin shansin e parë per t'u larguar. Mos e humbisni kurrë shpresën! Mos u dorëzoni! Asnjëherë mos hiqni dorë nga qëllimet, nga ëndrrat tuaja, sepse një ditë dhe kjo ditë nuk do të jetë e largët, do të gjeni rrugën e suksesit.

Ju shoh dhe jam i sigurt që së bashku do ta bëjmë vitin që vjen, një vit më të mirë për ju dhe për familjet tuaja.

Një vit më të shëndetshëm!

Një vit më të suksesshëm!

Do ta kthejmë 2021-in në vitin në të cilin Shqipëria do të jetë e fortë dhe e mbushur me dhembshuri e kujdes për njëri-tjetrin, dhe ku gjithkush të jetë pjesë e ndryshimit që po vjen.

Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

Ora 12:05
Kushi uron nxënësit dhe pedagogët për vitin 2021: Mirënjohje për të gjithë ju pas këtij viti të vështirë, gëzuar me zemër! (VIDEO)

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi përmes një videomesazhi në rrjetin e saj social Facebook ka uruar nxënësit, studentët dhe pedagogët për vitin e ri 2021.

“Fjalët dhe falënderimet nuk mjaftojnë për të shprehur mirënjohjen time të thellë, njëkohësisht edhe mirënjohjen e gjithë shoqërisë shqiptare për ju mësues të dashur që nuk u lodhët dhe nuk u tërhoqët për asnjë moment nga puna në vijën e parë të sakrificës, edhe pse fatkeqësisht humbëm disa nga njerëzit tanë të dashur”, ka thënë Kushi.

Ajo ka shprehur mirënjohjen edhe për nxënësit të cilët janë përballur më së miri me vështirësitë e pandemisë dhe pasojat e saj në arsim. Ajo ka kërkuar prej tyre të vazhdojnë të ruajnë frymën solidare e të angazhohen maksimalisht në ndjekjen e mësimit “online” deri në një vendim nga Komiteti i Ekspertëve që i hap dritën jeshile leksioneve nëpër auditorë.

Ajo nuk ka lënë pa uruar edh sportistët, duke vënë në dukje se për ata ka qenë edhe më e vështirë të realizonin objektivat e tyre.

“Ndërkohë, më lejoni të ndaj me secilin prej jush urimin tim më të sinqertë për një Vit të Ri më të mbarë se ky vit që po lëmë pas, me më shumë shëndet e begati në çdo familje e me më shumë suksese në çdo hap tuajin. Gëzuar me zemër dhe përqafime”, shtoi ajo në fund.  

Ora 11:02
Xhaçka uron efektivët e FA-së për festat e fundvitit: Jeni mesazh shprese dhe sigurie për çdo shqiptar, faleminderit për shërbimin (VIDEO)

Tërmeti dhe më pas pandemia treguan edhe njëherë jo vetëm kapacitetet e Forcave të Armatosura për të përmbushur detyrën e tyre , por njëherësh edhe dimensionin e tyre human duke qenë kudo ku ka nevojë. Përmes një videomesazhi për festat e fundivitit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh mirënjohjen mijëra burrave dhe grave që mbajnë veshur me krenari uniformën. 

Xhaçka thekson se efektivët e FA ia kanë dalë të bëjnë punë shumë të mira, në një vit me shumë sfida

2020 ishte për FA një vit sfidash, të cilat bashkërisht i kemi kaluar me sukses. Ia kemi dalë të realizojmë shumë punë të mira, për ta bërë FA më moderne, më profesioniste, më pranë standardeve të një ushtrie të NATO, më të aftë për të garantuar sigurinë, jetën shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

S’ka qenë e lehtë deri më sot e s’ka për të qenë e lehtë prej këtej e tutje. Por nuk na trembin vështirësitë apo sfidat. Na mjafton që qytetarët sot e vlerësojnë FA si kurrë më parë. Këta djem dhe vajza që i shërbejnë Shqipërisë brenda dhe jashtë kufijve të saj, dua t’i falenderoj nga zemra për gjithçka kanë bërë në 2020 dhe dua t’u uroj më të mirën për 2021, sepse me punën e tyre janë kthyer në një mesazh shprese dhe besimi, në një mesazh optimizmi për të gjithë. Faleminderit për shërbimin dhe qoftë 2021 një vit më i mbarë për gjithsecilin nga ju dhe familjet tuaja!”, shprehet në mesazhin e saj për të gjithë efektivët e FA ministrja Olta Xhaçka.

