Pavarësisht standardeve të shtrënguara për kreditimin e ekonomisë, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i huave vjet ka njohur rritje të fortë.
Konkretisht përgjatë vitit 2023 totali i kredisë së re të dhënë arriti në 318.8 miliardë lekë nga 278.4 miliardë lekë që ishte në vitin 2022, duke pësuar një rritje me 40.4 miliardë lekë. Kjo e rritje e nivelit të kredive, tregon se normat në rritje të interesit nuk i kanë frenuar bizneset e qytetarët të marrin hua.
Gjatë vitit të kaluar është rritur pesha e kredisë së dhënë në lekë, duke dëshmuar qasjen e kujdesshme të kredimarrësve ndaj luhatjeve të forta të kursit të këmbimit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë përgjatë vitit të shkuar vlera e kredisë në lekë u rrit me 46.3 miliardë lekë, dhe ka arritur në 179,7 miliardë lekë, ku veç kursit ndikim pozitiv kanë pasur edhe normave të interesit që janë më të ulta.
Përgjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje edhe totali i depozitave me 32.6 miliardë lekë krahasuar me vitin 2022. Nga 1.2 trilionë lekë që ishin depozitat në vitin 2022, në fund të 2023-shit arritën në 1.3 trilionë lekë.
Edhe për depozitat vihet re, zhvendosja e kursimeve nga valuta tek leku, e ndikuar fort nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit. Konkretisht depozitat në monedhën vendase vjet u rritën me 27.1 miliardë lekë, ndërsa kursimet në valutë u shtuan me vetëm 5.5 miliardë lekë.
Zhvlerësimi i euros, e cila arriti të këmbehej 1 euro=100 lekë gjatë vitit të kaluar, apo dollari që ka zbritur 1 dollar=95 lekë, ka bërë që qytetarët ti kthejnë sytë nga leku, i cili me shumë mundësi do të jetë më i fortë edhe këtë vit, për shkak të rritjes së normës bazë të interesit si mjet për të ulur inflacionin.
KREDIA E RE E DHËNË
Viti 2022 278,462 mld lekë
Viti 2023 318,877 mld lekë
Rritja + 40,415 mld lekë
TOTALI I DEPOZITAVE
Viti 2022 1,271,642 mld lekë
Viti 2023 1,304,310 mld lekë
Rritja +32,668 mld lekë
KREDIA E RE NË LEKË
Viti 2022 133,413
Viti 2023 179,737
Rritja 46,324