Forcat e Armatosura  sot janë në shërbim 24 orë në 7 ditë të javës dhe falë vendimeve të kësaj qeverie ka një trajtim më të mirë financiar dhe është e pajisur me mjete njësoj si kolegët e tyre të vendeve të NATO-s. Po ashtu inverstimet në infrastrukturë në këto vite dhe prania në misionet në shumë vende të botës e bëjnë FA eksportues të sigurisë. Një arritje tjetër, është edhe kthimi i Akademisë së Forcave të Armatosura në institucionin e vetëm të  arsimit të lartë, i akredituar  në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ora 10:44
Gramoz Ruçi urim me rastin e Vitit të Ri 2021: T’i lemë të treten kujtimet e një viti të thyer, në horizont po vijnë ditë të bukura për të gjithë

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Vitit të Ri 2021.

Ai gjatë urimit ka folur në lidhje me vitin e vështirë që kemi kaluar dhe ka uruar që Viti 2021 të jetë një vit normal për të gjithë me shëndet, gëzim dhe mirëqenie. Ai shtoi se shqiptarët i mbijetuan kësaj pandemi, ekonomia mbijetoi, sistemi shëndetësor po ashtu.

“Dashuria njerëzore, solidariteti dhe humanizmi u shfaqën si rrallë ndonjëherë në historinë tonë dhe të njerëzimit. Të goditur, por të paepur; të mbyllur në vatrat familjare, por me zemra të hapura; të prekur në të ardhurat e kursimet, por jo në bujarinë tonë; të kufizuar nga kënaqësitë e jetës, por optimistë se po hyjmë në një vit që do të jetë i bukur sepse do të jetë normal. Le t’i lemë të treten kujtimet e vështirësive që kaluam dhe të gëzojmë se në horizont po duken ditë të bukura për të gjithë!”, tha Ruçi.

Urimi i plotë i Gramoz Ruçit:

“Pas një viti të vështirë që lamë pas, le të jetë viti 2021 një vit normal, me shëndet, gëzim e mirëqenie për të gjithë. 2020 u thye sa pa nisur mirë, për shkak të pandemisë që pushtoi globin. Pas dy muajve normal, dhjetë të tjerët ishin një sfidë e vështirë që ndodh njëherë në shekull. Por shqiptarët, ashtu si edhe gjithë njerëzimi, mbijetuam dhe po e mundim të keqen. Ekonomia mbijetoi në saj të sakrificave të fermerëve, ndërtuesve dhe turizmit. Sistemi shkollor mbijetoi në saj të përkushtimit të mësuesve, nxënësve, studentëve e prindërve. Sistemi shëndetësor u bë avangarda e shërbimeve publike dhe shpëtoi mijra jetë njerëzore, në saj të titanizmit të mjekëve e infermierëve, këtyre promethenjve të shëndetit. Për të gjithë shpreh sot mirënjohjen dhe urimet e mia më të përzemërta. Dashuria njerëzore, solidariteti dhe humanizmi u shfaqën si rrallë ndonjëherë në historinë tonë dhe të njerëzimit. Të goditur, por të paepur; të mbyllur në vatrat familjare, por me zemra të hapura; të prekur në të ardhurat e kursimet, por jo në bujarinë tonë; të kufizuar nga kënaqësitë e jetës, por optimistë se po hyjmë në një vit që do të jetë i bukur sepse do të jetë normal. Le t’i lemë të treten kujtimet e vështirësive që kaluam dhe të gëzojmë se në horizont po duken ditë të bukura për të gjithë!”

Ora 12:49
Festat e Fundvitit, Manastirliu: 100 ekipe mjekësore të Urgjencës do jenë në terren (VIDEO)

Në prag të festave të fundvitit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se janë vendosur ekipe shëndetësore shtesë për përballimin e urgjencave mjekësore. Duke folur nga Spitali i Traumës, Manastirliu u shpreh se ato do të jenë në gatishmëri në çdo moment. Ajo tha se do të jenë 100 ekipe shëndetësore në sistemin e Urgjencës Kombëtare të cilat do jenë të shpërndara në terren.

“Ekipet shëndetësore në gjithë sistemin tonë, qoftë ato të Urgjencës Kombëtare, qoftë të spitaleve tona që nga ato universitare deri tek rajonalet, bashkiaket do të jenë me ekipe të përforcuara për të përballuar çdo emergjencës që mund të kemi. Do të kemi në sistemin e Urgjencës Kombëtare 100 ekipe, të cilat janë të shpërndara në terren në postacione për të mbuluar çdo emergjencë në kohë dhe me cilësi. Nga ana tjetër të gjithë sistemet dhe strukturat e urgjencave në spitale por edhe të shërbimeve në spitale do të jenë të përforcuara, duke organizuar punën me shërbimin “on call”, pra të mjekëve të cilët do të jenë të gatshëm, nëpërmjet sistemit të thirrjeve për çdo emergjencë që mund të ketë në spitalet tona”, bëri të ditur Manastirliu.

Manastirliu bëri me dije se masat janë marrë për të përballuar emergjencat e mundshme, pavarësisht se nuk do të lejohen grumbullime në sheshe.

“Për kryeqytetin do të kemi 9 ekipe të urgjencës, të cilët do të vendosen në postacione të caktuara dhe dy ekipe shtesë të urgjencës kombëtare si edhe janë siguruar materialet mjekësore, barnat e nevojshme për të përballuar çdo situatë emergjence, qoftë në kuadër të emergjencave, aksidenteve apo problematikave që mund të sjellin festimet e fundvitit”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën e ekipeve mjekësore në këtë vit të vështirë, Manastirliu tha se mirënjohja do të kurorëzohet me rritjen historike të pagave për bluzat e bardha.

“Dua t’ju falenderoj për punën tuaj të palodhur dhe kurorëzimi i kësaj mirënjohje mëse të merituar do të jetë me rritjen 40% të pagave në vitin e ri që po vjen”, tha Ministrja e Shëndetësisë, duke uruar për një vit të ri të mbarë e të shëndetshëm të gjithë ekipet mjekësore dhe qytetarët shqiptarë kudo ku ndodhen.

Urdhri i gatishmërisë së përforcuar për spitalet gjatë ditëve të festave, i firmosur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale  përcakton forcimin e ekipeve në dispozicion për urgjencën 24/7, nga data 31 Dhjetor deri më 5 Janar dhe përcaktimin e mjekëve “on call”, pra në gatishmëri për secilin shërbim, për të mbuluar çdo urgjencë që mund të ndodhë. Gjithashtu përcaktohet detyrimi për të siguruar barnat dhe pajisjet mjekësore të nevojshme si dhe për të vendosur në gatishmëri të përforcuar urgjencën kombëtare në territor.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jani: 01/01/2021 09:37

    Urojme qe meta dhe kryenadhi te hyjne ne burg kete vit ....

    Përgjigju
  • Mali: 01/01/2021 09:35

    E UROJME METEN ,KRYEMADHIN DHE TE GJITHE TE KORRUPTUARIT NE POLITIKEN TONE NE TE DY KRAHET ,;QE VITI 2021 TI GJEJE NE BURG,,MJAFT KA HEQUR DHE DURUAR KY POPULL QE KETA TE JENE BRENDA...

    Përgjigju
  • Emigrant Usa: 01/01/2021 01:41

    I urojme AMBASADES amerikane qe ti shikojne me shume SHTETASIT amerikane me origjine shqipetare qe te mos deskriminohen nga qeveria dhe Ed Rama personalisht

    Përgjigju
  • Sokoli: 31/12/2020 21:31

    URIMI ME I MIRE PER NE SHQIPTARET O LELI ESHTE VAZHDIMI I TRANSFORMIMIT TE VLORES DHE INVESTMET NE VLORE NE FUNKSION TE TURIZMIT,,,...KETE DUAM NE ,,VLORA DHE SARANDA KANE POTENCIAL TE PRESIN 20 MILION TURISTE VETEM DUHET TE INVESTOHET NE INFRASTRUKTURE DHE HOTELERI MODERNE...

    Përgjigju
    • Mjeku: 31/12/2020 22:01

      Jo jo per 20 milion por per 35 milion e 453 mije hahahaha c'na gjeti me torollaket.

  • Kujtim: 31/12/2020 20:22

    Vit me i mire do jete 2021 o rama po qe se na hap pune,,,vetem fason dhe call -center qe pastrojne parate ka ne shqiperi...

    Përgjigju
  • Tirona ime: 31/12/2020 19:16

    E kujt i plasi per urimet e tyre. Mire bejne te bejn ate pune qe I takon. Sa per urime shqiptartet ja bejne njeri tjetrit dhe nuk kane nevoje per keto njerez interesaxhijn. Keto nje email ose qofte edhe nje hall nuk ta degjojne, po qe per kamera edhe rrjete sociale keto dalin te paret a thua se ju dogj zemra per ne.

    Përgjigju
    • 2021: 01/01/2021 02:04

      Gezuar vella!!

  • Populli Shqiptar: 31/12/2020 18:39

    Urojme gjithashtu qe viti 2021 te na gjeje pa viruse e pa politikan

    Përgjigju
    • Amin!!!: 31/12/2020 22:04

      I pafte Zoti!!!

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?